Komuna e Drenasit i ka dhënë për 99 vjet 5 prona në zona të rëndësishme biznesi. Një ofertues ka argumentuar se Komuna ka mashtruar në këtë proces, një pretendues prone ka akuzuar kryetarin Ramiz Lladrovci se ka dashur të marrë hise, e një tjetër ka thënë se Komuna e ka dhënë në shfrytëzim një parcelë për të cilën gjykata ka vendosur masë sigurie. Ka dyshime edhe për konflikt interesi gjatë procesit të përzgjedhjes. Lladrovci ua ka firmosur kontratat fituesve, e palët që konsiderojnë të jenë dëmtuara e mbajnë shpresën te gjykata
Prishtinë, 8 dhjetor – Biznesi i Filloreta Bujupit operonte prej dhjetë vjetësh në një pronë që e kishte marrë me qira nga Komuna e Drenasit. Ndryshe prej shumë pronave të tjera, kësaj nuk i është vazhduar kontrata dhe në shtator autoritetet lokale kanë shpallur thirrje publike për ta dhënë me qira për 99 vjet.
Bujupi vendosi të konkurrojë. E ofroi një projekt për ngritjen e një pompe karburantesh aty, por në Komunë i kishin thënë se projekte të tilla nuk lejohen afër vendbanimeve. Prandaj, i është dashur ta bënte një projekt tjetër.
Për këtë pronë, Komuna e shpalli fitues kompaninë “IP Kos”, e cila kishte konkurruar pikërisht me projekt për pompë karburantesh.
Bujupi, e cila drejton biznesin “Albioni”, ndihet e mashtruar nga Komuna.
“Fillimisht shkuam të aplikonim me pompë derivatesh. Na thanë që nuk keni të drejtë. E ndërruam projektin, pasi thoshin se nuk lejohet ndërtimi i pronës më afër se një kilometër nga vendbanimi”, ankohet ajo. “Jemi të mashtruar, sepse neve na kanë thënë se nuk keni të drejtë të aplikoni për pompë benzine, ndërsa IP-së ia kanë dhënë për pompë benzine”.
Komuna e Drenasit e ka pranuar se ka vepruar kësisoj, por fajin e ka gjuajtur te një zyrtar për të cilin ka thënë se deklarimin rreth perimetrit ku nuk duhet ngritur pompa derivatesh e kishte bazuar në kërkesat e Hartës së re Zonale, e cila ndodhet në proces për t’u miratuar.
“Harta Zonale e Komunës nuk është finalizuar ende dhe e njëjta ndodhet në Ministri të Ekonomisë dhe Ambientit duke u shqyrtuar, dhe presim t’i marrim komentet nga ana e ekspertëve profesionistë. Po ashtu, Harta Zonale ende nuk është miratuar nga ana e Kuvendit të Komunës”, janë justifikuar në Komunë nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar. “Sa i përket zyrtarit, për të njëjtin që ka dhënë informacione të tilla është shqiptuar masë disiplinore nga ana e Komisionit Disiplinor”.
Pa garanci bankare
Ky nuk është problemi i vetëm. Gjatë monitorimit që KOHA ia ka bërë procesit të dhënies me qira të këtyre pronave, e i cili ka nisur prej rreth tre muajsh, është evidentuar se disa nga përfituesit nuk i posedonin të gjitha dokumentet që kërkoheshin në thirrjen publike të Komunës.
Në thirrjen publike për dhënie të kësaj prone, por edhe të gjashtë të tjerave, bizneseve u kërkohej ta kishin edhe garancinë bankare prej 30 për qind të vlerës së investimit në projektin me të cilin do të konkurronin.
KOHA ka gjetur se këtë dokument nuk e kishin pjesa më e madhe e të shpërblyerve nga Komuna që e drejton Ramiz Lladrovci.
Krahas kësaj, në Arllat, “IP Kos” është shpërblyer edhe me një pronë në pjesën më të frekuentuar në qytetin e Drenasit, fare pak metra nga rrethi që e lidh qendrën dhe rrugët për në Prishtinë e në Skenderaj. Për asnjërin projekt kompania fituese nuk kishte “Garanci Bankare”, por “Siguri të Ekzekutimit”, dokument të lëshuar nga një kompani sigurimi.
Në këtë kompani nuk kanë treguar arsyet pse nuk kishin përfshirë në dosje dokumentin që kërkohej nëpërmjet thirrjes së Komunës dhe as se kush nga autoritetet komunale ua kishte pranuar aplikacionin pa të.
Në Komunë kanë thënë se në bazë të një interpretimi të marrë nga Banka Qendrore garancitë bankare të lëshuara nga bankat dhe sigurimi i garancive të lëshuara nga kompanitë e sigurimeve në parim janë ekuivalente me njëra-tjetrën. Por, nuk kanë treguar arsyen pse në shpalljen publike nuk ishte theksuar kjo.
Garanci bankare nuk kishte as Ragip Veseli, një biznesmen që në këtë proces të dhënies së pronave komunale ka aplikuar si person fizik. Veselit i ishte njohur një dokument i titulluar “Deklaratë e Garancionit – Siguri e tenderit”, që kishte validitet vetëm 30 ditë. Me të ai ka marrë një pronë në pjesën më industriale në Komoran, me qasje në autostradë.
Kuvendi Komunal ka votuar pro dhënies së pronës për të, ani se një asambliste që ishte pjesë e Komisionit vlerësues i paralajmëroi kolegët e saj se aplikacioni i Veselit s’i përmbushte kushtet.
“Sigurimin në kompani të sigurimit e ka pasur vetëm për një muaj. Domethënë, nuk ka qenë projekt i siguruar për gjithë kohën sa bëhet investimi”, ka thënë asamblistja Sabrije Kukaj. “E dyta, mua nuk më ka bindë Ragip Veseli sipas pasqyrave bankare që investon atë shumë të mjeteve në atë pjesë”.
Veseli nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike dhe as mesazheve të shkruara, nëpërmjet të cilave i është kërkuar të ofrojë informacione për çështjet që lidheshin me projektin, nëpërmjet të cilit e ka fituar një prej pronave kryesore që tani Komuna e ka dhënë në shfrytëzim afatgjatë.
Për një pjesë të pronës që i është dhënë Veselit ka një kontest në gjykatë, të ngritur nga Muhamet Ajazi. Ai thotë të ketë masë gjyqësore sigurie për të.
E, në kontest gjyqësor ndodhet edhe një pronë tjetër në Komoran, që i është dhënë ELKOS-it.
Gëzim Gegaj zotohet të mos e lëshojë pa verdikt të gjykatës.
“Edhe në prona tjera ka bo dallavere qeshtu. Te krejt. Te tanë. Me kontrata me krejt i kanë njerëzit, jau ka anulu. Për çka? Për me marrë Ramiz Lladrovci hise për vete. E hise për veti nuk ka këtu. Kjo është pronë e imja. Pa marrë vendim gjykata këtu nuk ka kush që hyn”, thotë Gegaj. “Nëse vendos në favor të Komunës, unë kam me e dorëzu. Çdo sen që më takon mua unë e paguaj. A nëse vendos në favor timin, Komuna dhe Ramiz Lladrovci kanë me m’u përgjigjë”.
Në Komunë nuk i janë përgjigjur këtij pretendimi të Gegajt.
E, asamblistët kanë votuar për pronat, ani se vendimet për to ishin përfshirë në rend dite vetëm një ditë para se të mbahej seanca.
Asamblistë opozitarë, si Petrit Gashi, e kanë braktisur sallën në mënyrë demonstrative. Ai paraprakisht ka tentuar ta bindë kryesuesin që në një seancë të veçantë të trajtohej çështja e këtyre pronave, por meqë kërkesa nuk është marrë në konsideratë e ka lëshuar sallën.
“Unë protestoj ndaj kësaj forme, me i shtu nga shtatë-tetë pika”, ka thënë ai, derisa e ka lëshuar sallën.
Edhe një anëtar tjetër i Kuvendit nga radhët e opozitës nuk ka qëndruar në këtë mbledhje.
Vehbi Berisha thotë se kryetari i Komunës është duke e diktuar agjendën e Kuvendit Komunal.
“Në vazhdimësi po kemi pika të rendit të ditës që po hyjnë në mbledhje, në seancë komunale aty për aty, me propozimin e kryetarit, dhe vazhdimisht e kam ngritur shqetësimin tim se të gjithë asamblistët duhet të kenë kohë më shumë ta trajtojnë materialin në lidhje me mbledhjen dhe seancën ku duhet të trajtohen ato pika”, thotë Berisha. “Çdo vendim i rëndësishëm që jepet në fund të mandatit dihet që pikësynim e ka edhe pjesën elektorale. Domethënë, afektimin e votuesve të tij potencialë që nesër kur të mbahen zgjedhjet të reflektojë në votë. Kjo dihet”.
Edhe vetë brenda PDK-së ka pasur pakënaqësi.
Asamblisti Petrit Sinani, i cili në zgjedhjet e fundit lokale kishte garuar në listën e AKR-së, por ndërkohë ka kaluar në PDK, është ankuar se materiali për pronat ishte i palexueshëm.
“Normalisht që shtatë pika janë shumë dhe normalisht si çështje është e ndjeshme. Mirëpo, sikur materiali të na kish ardhë në formën siç duhet”, ka thënë Sinani në mbledhje. “Unë s’po muj me e lexu dhe e besoj që plot kolegë s’po mujnë me e lexu. Materiali është i palexueshëm komplet”.

Asamblistët votuan qorras, meqë dosjet që përmbanin vlerësimin e projekteve konkurrente ishin të palexueshme.
Në Komunë kanë pasur një justifikim edhe për këtë.
“Për arsye teknike, disa nga materialet nuk kanë qenë të lexueshme”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Në dosjet e shlyera ndodhej edhe dorëshkrimi i dy prej pesë anëtarëve të Komisionit, të cilët konstatonin se 4 prej 5 fituesve të pronave nuk i përmbushnin kriteret. KOHA e ka siguruar këtë dokument, pasi Komuna ka siguruar qasje të pjesshme në dosjet që lidhen me këtë proces të dhënies në shfrytëzim të pronave.
Në letrën në të cilën Komisioni pesëanëtarësh rekomandonte përzgjedhjen e fituesit, Safet Hoxha dhe Sabrije Kukaj kishin votuar kundër dhënies së të gjitha këtyre pronave. Ata kishin konsideruar se vetëm për pronën në Gllobarë, ku fitues ishte “Fer Petrol”, kriteret ishin përmbushur, dhe jo në rastet e tjera.
KOHA ka mësuar se Hoxha është suspenduar pas procesit të vlerësimit. Vetë ai ka refuzuar të flasë për procesin, ndërkaq në Komunë nuk kanë folur rreth masës së shqiptuar ndaj këtij zyrtari.
Komisioni kryesohej nga Flutura Avdiu, ndërsa anëtarë ishin edhe e deleguara e Kuvendit Komunal, Florentina Kukaj, si dhe Arben Kuliqi nga sektori joqeveritar. Nga vota pro e tyre ishin propozuar shfrytëzuesit e pronave.
KOHA ka pyetur se mbi çfarë aktivizmi në shoqërinë civile është bazuar Kuvendi Komunal kur e ka propozuar për anëtar të Komisionit vlerësues Kuliqin. Po kështu, e ka pyetur edhe se në çfarë organizate joqeveritare është i angazhuar ai dhe cili ka qenë aktivizmi i fundit që e ka bindur Kuvendin për ta propozuar e emëruar atë. Përgjigjja ka munguar.
Kuvendi i ka miratuar propozimet për t’i dhënë pronat në shfrytëzim, e kryetari Ramiz Lladrovci i ka firmosur kontratat pak ditë më vonë.
Prona kryesore për “IP Kos”
Por, çfarë përmbajnë projektet fituese?
Prona që kishte zgjuar më së shumti interes për t’u marrë me qira për 99 vjet është ajo në hyrje të qytetit të Drenasit, zonë e cila përbën pjesën më të frekuentuar. Parcela ka 17 mijë e 733 metra katrorë dhe ndodhet pak metra larg rrethrrotullimit që e lidh qendrën me dy arteriet kryesore – rrugën për Prishtinë dhe atë për Skenderaj.
Ishin gjashtë ofertues për parcelën që i është dhënë kompanisë “IP Kos”, e cila kishte konkurruar me projektin për ngritjen e një pompe karburantesh. Është pranuar ky projekt, ani se parcela ndodhet fare pak metra larg vendbanimit.
Projekti i “IP Kos” përmban zotimin për investim në vlerë prej 4.1 milionë eurosh dhe për punësimin e 120 qytetarëve. Në këtë kompani nuk kanë treguar se si do të realizohet ky punësim, në bazë të një projekti që parasheh ngritjen e një pompe derivatesh.
Për të njëjtën parcelë, vlerë më të lartë investimi ka pasur “Fer Petrol”, në projektin e të cilit ishte ndërtimi i një qendre tregtare. Ai kishte paraparë investim mbi 4.2 milionë euro dhe punësimin e 101 qytetarëve.
Biznesit fitues i është përshkruar se kishte sigurim bankar, por në fakt ai kishte një sigurim të nxjerrë në kompaninë “Siguria”, për periudhë 543-ditëshe. Vlera e sigurimit ishte 1.2 milionë euro.
Nga të gjithë konkurrentët për pronën në qytet, garanci bankare kishte vetëm “ELKOS”-i, biznes që kishte konkurruar me projektin për ngritjen e një qendre multikomplekse, që do të përfshinte: qendër për grumbullimin e produkteve të fermerëve të rajonit të Drenasit; ndërtimin e qendrës tregtare ETC dhe ndërtimin e qendrës ELKOS Center. Megjithëkëtë, ky investim parashihej të kishte vlerë përgjysmë më të vogël se dy kompanitë e tjera në garë.
ELKOS-i është ankuar në vlerësimin e Komisionit dhe ka konstatuar se ai ka bërë “vlerësim të gabuar të ofertave”.
Komisioni i ankesave, i cili përbëhej nga Armend Hajdini, Rinore Zymeri, Adem Bucolli, Sokol Bylykbashi e Alban Bujupi, e ka hedhur poshtë ankesën.
Por, ELKOS-i është shpallur fitues i një parcele në Komoran. Ajo ka sipërfaqe 3 mijë e 710 metra katrorë. Ishin gjithsej tre ofertues për të.
ELKOS-i ka fituar, ndonëse pasqyrën financiare e kishte prezantuar vetëm për një vit, ani se me kriteret e listuara në Thirrjen Publike kërkohej që personat juridikë të prezantonin pasqyrat financiare të audituara dhe qarkullimin bankar për pesë vjetët e fundit. Kompania kishte garancion bankar, e investimi i paraparë aty është 450 mijë euro, në të cilin projekt është paraparë të punësohen 29 qytetarë.
Veseli merr zonën më biznesore
E, pronën kryesore në Komoran e ka fituar Ragip Veseli, një biznesmen dhe zëvendëspresident i klubit të futbollit Feronikeli, kapiten i të cilit është djali i kryetarit Lladrovci.
Disa parcela janë bërë bashkë në një sipërfaqe prej 12 mijë e 111 metrash katrorë. Për këtë pronë, që ndodhet në pjesën kryesore biznesore në Komoran dhe e cila ka qasje në autostradë, ishin gjithsej tre konkurrentë.
Veseli, në projekt, është zotuar të bëjë investim prej 2 milionë eurosh dhe t’i punësojë 50 veta. Aty ka paraparë ta ndërtojë një pompë derivatesh dhe qiraja vjetore që e ka përshkruar është 726.66 euro si shumë vjetore. Ai nuk ka pasur garanci bankare, por në rubrikën e vlerësimit i ishte përshkruar se posedonte “Sigurim bankar”.
Pas kërkesës për qasje në dokumente publike, KOHA ka mundur ta shohë dokumentin, ndërsa një kopje e tij nuk është vënë në dispozicion. Në fakt, Veseli në dosje nuk ka përfshirë as garancion bankar dhe as siguri bankare sikur figuron në tabelën e vlerësimit, por vetëm një dokument të lëshuar nga kompania “Elsig”, që ka këtë titull: “Deklaratë e garantuesit, siguria e tenderit”. Kjo siguri tenderi është lëshuar vetëm për periudhën njëmujore, meqë ka pasur datë vlefshmërie nga 30.09.2020 deri më 30.10.2020.
Kur asamblistja opozitare Sabrije Kukaj kishte theksuar në seancën e Kuvendit Komunal se ai nuk e përmbushte kriterin për garanci bankare dhe se as pasqyrat financiare nuk e kishin bindur se mund ta realizonte projektin, fjalën e ka marrë një asamblist i PDK-së, që ishte në Komisionin e ankesave.
“Me përpikëri, të gjitha ankesat i kemi shqyrtu dhe analizu. Ne kemi marrë edhe një mendim nga Banka Qendrore, ku sigurimi bankar dhe garancioni bankar është i baraspeshuar dhe sigurimi bankar sigurohet për 30 ditë vetëm për ofertuesin, pastaj sillet sigurimi bankar i përgjithshëm, pas dhënies në shfrytëzim që ta garantojë investimin e investitorit”, ka thënë Adem Bucolli, pavarësisht se në thirrje kërkohej vetëm garancion bankar e jo dokument tjetër.
Ky asamblist është zyrtar për siguri në klubin e futbollit Feronikeli, në të cilin Veseli është zëvendëspresident. Në mbledhje ai nuk ka shtruar çështjen nëse relacioni që ka me Veselin e vë në pozitë të konfliktit të interesit. Në nenin 38, Ligji për vetëqeverisje lokale, kërkohet që “çdo anëtar duhet t’i shfaqë të gjitha konfliktet e interesit që lindin në çdonjërën prej mbledhjeve në të cilën është prezent”.
As Komuna nuk e ka parë këtë si problem.
“Më rastin e shqyrtimit të ankesave, z. Bucolli ka qenë vetëm njëri nga 5 anëtarët e Komisionit të ankesave dhe votimi në rastet e shqyrtimit të ankesave ka qenë unanim, pra nuk kemi të bëjmë me vendimmarrje vetëm të një personi dhe në asnjë rast e asnjë rrethanë z. Bucolli nuk ndodhet në konflikt interesi, sepse Ligji nr.06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik përcakton qartë rastet e konfliktit të interesit”, thuhet në një përgjigje të Komunës. “Në rast se z. Bucolli do të ndodhej në konflikt interesi, atëherë do të vepronte konform nenit 17 të po këtij Ligji”.
Për parcelën në zonën kadastrale në Gllobar, e cila ka sipërfaqe 6 mijë e 863 metra katrorë, fitues është shpallur “Fer Petrol”. Ishte vetëm kjo kompani që kishte bërë ofertë për pronën dhe është e vetmja për të cilën ka votuar unanimisht Komisioni përzgjedhës. “Fer Petrol” në ofertë kishte projektin për qendër edukative për komunikacion. Është zotuar për investime në vlerë prej 501 mijë e 743 eurosh dhe për punësimin e 37 personave.
Bazuar në platformën “Prokurimi i hapur”, të Lëvizjes FOL, “Fer Petrol” është kompania që më së shumti tenderë ka fituar nga Komuna e Drenasit, gjatë kohës sa Komuna qeveriset nga Lladrovci – plotë 26 sish, vlera totale e të cilëve është rreth 2 milionë euro.
Në dy nga shtatë parcelat për të cilat ishte bërë shpallja publike nuk janë përzgjedhur fare fituesit, nën arsyetimin se nuk kishte oferta që i përmbushnin të gjitha kriteret.
Shpresa te gjykata
E, për parcelat e dhëna tashmë do të ketë edhe procese gjyqësore, pavarësisht nënshkrimit të kontratave.
Filloreta Bujupi, pronare e firmës “Albioni”, që kishte ofertuar për pronën në Arllat me projektin për pompë derivatesh, por që nuk e kanë lënë të ofertojë dhe me të njëjtin projekt e kanë shpallur dikë tjetër fitues, thotë se çështjen e ka çuar në gjykatë. Ka bërë një padi në lidhje me vendimin si dhe një kallëzim penal për anëtarët e Komisionit vlerësues.
Në këtë parcelë që ka sipërfaqe prej 3 mijë e 746 metrash katrorë dhe e cila ndodhet në të dyja anët e autostradës, fare pranë degëzimit nga Prishtina për Prizren dhe Pejë, fitues është shpallur “IP Kos”. Oferta ka projektin për pompë derivatesh, përmban vlerën e investimit prej 350 mijë eurosh dhe zotimin për punësimin e 24 qytetarëve.
“IP Kos nuk kishte garanci bankare. Në fletën që përmban poentimin e ofertuesve i ishte përshkruar sigurim bankar, e në fakt kishte vetëm një “siguri të ekzekutimit” të lëshuar nga kompania e sigurimeve “Siguria”.
Nga tre konkurrentët, garancion bankar kishte vetëm kompania “Albioni”, e cila prej vitesh e kishte të njëjtën parcelë me qira. Ajo vetë kishte aplikuar me pompë derivatesh, por ishte detyruar ta ndryshonte projektin, meqë zyrtarë komunalë i kishin thënë se nuk lejohej të aplikohej me projekt të tillë, meqë, sipas Hartës së re Zonale, së paku 1 mijë metra larg vendbanimit duhet ndërtuar ato.
Pronarja Bujupi thotë se ende e ka aktiv garancionin bankar.
“Nëpërmjet kritereve të konkursit e kanë lypur garancionin bankar, madje garancion bankar ekzekutiv e ka lypur drejtoresha. Ka lypë me qenë auditimi i firmës dhe plani ideor i vërtetuar. Ne i kemi bërë të gjitha. S’i kanë marrë parasysh këto dhe ia kanë dhënë dikujt tjetër dhe e kemi iniciuar rastin në gjykatë”, thotë Bujupi. “Unë ende e kam garancionin bankar të bllokuar, e ata pa kurrfarë kriteri e kanë dhënë këtë pronë”.
Pretendimet e njëjta janë shprehur edhe në një ankesë që ofertuesi “Albioni” i kishte bërë. Në të theksohet se pas qasjes që Komuna ia ka mundësuar të ketë në dosje, kanë vërejtur që të dy kompanitë e tjera nuk i kanë plotësuar kriteret nëpërmjet të cilave kërkohej: “Për persona juridikë pasqyrë financiare të audituara dhe qarkullim bankar në pesë (5) vitet e fundit; Garanci bankare prej rreth 30 për qind të vlerës së investimit të projektit; dhe Projektin ideor”.
“Duke pasur parasysh pretendimet tona, rezulton se dy ofertuesit e tjerë të lartpërmendur janë të papërgjegjshëm dhe nuk i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, ndërsa duke e pasur parasysh faktin se ne i përmbushim të gjitha kërkesat e kërkuara nga ju dhe gjithashtu përmbushim edhe kushtim primar si oferta ekonomikisht më e favorshme, ne është dashur të shpallemi fitues të këtij konkursi publik”, thuhet në ankesë.
Komisioni i ankesave e ka hedhur poshtë ankesën, sikurse edhe të gjitha ankesat e tjera. Pas kësaj, për të pesë pronat Kuvendi Komunal ka votuar pa ndonjë debat. Ndërkaq, kryetari Lladrovci, javën e shkuar, i ka nënshkruar kontratat me përfituesit.
{gallery}