Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Bordit të këtij mediumi që votimi për drejtor të përgjithshëm të bëhet me votim të hapur.
Presioni për të votuar me vota të hapura që po i bëhet anëtarëve të Bordit, sipas kësaj sindikate, nuk shpjegohet ndryshe “përveçse përpjekje për manipulim të procesit”, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo sindikatë ka ftuar anëtarët e Bordit të RTK-së që të mos dorëzohen para presionit dhe shantazhit, dhe të njëjtat t’i bëjnë publike.
“SPRTK-ja kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të angazhohen që RTK-ja ta ketë një bord të pavarur, profesional dhe të pandikuar në punën e tyre. Më shumë se asnjëherë më parë kjo do të mundë të realizohet tani, pasi që pothuajse gjysma e Bordit të RTK-së janë në proces të rizgjedhjes”, thuhet në reagimin e saj.
Kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, ka mohuar të ketë presion ndaj anëtarëve, duke thënë se ky ka qenë propozim i njërit nga anëtarët e Bordit dhe se si të tillë e kanë votuar edhe anëtarët e tjerë. Sipas saj, çdo deklarim i palëve të cilat nuk janë të përfshira në proces përbën presion në vete.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)