Arbëri

Dyshime për keqpërdorim të pozitës, ndalohet kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi

Hekuran Nikci

Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, dhe u.d menaxheri i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, Naim Shalaku, janë ndaluar për 48 orë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe vepra të tjera. 

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Njësia e Policisë kundër Pastrimit të Parave ka intervistuar të dyshuarit, e më pas me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje. 

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, e njofton opinionin publik, se sot, me datë 27.02.2025, nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare – Njësia kundër Pastrimit të Parave në kuadër Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, janë intervistuar të dyshuarit Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit Qendror të Punës në Republikën e Kosovës dhe Naim Shalaku, U.D Menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Inspektoratin Qendror të Punës, të cilët me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.