Arbëri

Dyshime për keqpërdorim të parasë publike në projektin e Bibliotekës në Obiliq

Kallëzim penal është ushtruar të mërkurën, ndaj Komunës së Obiliqit, nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë.

Sipas tyre, në projektin e ndërtimit të bibliotekës së qytetit dyshohet se janë keqpërdorur më shumë se 40 mijë euro, duke krijuar dy situata të reja përtej vlerës së përgjithshme të kontratës.

"Jemi këtu para Prokurorisë për të dorëzuar një padi për keqpërdorimet që po ndodhin në Komunën e Obiliqit. Në fakt, padia sot ka të bëjë me ndërtimin e bibliotekës së qytetit që ne e konsiderojmë që ka një keqpërdorim mjaft të madh nga ana e Komunës së Obiliqit", tha Halil Thaçi, kryetar i qendrës së VV-së në Obiliq.

VV-ja pretendon se pos dëmeve materiale, ka pasur edhe shkelje të tjera ligjore.

Zyrtarët komunalë, sipas kallëzimit, kanë emëruar jashtëligjshëm menaxher të dytë të projektit.

"Konsiderojmë se këto veprime të autoritetit kontraktues, gjegjësisht të kryetarit të Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, janë të kundërligjshme dhe vepra penale sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi, për shkak se është bërë keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe si rrjedhojë është shkaktuar dëm i madh i pasurisë publike, gjegjësisht i buxhetit të Komunës së Obiliqit duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për veten e tij ose për personat e tjerë", ka deklaruar Sami Ahmeti, shef i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Obiliq.

Akuzat e Vetëvendosjes i ka mohuar Komuna e Obliqit, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

"Kryetari i Komunës nuk e favorizon asnjë operator ekonomik, dhe kontratat lidhen nga Zyra e prokurimit. Kryetari i Komunës me vendim cakton menaxherë të kontratave sipas kërkesave të drejtorive komunale të cilat realizojnë projekte të ndryshme infrastrukturore. Në projektin ‘Ndërtimi i Bibliotekës së Qytetit’ ka pasur mosmarrëveshje të mëdha në mes të operatorit ekonomik dhe menaxheres së projektit, Kaltrina Spahiu. Kryetari i Komunës pas analizimit të situatës me inxhinierët e Drejtorisë së Infrastrukturës e ka caktuar dhe një bashkëmenaxher", thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Obiliqit.

KOHA ka tentuar të kontaktojë me menaxheren e këtij projekti, Kaltrina Spahiu, e cila kishte dhënë dorëheqje nga kjo detyrë, por ajo ka qenë e paqasshme.