Një grip sezonal është vetëm një nga shumë faktorët që gjatë gushtit e ka dyfishuar numrin e pacientëve në QKMF-në e Lipjanit. Mjekët thonë se në rritjen e këtij numri ka ndikuar edhe ngritja e temperaturave, ardhja e mërgimtarëve dhe mosoperimi i një numri të ambulancave në fshatra, shkaku i pushimeve të mjekëve.
Gjatë muajit të fundit është dyfishuar numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.
Specialisti i mjekësisë familjare, Izer Sinani, i cili është koordinator për cilësi në QKMF-në e Lipjanit, ka thënë se mbi 500 pacientë po kërkojnë shërbime gjatë ditës në këtë institucion dhe mbi 220 të tjerë në Emergjencë. Ai ka përmendur arsyet që kanë çuar në rritjen e numrit të pacientëve.
“Në muajin korrik dhe gusht zakonisht një pjesë e pacientëve vijnë për shkak se një pjesë e stafit shëndetësor i shfrytëzojnë pushimet e tyre vjetore, pastaj ardhja e bashkatdhetarëve dhe temperaturat e larta. Po ashtu një arsyeje tjetër brengosëse është se shërbime në QKMF të Lipjanit kryejnë edhe një pjesë e pacientëve të cilët në vendbanimet e tyre i kanë institucionet shëndetësore”, ka deklaruar Sinani.
Sipas Sinanit, gjatë muajit të fundit është shfaqur edhe një grip sezonal, i cili më së shumti ka prekur fëmijët dhe të moshuarit.
“Fëmijët kanë vjellje, barkqitje, temperatura të larta, dhembje fyti dhe dhembje të barkut. Pleqtë vijnë për shkak të sëmundjeve të tyre kronike, si sëmundjet me zemër, shtypja e lartë e gjakut, problemet dhe vështirësitë në frymëmarrje astma, sëmundjet e tjera të mushkërive e tjera”, ka thënë ai.
Jeton Kadriu, një nga mërgimtarët që ka kërkuar shërbime mjekësore, ka thënë se prej disa ditësh së bashku me fëmijët po përballet me dhembje të barkut, temperaturë dhe vjellje.
“Kemi ardhur në pushime, por fëmijët kanë marrë gripa, temperaturë, ethe dhe u detyruam të vijnë në ambulancë”, është shprehur ai.
E të tjerë banorë ankohen se nuk u ofrohen shërbime në fshat.
“E kemi problem se të shtunën dhe të dielën pak kemi shërbime në Shalë. Nëse shkojmë në Komoran, aty na thonë se jeni të komunës tjetër dhe nuk bën të marrim shërbime. Sikur të kishte qenë 24 orë shërbimi në Shalë kishte me qenë më mirë, por varet edhe nga popullsia që po zvogëlohet”, ka thënë Jahir Shamolli nga Shala.
Mjekët kanë sugjeruar që në ditët sikur këto, kur temperaturat janë të larta, sa më shumë të konsumohet ujë dhe lëngje të tjera dhe t’i iket ekspozimit në diell prej orës 11 deri në 15.