U është shqiptuar masa e paraburgimit dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës pasi dyshohet se në nëntë raste qëllimshëm fshehën urdhrat për zbatim të dënimeve. Në një dokument të Prokurorisë, që e ka siguruar KOHA, shprehet dyshimi edhe për të përfshirë të tjerë në raste penale të kësaj natyre
Dy zyrtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës të arrestuar për korrupsion një ditë më parë dyshohet se qëllimshëm fshehën lëndët e disa të dënuarve dhe me këtë bllokuan ekzekutimin e dënimit ndaj tyre.
Në kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për paraburgim të të dyve, e të cilën e ka siguruar KOHA të enjten, theksohet se, për qëllim përfitimi, të pandehurit me inicialet D.H. dhe I.I. këtë praktikë e aplikuan në nëntë raste.
“Nga data 4.4.2022 deri më 26.1.2024, në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të pandehurit D.H., i cili mban pozitën si bashkëpunëtor profesional në zyrën e ekzekutimit të sanksioneve penale dhe i pandehuri I.I., në pozitën e referentit në Zyrën e Ekzekutimit të Sanksioneve Penale në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar të tyre, nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë dobi për të dënuarit e ndryshëm, si dhe duke i shkaktuar dëm sistemit gjyqësor”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë. “Të pandehurit me dashje e në mënyrë të kundërligjshme nuk kanë dorëzuar (kanë fshehur) urdhëresat e Gjykatës Themelore të Prishtinës prej nëntë lëndëve, të cilat e kishin për detyrë t’i ekspedonin tutje për ekzekutim, me ç’rast u kanë mundësuar të dënuarve që t’i shmangen mbajtjes së dënimit me kohëzgjatje të ndryshme apo pagesës së sanksionit penal apo kundërvajtjes”.
Në kërkesën e Prokurorisë arsyetohet nevoja për paraburgimin e të dy zyrtarëve të gjykatës, pasi theksohet se po të jenë në liri ka rrezik për ndikim te personat e tjerë, përfshirë edhe tek të implikuar eventualë të veprës së njëjtë penale.
“Me gjendjen në liri të të pandehurve do të mund të ndikonin në ndryshimin e deklarimit të tyre, rrethana këto të cilat tregojnë se janë plotësuar kushtet ligjore që ndaj të pandehurve të shqiptohet masa e paraburgimit dhe në këtë mënyrë të bëhet zhvillimi normal i procedurës penale”, thuhet në dokument.
Në gjykatën ku kanë punuar dy të paraburgosurit nuk ofruan të dhëna për rastin, nën arsyetimin se ai është nën hetim e sipër.
Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, atë të Pejës, të Prizrenit dhe në Themeloren e Gjilanit nuk treguan nëse ka raste kur punonjës të tyre janë dënuar për vepra penale të kryera gjatë detyrës zyrtare. Në atë të Gjakovës thanë se nuk ka raste, kurse në Gjykatën Themelore të Ferizajt treguan se dy zyrtarë të saj janë akuzuar: njëri për ryshfet e tjetri për prezantim të rremë. Të dyja rastet janë trajtuar në gjykata të tjera dhe jo nga ajo e Ferizajt.
“Në Gjykatën Themelore në Ferizaj kemi pasur dy raste të natyrës së tillë, të cilat janë të viteve 2014 dhe 2016: 1. Një punëtore e Gjykatës Themelore në Ferizaj, e akuzuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428, paragrafi 1 të KP-së, rasti me numër: P.nr.303/2013, i datës 21.01.2014, e cila është gjykuar në Gjykatën Themelore në Prizren; 2. Një punëtore e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, e akuzuar për veprën penale “Prezantimi i rremë si person zyrtar” nga neni 417, paragrafi 2 të KPRK-së, rasti me numër: PKR.nr.173/15, i datës 7.7.2016, e cila është gjykuar në Gjykatën Themelore në Gjilan”, ka thënë Gentiana Hoxha, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Në këtë gjykatë nuk treguan nëse këta persona janë dënuar. E burime të KOHËS thanë se këta persona nuk janë duke punuar në gjykatë.
E, Këshilli Gjyqësor dy zyrtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të dyshuar për korrupsion, i ka suspenduar nga puna.