E nisur para dy vjetësh, fusha sportive në fshatin Peran të Podujevës nuk është funksionalizuar ende. Për të janë nënshkruar dy kontrata, pasi e para në vlerë prej 70 mijë eurosh nuk mjaftoi për përfundimin e punimeve. E dyta ka vlerë totale prej 425 mijë eurosh, 90 mijë prej të cilave iu dedikuan vendosjes së barit të ri sintetik, pasi ai i hequr nga stadiumi “Zahir Pajaziti”, u largua pas konstatimit të dëmtimeve. E nga opozita dhe banorët u adresuan kritika rreth vonesave në finalizimin e punimeve
Janë bërë dy vjet dhe janë nënshkruar dy kontrata prejse ka nisur ndërtimi i fushës sportive në fshatin Peran të Podujevës, porse ajo ende nuk është funksionalizuar.
Procesi, që qysh nga fillimi u përcoll me ankesa të banorëve, ngeci shkaku i barit sintetik që u vendos në fushë, pasi u mor nga stadiumi “Zahir Pajaziti”, porse u hoq sërish si pasojë e konstatimit të dëmtimeve në të.
Xhafer Emini, përfaqësues i fshatit, ka shprehur vërejtjen për vonesën në funksionalizimin e fushës shkaku i barit.
“Qe dy vjet kjo u dashtë veç me u përfundua. Njëherë i kanë vendos, tash i kanë hjek, nuk e di a i qesin a çka po bahet me të nuk e di”, ka thënë Emini.
Kritikë publike shprehu edhe këshilltari komunal i LDK-së, Qëndrim Softolli, që i akuzoi zyrtarët komunalë se paguan dy herë për barin.
“Siç po e shihni, ky është bari sintetik për të cilin është paguar për të shtruar njëherë, pastaj është paguar së dyti pasi nuk ka rezultuar i suksesshëm. Kanë kaluar 3 vjet dhe kjo fushë është në këtë gjendje”, ka deklaruar Softolli.
Në Komunë kanë thënë se me kontratën e parë, në vlerë 70 mijë euro, planifikohej ndërtimi i bazës, drenazhimi dhe më pas vendosja e barit sintetik të marrë nga stadiumi “Zahir Pajaziti”.
Pajtim Balaj, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunë, ka deklaruar se në këtë bar u konstatua se janë shkaktuar dëmtime gjatë demontimit nga stadiumi dhe se nuk mund të shfrytëzohej.
“Në rrethana të tilla ne jemi detyruar që në kontratën e re për fusha sportive, kontratë dyvjeçare në vlerë 425 mijë euro ta përfshijmë edhe blerjen dhe montimin e barit të ri, bashkë me porta dhe elemente përcjellëse të fushës për shkak që rrethojat veçse i kemi siguruar me ndihmën e Federatës së Futbollit të Kosovës”, ka theksuar Balaj.
Ai ka thënë se kontrata e re prej 425 mijë eurosh përfshin finalizimin e 18 fushave sportive, dhe se mbi 90 mijë euro nga kjo shumë janë paraparë për blerjen dhe montimin e barit sintetik në këtë fushë.
Balaj është zotuar se fusha do të funksionalizohet sivjet, teksa paralajmëroi masa që parashihen me Ligjin për prokurimin publik, po që se operatori ekonomik nuk i përfundon punimet në kohë.
E në vizitën që ekipi i KOHËS i bëri kësaj fushe gjatë javës që shkoi, nuk pa se po bëheshin punime.