Arbëri

Dy vëllezër, dy kompani - shumë hetime e aktakuza dhe një dënim për falsifikim

Hetime, aktakuza e edhe dënime lidhën me emrat e kompanive “Sallahu” e “Sa Sallahu”, të cilat herë funksionojnë bashkë e herë veç, e veç, por që pronarë kanë personat e njëjtë. Këto kompani paguhen nga buxheti i shtetit për investime kapitale në vlera të mëdha. Por, mbrapa tyre është një historik penal i gjatë

E gjatë është lista e rasteve penale ku janë të përfshirë vëllezërit Naim e Lulëzim Sallahu, e që kanë të bëjnë me kompanitë “Sallahu” dhe “Sa Sallahu”.

Në dosjet penale të hetuesisë figurojnë dy kompani me emra të ndryshëm. Njëra “Sallahu” me pronar Lulëzim Sallahun e tjetra “Sa Sallahu”, që KOHA nuk ka rritur ta gjejë në Agjencinë e Regjistrit të Bizneseve.

Javën e kaluar, Prokuroria në Pejë ngriti aktakuzë për mashtrim në prokurim publik e keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër kompanisë “Sallahu”, pronarit të saj, Lulëzim Sallahu si dhe zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebi Luzha, në lidhje me kontratën për sanimin e rrugës Pejë-Rugovë.

Kur vitin e kaluar KOHA pati raportuar për këtë projekt në ekskavatorët që ishin në punishte shkruante “Sa Sallahu”.

Kjo kompani po e kryen edhe projektin kapital “Rruga A” në Prishtinë.

Në nëntorin e vitit të kaluar kundër kësaj kompanie, Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë, po ashtu për mashtrim në prokurim publik e falsifikim. Në aktakuzë përveç për kompaninë “Sa Sallahu” si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara, u akuzuan edhe  Luzim Sallahu si aksionar i kësaj kompanie dhe Naim Sallahu.

Kontrata për të cilën prokuroria i ka akuzuar ka të bëjë me rikonstruimin e Rrugës Rajonale “R115”, Segmenti Prizren-Prevallë.

Gjykimi ka filluar, por nuk ka përfunduar.

Fitues i kontratës për “Rrugën A” është kompania “Sallahu”. Por edhe këtu në punë janë parë ekskavatorët, në të cilët shkruan “Sa Sallahu”.

Para se Lulëzim Sallahu, ta marrë në pronësi kompaninë “Sallahu”, ajo ishte në pronësi të Naimit. E ai në një rast me Ministrinë e Infrastrukturës, akuzohet për mashtrim në prokurim publik e falsifikim.

Sipas kësaj aktakuze, Naim Sallahu në pozitën e pronarit të kompanisë “Sallahu” ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë-Kuqishtë, lokacioni Drelaj”. Për këtë rast, ai ngarkohet me veprën penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.

Naim Sallahu, më 2018, ka pasur aktakuzë edhe për punët që ishin kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës. Ngarkohej me veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, pasi në rastin e paraqitjes së ofertës në Ministri ka paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor, kinse i ka kryer obligimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Për këtë akuzë Naim Sallahu e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me gjobë në shumën prej 3.000 euro, të cilën e ka paguar.

KOHA ka parë dokumente ku kompanitë “Sallahu” e “Sa Sallahu” figurojnë si kompani të ndryshme.

Këto dy kompani janë duke kryer projekte të rëndësishme, sidomos ato që kanë të bëjnë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën e Prishtinës.

KOHA i ka nisur pyetje kompanisë “Sallahu”, pasi i është ngritur aktakuza e fundit nga Prokuroria në Pejë, por nuk ka marrë përgjigje.

Kompania është pyetur edhe për rastet që kanë përfunduar ose që janë në procedurë. Në e-mailin e kompanisë “Sallahu” janë dërguar pyetje edhe për historitë penale të Naim e Lulëzim Sallahut, pasi vitin e shkuar kjo kompani ishte përgjigjur për të dy.

Në këtë kompani nuk u janë përgjigjur pyetjeve konkrete, por kanë thënë se artikujt e KOHËS janë të porositur e tendenciozë.