Në katër ditë janë regjistruar 344 aksidente, nga të cilat dy persona kanë mbetur të vdekur e 132 të tjerë kanë pësuar lëndime. Në Polici e ndërlidhën numrin e lartë të aksidenteve me kushtet e pavolitshme atmosferike që mbizotëruan ditëve të fundit. E njohës të çështjeve të komunikacionit apeluan për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me lagështinë që e krijon mjegulla
Dy persona kanë vdekur e 132 të tjerë kanë pësuar lëndime në 344 aksidente të trafikut që kanë ndodhur brenda katër ditëve të parë të vitit 2025.
Aksidentet me fatalitete janë shënuar të shtunën. Njëri në aksin rrugor Lipjan-Shtime, ku mbeti i lënduar edhe një person, ndërsa tjetri në fshatin Prelez i Jerlive në Ferizaj, me ç’rast nga vetaksidenti mbeti i vdekur një 37-vjeçar.
Policia ka dhënë disa informacione për aksidentin në rrugën Lipjan-Shtime, dhe ka bërë të ditur se ka ndodhur në afërsi të fshatit Grackë e Vogël, ku u përfshin dy vetura dhe një kamion.
Personi i lënduar është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
“Për shkak të aksidentit janë krijuar vështirësi qarkullimi në segmentin rrugor Lipjan-Shtime-Topliqan-Bujan. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit dhe ridrejtimin e trafikut, si dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti”, ka njoftuar Policia.
Në Polici e kanë ndërlidhur shtimin e numrit të aksidenteve të komunikacionit me kushtet e pavolitshme atmosferike që kanë mbizotëruar gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
E njohësi i çështjeve të komunikacionit, Menduh Halili, thotë rrezikun për aksidente e rrit veçanërisht lagështia që krijohet nëpër rrugë si pasojë e motit me mjegull.
“Prej kushteve atmosferike... mundet me qenë pjesa e aksit rrugor ose pjesa e shtresës së asfaltit të rrugës ku paraqitet lagështia. Kjo lagështi është si proces që lind nga mjegulla, nga lagështia e ajrit që paraqitet në sipërfaqen e tokës dhe kjo ndikon në elemente të sigurisë rrugore”, ka thënë Halili.
Ai ka dhënë disa rekomandime që shoferët duhet t’i zbatojnë për të shmangur aksidente.
“Shoferët janë të obliguar që për elemente të sigurisë rrugore të aktivizojnë dritat e shkurta në kombinim me dritat e mjegullës që me rreze veprimi janë më së gjati 35 metra dhe në anën tjetër duhet të kenë të ndezura dritën e mjegullës në pjesën e pasme. Elementi i tretë që duhet me pas në konsideratë duhet të rritet distanca e sigurisë mes mjeteve”, ka thënë Halili.
Gjatë gjithë vitit të shkuar, sipas të dhënave të Policisë, kanë ndodhur 20 mijë e 500 aksidente të komunikacionit. Si pasojë e tyre, 92 persona kanë mbetur të vdekur e 13 mijë e 970 të tjerë kanë pësuar lëndime.