Arbëri

Dy të arrestuar, dyshohen se mashtruan familjen për 100 mijë euro për shërim të paguar nga shteti

Dy të arrestuar, dyshohet se mashtruan familjen për 100 mijë € për shërim të paguar nga shteti

Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit duke kërkuar 100 mijë euro nga një person për shërimin e një familjari të tij në një spital në Stamboll, edhe pse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar për rastin të enjten duke bërë të ditur se ka realizuar bastisje në zyrat e një subjekti ekonomik në Prishtinë.

“Dyshimet lidhen me mashtrimin e një qytetari që i është kërkuar një shumë mbi 100,000 (njëqind mijë) euro për shërimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll, ndonëse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Gjatë bastisjes, janë siguruar dokumente dhe pajisje si prova tjera”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit I.P. dhe A.B. janë ndaluar për 48 orë. Një i dyshuar tjetër është në kërkim.

Policia ka thënë se po vazhdon hetimet për të zbardhur rastin plotësisht dhe për të siguruar drejtësi për viktimat e mundshme.

Në vitin 2022, KOHA pati botuar serinë e teksteve “Abuzimi me fondin për trajtim jashtë institucioneve publike”. Seria pati shpërfaqur dyshimet për keqpërdorim të miliona eurove të shtetit në emër të trajtimit të pacientëve të sëmurë shumë rëndë. Miliona euro u ishin paguar spitaleve private e edhe atyre jashtë shtetit për sëmundjet që nuk trajtoheshin në sistemin publik të Kosovës. Shteti pati dështuar të kontrollonte programin, dokumentet s’ishin bërë asnjëherë publike dhe nuk dihej se ku shkonin paratë. Ka pasur raste të raportuara kur shuma ishte paguar edhe nga shteti e familjarëve të pacientëve u ishin kërkuar po ashtu para nga spitale. Këtu bënin pjesë edhe spitale në Turqi.