Arbëri

Dy shtete me mosmarrëveshje politike, në Washington për çështje ekonomike

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, do të nisin të enjten në Washington. Kosova kërkon dialog politik që rezulton me njohje ndërsa Serbia është shprehur se nuk do të diskutojë për njohje. Zyrtarisht, dihet se do të ketë diskutime vetëm mbi çështjet ekonomike.

Blerim Latifi, Ligjërues i Filozofisë Politike, në një përgjigje për KOHËN hedh dyshime se në Washington do të diskutohet vetëm për çështje ekonomike, megjithëse të martën, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, Donald Trump, tha se “SHBA-ja nuk ka plan sekret për Kosovën dhe Serbinë”.

“Është deri diku e çuditshme që dy shtete të cilat kanë një mosmarrëveshje të madhe politike, me rrënjë historike, ftohen në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar çështje ekonomike. Mbase kjo është një eufemizëm ekonomik për thelbin politik të problemit. Kjo mbetet të shihet nga nesër se a është kështu, apo në të vërtetë krejt ajo çka do të ndodhë në Uashington do të jetë një pako ekonomike për të dy fqinjët që janë në sherr me njëri tjetrin”, u shpreh Latifi.

Latifi: Kemi nevojë për zgjidhje politike

Kosova dhe Serbia, prej takimeve të para të procesit të dialogut nuk kanë sjellë diçka të re, veçse procesi është zvarritur tash e sa kohë.

Latifi thotë se nga përvoja historike, dihet se zgjidhjet ekonomike nuk janë kompensim për zgjidhjet politike.

“Zgjidhjet ekonomike rëndom bëhen për t’i afruar dy shtete, ndërkaq ne kemi nevojë për një zgjidhje politike që na largon njëherë e përgjithmonë nga konflikti me Serbinë. Sidoqoftë nisur nga fakti se informatat që kemi mbi agjendën konkrete të bisedimeve janë fare të pakta, nuk na mbetet tjetër përveçse të shohim realisht se çfarë do të ndodhë”, thekson tutje Latifi.

Gjermania në anën tjetër kërkon normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, por diskutimet në SHBA nuk do që t’i analizojë. KOHA ka pyetur në qeverinë gjermane se çka presin nga diskutimet në SHBA.

Gjermania për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së

“Qeveria federale gjermane vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Qëllimi mbetet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’u shërbente popullatave në të dy vendet dhe do të kontribuonte në stabilitetin në rajon. SHBA-ja është një partner i rëndësishëm kur bëhet fjalë për mbështetjen e stabilitetit në Ballkan. Por ju lutem të na kuptoni që nuk mund të komentojmë mbi diskutimet e ardhshme në SHBA”, tha në një përgjigje për KOHËN një zyrtar gjerman në kushte anonimiteti.

Profesori Blerim Latifi, këtu vlerëson se Gjermania është e interesuar që çdo sukses në rastin e Kosovës të lidhet me politikën e saj të jashtme dhe të Bashkimit Evropian.

“Gjermania nuk ka besim tek administrata Trump. Kjo duket fare qartë. Gjermania është e interesuar që çdo sukses në rastin e Kosovës të lidhet me politikën e saj të jashtme dhe të Bashkimit Evropian. Është e qartë se gjermanët nuk mund të dalin hapur kundër dialogut në Uashington, por heshtja e tyre flet shumë për ndjenjat dhe qëndrimet e tyre në raport me këtë dialog”, thotë Latifi.

Latifi sqaron se viteve të fundit, sidomos gjatë administratës së Presidentit Trump, ka ekzistuar një klimë përgjithësisht e rëndësuar e mosbesimit dhe kundërshtive midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Kemi parë se si presidenti Trump më shumë ka kritikuar e akuzuar aleatët perëndimor, se sa shtetet autoritare të Lindjes. Kjo klimë mosbesimi brenda aleancës perëndimore, duket se është reflektuar edhe në kontekstin e çështjes së Kosovës dhe si rezultat tani kemi dy procese paralele të dialogut të Kosovës me Serbinë, që duket se zhvillohen pavarësisht njëra tjetrës, procesin e Brukselit dhe atë të Washingtonit”, shton tutje Latifi.

Sipas profesorit universitar, ekziston rreziku që ky paralelizëm do të ndikoj “që të mos ketë një avancim substancial në zgjidhjen e kontestit Kosovë- Serbi”, dhe sipas tij, rrjedhimisht të futemi në një periudhë të re paqartësie e konfuzioni, e cila do të mund të jetë shumë e dëmshme për ecjen përpara të Kosovës në konsolidimin e brendshëm si shtet dhe në përmbylljen e formimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

“Një aspekt tjetër shumë problematik e përbëjnë termat e referencës në këto dy procese paralele të dialogut Kosovë-Serbi. Europianët po flasin për normalizim të raporteve Kosovë- Serbi, ndërsa amerikanët për njëlloj normalizimi tjetër që mund ta quajmë normalizim ekonomik. Në të dy rastet shmanget çështja themelore e cila është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Serbia. Duket se si Uashingtoni ashtu edhe Brukseli e kanë ulur shumë shkallën e presionit ndaj Serbisë lidhur me çështjen e njohjes së Kosovës dhe këtë Serbia është duke e shfrytëzuar përmes angazhimit total në diplomacinë e minimit të pavarësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, vlerëson Latifi.

Dialogu Kosovë-Serbi rinisi në Bruksel më 16 korrik, pasi ishte bllokuar në 2018-n. Në takimet e zhvilluara në Bruksel, është diskutuar për bashkëpunim ekonomik, të zhvendosurit dhe të pagjeturit, por nuk u arrit ndonjë përparim në këto bisedime.

Me ndërmjetësim të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, Kosova dhe Serbia patën nënshkruar marrëveshjet për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostrada, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Pas takimit në Washington, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, takohen më 7 shtator në Bruksel.