Arbëri

Dy shkolla e një gjimnaz në Podujevë ndërpresin grevën

Një klasë në një shkollë në Kosovë

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, njoftoi në Facebook se nga nesër (të hënën) do të nisë procesi mësimor.

Ai deklaroi se nëpërmjet vendimit për t'iu kthyer mësimit, mësimdhënësit dëshmuan vullnet të sinqertë “në kryerjen e misionit fisnik”. 

Kjo u bë e ditur edhe nga shkollat “Xheladin Rekalu”, “Fan S.Noli” dhe Gjimnazi “A.Xhuvani”, që bënë të ditur nëpërmjet Facebookut ndërprerjen e grevës

“Konsiderojmë qe vendimi i djeshëm i Qeverisë ka krijuar rrethana të reja në të cilat duhet të reflektojmë pozitivisht të gjithë dhe të minimizojmë humbjet që shkaktohen nga greva për nxënësit, të cilët edhe ashtu janë prekur nga humbjet të cilat u shkaktuan në dy vitet e fundit nga pandemia me virusin Covid-19”, thuhet në njoftimin e tri shkollave.

“I përshëndes vendimet e shkollave të Komunës sonë që nga nesër të fillojnë me procesin mësimor dhe shpërndarjen e librave për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”, shkroi Fetahu.