Arbëri

Dy qendra të trajnimit të mjekësisë familjare në dry, shkak mospagesa e trajnerëve

Trajnerët e mjekësisë familjare që janë të akredituar nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe e që mbajnë ligjërata në specializimin e Mjekësisë Familjare, thonë se nuk janë paguar që nga dhjetori i 2022-s. Për këtë, ata gjatë javës së shkuar i kanë ndërprerë aktivitetet. Telashet me pagesa i kanë konfirmuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë pa dhënë shumë detaje

Dy nga tetë qendrat rajonale të trajnimit të Mjekësisë Familjare kanë ndërprerë aktivitetet e tyre për shkak të, siç kanë thënë, mospagesës së trajnerëve që nga dhjetori i 2022-s.

Për këtë veprim Qendra në Mitrovicë dhe ajo në Prizren kanë njoftuar Divizionin për Kujdes Parësor Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetin Specialistik të Mjekësisë Familjare.

Në disa komunikime që ka parë KOHA, thuhet se që nga data 3 qershor aktivitetet janë pezulluar deri në një vendim të dytë.

“Ky vendim është marrë për shkak të mosrealizimit të kërkesave të parashtruara më parë nga të gjitha QTMF-të. Arsyeja kryesore për këtë pezullim është se pagesat e rregullta ndaj trajnerëve nuk janë realizuar qysh nga dhjetori 2022, edhe përkundër deklarimeve se kjo çështje do të zgjidhet deri në fund të muajit maj 2024”, thuhet në  shkresën e qendrave të trajnimit të mjekësisë familjare.

Pagesat për këta trajnerë nuk janë përfshirë fare në Ligjin e ri të pagave.

Telashet me pagesa i ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë, porse nuk ka dhënë më shumë informacione.

“Aktualisht, si sfidë shihet pagesa e trajnerëve të mjekësisë familjare, mirëpo Ministria e Shëndetësisë me prioritet është duke marrë hapat konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ministria e Shëndetësisë është duke e trajtuar me prioritet çështjen e pagesave për trajnerët e  mjekësisë familjare. Aktualisht jemi në fazën e konsultimeve me zyrtarët përgjegjës në mënyrë që të bëhet një zgjidhje në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Programi i Specializimit i Mjekësisë Familjare që nga viti 2005 është i vetmi specialistik i akredituar ndërkombëtarisht nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe.

Ekspertë të këtij kolegji bëjnë monitorimin dhe mbikëqyrjen e rrjedhës së këtij programi në Kosovë.

Udhëzimi Administrativ për shkollim specialistik parasheh që ligjëratat në specializimin e Mjekësisë Familjare të mbahen nga trajnerët e Mjekësisë Familjare të akredituar.

KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë nëse mospagesa e trajnerëve do të rrezikojë tërheqjen e akreditimit ndërkombëtar, porse në këtë institucion thanë se janë në pritje të raportit final nga ekspertët britanikë për riakreditim.

Lidhur me mospagesën e këtyre trajnerëve nuk ka kthyer përgjigje as Ministria e Financave.