Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve parlamentare dhe miratimit të procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten do të shqyrtojnë propozimin e 40 deputetëve të opozitës për caktimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Përplasjes së deritashme se a ka qenë e duhur forma e inicimit të komisionit nga opozita i është shtuar propozimi i pushtetit, Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për formim të komisionit hetimor mbi energjinë për të gjithë sektorin e energjisë, që nga paslufta e deri tash.
Mosvotimi i propozimit të nismës së opozitës ka bërë që tri partitë opozitare, PDK, LDK e AAK të bojkotojnë punimet e Kuvendit deri tash.
Pushteti e pati kundërshtuar iniciativën duke thënë se PDK-ja ka marrë nënshkrime nga të gjitha grupet parlamentare dhe ka iniciuar këtë kërkesë duke mos lënë hapësirë për një grup të vetëm parlamentar joinicues që të udhëheqë me komisionin, ashtu siç përcaktohet, meqë koalicionit qeverisës nuk i lejohet.
Opozita ka kundërshtuar ndërrimin e formës së inicimit të komisionit.
Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje procedoi kërkesën për themelimin e komisionit hetimor për energjinë për të gjitha zhvillimet që nga paslufta.
Seanca e së enjtes nis në orën 10:00. Në rend dite janë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare, zgjedhja e një anëtari i Bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve, zgjedhja e tre anëtarëve të KGJK-së dhe formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në OSHP.