Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt që përdoret për trajtimin e diabetit. Kjo këmbëngulësi e MSH-së ka aktivizuar jo një, por dy prokurori, përkatësisht Specialen dhe Themeloren, për të hetuar mosnënshkrimin e tenderit nga sekretari Naim Bardiqi e ministri Arben Vitia. Ligjërisht të dy prokuroritë nuk mund të merren me rastin e njëjtë
Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet kundër zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët për afro dy vjet kanë refuzuar të nënshkruajnë tenderin për insulina me kompaninë e cila ka fituar tenderin, por nuk ka certifikatë të cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit, kanë bërë të ditur burimet e KOHËS.
Publikisht, disa herë zyrtarët e MSH-së kanë deklaruar se nuk mund të nënshkruajnë kontratë për produkte që nuk përmbushin kriteret e cilësisë. E kriteri i Autorizim Marketingut – dokument që dëshmon cilësinë dhe sigurinë e barit është e paraparë edhe në Ligjin për Produkte e Pajisje Mjekësore, porse kjo nuk e ka penguar Organin Shqyrtues të Prokurimit që të vendosë në favor të kompanisë që nuk e plotëson këtë kriter.
Hetimi për mosnënshkrimin e kontratës për tenderin e insulinave është duke u përcjellë edhe me veprime të pazakonta – në të njëjtën kohë, për të njëjtin rast, janë aktivizuar dy njësitë kryesore të Prokurorisë së Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria Speciale.
Burime të KOHËS kanë treguar se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Krimeve Ekonomike, hetimin e ka nisur pasi ka pranuar denoncimin e kompanisë farmaceutike që nuk ka Autorizim Marketing. E para disa ditësh hetime kanë nisur edhe Prokuroria Speciale - jo për shkak të ndonjë denoncimi, por me vetiniciativë. Ajo është koordinuar për këtë rast me Taskforcën e Policisë së Kosovës, që është njësi elitë për hetimin e korrupsionit. Ligjërisht të dy prokuroritë nuk mund të merren me rastin e njëjtë.
KOHA ka provuar të kontaktojë zyrtarë të Prokurorisë Speciale, përfshirë edhe prokurorin e rastit, por nuk janë përgjigjur. E, edhe në të kaluarën kishte kërkuar përgjigje nga ky institucion për atë se si është vepër penale mosnënshkrimi i kontratave për barna, që janë në kundërshtim me ligjin kryesor që rregullon fushën e barnave.
Disa ditë pasi Prokuroria Speciale ka nisur këtë hetim, të premten e javës së kaluar, pas orarit të punës Organi Shqyrtues i Prokurimit ka dërguar urdhëresë për MSH-në që të procedojnë me këtë tender. OSHP-ja i ka dhënë MSH-së afat 5 ditë afat.
KOHA për këtë çështje ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi. Ai ka thënë të mos ketë njoftim zyrtar për hetimin.
“Personalisht nuk kam asnjë të vetmen informatë në lidhje më këtë. I kam dëgjuar kështu si thashetheme, por nuk kam diçka të bazuar në evidencë”, ka deklaruar Bardiqi.
Kontratat e vlerës së madhe, siç është ky tender, nënshkruhen nga sekretari i Ministrisë dhe ministri. Në këtë rast i bie që firmën në këtë kontratë duhet ta hedhin ministri Arben Vitia e sekretari Bardiqi.
Sipas Bardiqit, në fundin e vitit 2020, kur është hapur tenderi, ai nuk ka qenë sekretar. Por ka sqaruar se pas kthimit të tij në këtë pozitë ka ndërmarrë veprime që pamundësojnë që barnat pa certifikatë cilësie të kontraktohen nga shteti. Ai e ka përmendur dorëheqjen si opsion para nënshkrimit të kësaj kontrate.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, ashtu siç thashë edhe me parë, çdo nënshkrim i një kontrate të tillë do të jetë në kundërshtim me ligjin, prandaj është situatë jashtëzakonisht e komplikuar. Unë do të marr edhe informacionet profesionale nga departamentet respektive, mirëpo personalisht besoj që me parë do të ofroja dorëheqjen sesa të nënshkruaja kontrata, ku rrezikohet shëndeti i publikut”, ka thënë ai.
Në linjë të njëjtë është deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Javë me parë në një deklaratë për KOHËN ai pati thënë që është në MSH për të mbrojtur kualitetin e barnave.
“Fillimi i një kontrate deri në nënshkrimin e saj është një rrugë goxha e gjatë dhe OSHP-ja në këtë rast mendoj që duhet, që pavarësisht në cilën fazë është bërë gabimi, të thuhet që është bërë gabimi dhe ta gjykojë, por jo të japë rekomandime që ndonjëherë mendoj që janë jashtë pjesës së kompetencave të disa institucioneve që japin”, ishte shprehur Vitia.
Detyrimi për Autorizim Marketingu është i përfshirë në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Ky ligj është kryesori që e rregullon fushën e barnave në Kosovë.
Tenderi për furnizim me insulina, që përdoren për trajtimin e diabetit, është hapur në fundin e vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm Ardian Mehmetaj.
Prej vitit 2021, menaxherët aktualë të MSH-së kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketing. Siç ka mësuar KOHA ,kompania që po synon këtë tender as nuk ka aplikuar për dokument të tillë në Agjencinë e Barnave.