Arbëri

Dy persona japin dëshmitë për aferën “Grantet në Bujqësi”

Dy dëshmitarë janë duke u dëgjuar sot në seancën gjyqësore për aferën e njohur si ‘Grantet në Bujqësi’, ku i akuzuar është ish-ministri Nenad Rikalo, zyrtarët e lartë të Ministrisë së Bujqësisë Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka dhe zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri.

Dëshminë e para e ka filluar Fllanza Balaj Kurtishaj, drejtoreshë e Financave dhe Administratë të Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë.

Prokurorja Habibe Salihu që e përfaqëson këtë rast e ka pyetur dëshmitaren Kurtishaj për pjesëmarrjen e saj në grupin punues për program të veçantë, nga i cili program janë dhënë grantet për të cilat akuzohen të pandehurit.

Por dëshmitarja ka thënë që përkundër faktit se ishte në grup punues, ajo nuk ka marrë pjesë në hartimin e programit për këtë çështje, pasi që për një gjë të tillë ka parë një dokument të gatshëm.

‘Në atë takim ku kam qenë unë, nuk është diskutuar se kush e ka përgatit draftin. Është prezantuar si dokument, por jo hollësisht’, tha ajo.

E ka përsëritur se nuk ka kontribuuar në atë dokument.

‘Nuk e di kush e ka përgatitë. Ka qenë drafti i gatshëm”, ka thënë Kurtishaj.

Avokati i Nenad Rikallos, Milodrag Brkljaq e ka ballafaquar dëshmitaren me një procesverbal, në të cilën pretendohet pjesëmarrja e Kurtishaj në një takimet e punës për ‘Programin e Veçantë të Granteve’

"Lista është por nënshkrimi është me ndryshe se si e kam unë”, ka thënë ajo.

Dëshmia e saj ka zgjatur rreth dy orë. Ajo është sfiduar nga të akuzuarit e mbrojtësit e tyre në lidhje me buxhetin për këtë program. Gjatë përgjigjeve të saj, ish-sekretarit Kapllan Halimit i dukeshin përgjigjet e kësaj zyrtareje të lartë qesharake gjë që e ka bërë gjyqtarin, Mentor Bajraktari të ia tërheqë vërejtjen për sjellje në gjykatore.

Pjesa e dytë e gjykimit është duke vazhduar me dëshminë e dëshmitarit tjetër, po ashtu zyrtar i lartë në Ministrinë e Bujqësisë, Bekim Hoxha.

Hoxha është dëshmitar i Prokurorisë Speciale. Por deri tani në pothuajse shumicën e pyetjeve të prokurores speciale, Habibe Salihu ai është përgjigjur me frazën ‘Nuk e mbaj mend’ ose ‘nuk më kujtohet’.

Avokati i Nenad Rilako, Milodrag Brkljaq e ka pyetur Hoxhën se si ishte si ministër Nenad Rikalo. Hoxha që është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria Speciale e me të cilin kjo Prokurori pretendon që ta bindë trupin gjykues për akuzat e saj e ka lavdëruar ish-ministrin.

‘Sa i përket departamentin na ka mbështetur dhe e ka kuptuar sektorin’, ka thënë ai.

Hoxha është drejtor në Departamentin e Vreshtarisë dhe Verarisë në Ministrinë e Bujqësisë.

Ky rast ka nisur të hetohet pas një hulumtimi për këtë çështje të botuar në Koha Ditore rreth 3 vjet me parë.

Hetimi i Taskeforcës Kundërkorrupsion që është finalizuar në aktakuzë nga Prokuroria Speciale pretendon se të akuzuarit me qëllim që t’u mundësojnë përfitim në mënyrë të kundërligjshëm kompanive si: konzorciumit “ Novus” SH.P.K, për fitimin e grandit “Ndërtimi i tregut modern për prodhime bujqësore” në Prishtinë, konzorciumit “Dhemetra” SH.P.K për fitimin e grandit “Ndërtimi i fabrikës për prodhimin e plehut organit” (duke mos qenë fare në listën e projekteve të cilat mbulohen me financim përmes grandeve), koncorziumit “ DOO Zubin Potok” për fitimin e grandit “ Projekti për ndërtimin e investimeve në objektin për magazinimin dhe ruajtjen e frutave”, si dhe konzorciumit NTP “Arena Engineering” në Pejë, për fitimin e grandit “Prodhimi dhe përpunimi i mishit” në Pejë, me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural neni 5.1, neni 8, neni 13 paragrafi 1.2, neni 4, neni 14.2 Ligji 03/L098 për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, neni 8 dhe 9, rregullores ( QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e Kryeministrit.