Arbëri

Dy palë serbët e Kosovës

Serbia i do serbët edhe jashtë institucioneve për ta sfiduar seriozisht sovranitetin e Kosovës, por edhe brenda që të mos e humbë kontrollin brenda institucioneve të qeverisjes lokale, policisë e drejtësisë

Publikisht, Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë prej Kosovës.

Madje as pas marrëveshjeve me ndërmjetësim ndërkombëtar, me të cilat shtetit më të ri në Evropë i është njohur legjitimiteti i qeverisjes e edhe sovraniteti në mbarë territorin e saj.

Por Beogradi zyrtar, duke shkelur zotimet e nënshkruara, ka vazhduar ta minojë publikisht e tinëzisht shtetësinë e Kosovës, duke mos e përjashtuar edhe planin e kahershëm serb për ndarjen e Kosovës.

“Reduktimi” i planit të ndarjes

Nexhmedin Spahiu, analist politik nga Mitrovica, thekson se Serbia qysh në vitet nëntëdhjetë, ka pasur qëllim copëtimin e Kosovës.

“Minimumi që Serbia do të dëshironte ta merrte, do të ishte pjesën e Kosovës mbi Lumin Ibër”, thekson ai në urën në qytetin në veri të Kosovës.

Prej kësaj përpjekjeje nuk hoqi dorë në terren, paralelisht me zhvillimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve. E bëri shumë herë edhe me kthimin e barrikadave.

Megjithatë, pas nisjes së dialogut e marrëveshjeve të ndërmjetësuara në Bruksel më 2013, Serbia e Aleksandar Vuçiqit ua dha serbëve të Kosovës aminin për të garuar në zgjedhje për t’u bërë pjesë e qeverisjes lokale me kushtin që të monopolizonte përfaqësimin serb me Listën Serbe.

Bekim Salihu, nga Instituti GAP, thekson se edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës në vitin 2013, kryetarët e zgjedhur e kanë ushtruar pjesërisht mandatin sipas ligjeve të Kosovës.

“Kryesisht është marrë me strukturat paralele, madje ka qëndruar në objektin e strukturave paralele (të Serbisë,v.j.) dhe paradoksalisht, ndonëse në kundërshtim me Marrëveshjen e vitit 2013 të Brukselit, kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe të komunave të tjera të veriut, Qeveria e Serbisë nëpërmjet një vendimi i ka emëruar edhe si udhëheqës të zyrave administrative në komunat përkatëse”, thekson Salihu.

Monitorimi i GAP-it do të tregonte se komunat e qeverisura nga Lista Serbe nuk i krijuan qëllimshëm të gjitha institucionet e qeverisjes lokale.

Vuçiqi ngufati demokracinë e serbëve

Vuçiqi vazhdoi ta mbështeste fuqizimin e Listës Serbe për instrumentalizimin e trupës elektorale, duke përdorur burimet qeveritare financiare dhe kërcënimet e grupeve të ndryshme që vazhdonin të kishin pushtetin faktik në komunat me shumicë serbe.

“Prej momentit kur në pushtet ka ardhur Aleksandar Vuçiq, trupën elektorale e kemi të njëanshme, të udhëhequr nga bosat e Listës Serbe”, thekson Branislav Krstiq, gazetar e aktivist në veri të Mitrovicës. “Por ajo pjesa e dytë, aktivistët opozitarë dhe disa lëvizje opozitare, dhe partitë opozitare në veri, kanë qenë në pozitë të mos dëgjonin rekomandimet dhe këshillat e Beogradit zyrtar, me injoru këshillat e Listës Serbe, por edhe ata nuk kanë arritur në atë pozitë dhe nuk kanë pasur gjuhë të njëjtë me të pushtetit në Prishtinë”.

Edhe Salihu thotë se Lista Serbe ngufati demokracinë partiake në mesin e komunitetit serb në Kosovë.

Në zgjedhjet e vitit 2017, partitë serbe që nuk ishin nën tutelën e Beogradit zyrtar, pothuajse u heshtën për shkak të mungesës së konkurrencës politike në mesin e serbëve.

“Ne kemi parë se një kandidat për kryetar të Kllokoitit, pritej të fitonte në balotazh, dhe çfarë ka ndodhur ka qenë presioni i madh nga Lista Serbe dhe Beogradi që të kalonte në Listën Serbe pasi u pa se do të fitonte., kështu në raundin e dytë ka fituar si përfaqësues i Listës Serbe”, thekson Salihu.

Pse u tërhoqën serbët vetëm në veri?

Vitin e kaluar serbët u tërhoqën nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, si dhe nga shumica e atyre të pushtetit lokal në veri pasi Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e reciprocitetit për targat dhe nisi arrestimin e personave të dyshuar që cenuan rendin publik dhe të zyrtarëve shtetërore, duke arrestuar një ish-pjesëtar serb të Policisë së Kosovës. Përsëri u kthyen barrikadat dhe kundërthënshëm u shtynë zgjedhjet për katër komunat veriore. Por nuk dorëzuan dorëheqjet edhe përfaqësuesit politikë të serbëve dhe zyrtarët policorë e të drejtësisë në pjesët e tjera të Kosovës.

“Kështu që Serbia nuk dëshiron ta shohë situatën komplet jashtë dorës së saj në disa komuna”, thekson Salihu. “Dhe që të mos vinte deri te kjo që të gjitha komunat serbe të udhëhiqeshin nga partitë shqiptare, nuk i tërhoqi nga komunat e tjera”, shton ai, duke vlerësuar se nuk do të ishte në interes të Serbisë që të humbte kontrollin e plotë brenda pushtetit lokal, policisë e drejtësisë në jug të Mitrovicës.

Megjithatë, Vuçiqi po ngulmon në dialog që të gjitha përfitimet, përfshirë kryetemën e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përfshijë edhe komunat serbe në brendi të Kosovës.

“Vendimi i braktisjes së institucioneve në veri ke tepër i gabuar. Kush janë viktimat? Janë qytetarët e zakonshëm nga veriu i shtetit të Kosovës”, thekson Krstiq, duke fajësuar Serbinë dhe Kosovën për zhvillimet e fundit në veri që rezultuan me bojkotim të zgjedhjeve të fundit nga serbët.

“Referendumi” pa votim i serbëve

Krstiq mendon se kryeministri Albin Kurti gaboi kur nuk u tërhoq nga vendimet e tij për veriun e vendit. Po kështu, sipas tij, gaboi që nuk hoqi dorë edhe nga mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill, pavarësisht bojkotimit masiv nga partitë e votuesit serbë.

Krstiq thotë se bojkotimi i serbëve në fakt ishte një referendum, që do të duhej të alarmonte Qeverinë e Kosovës që po mundohet ta shtrijë sovranitetin në të gjitha fushat në veri. Ai mendon se Kurti e ndihmoi Vuçiqin që ta realizonte planin e tij me Listën Serbe në veri.

Salihu, në anën tjetër, thekson se Lista Serbe do të shkaktojë kokëçarje për aq sa do të jetë instrument politik i Beogradit në Kosovë.

“Në Graçanicë nuk mund të qarkullohet me targa ilegale, ndërkaq në veri, po. Në Graçanicë i nënshtrohet pagesës së tatimit dhe të rrymës e ujit, përderisa në veri jo”, thotë Salihu.

Ai mendon se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja do të ndihmojë për shtrirjen e vërtetë të sovranitetit të Kosovës në veri.

Krstiq thotë se nuk do të jetë e largët koha kur do të ketë përsëri zgjedhje dhe se bashkë me flamurin kombëtar serb në veri, do të valojë edhe flamuri i Kosovës, së cilës i referohet si shteti i tij.

Por menjëherë pas vendimit të Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut të enjten për ta hapur urën mbi Ibër, i ashpër ishte reagimi i Listës Serbe dhe i Beogradit zyrtar, që urën mbi Ibër nuk e do si pikë të bashkimit, por të ndarjes. Kjo parti politike që e ka kontrollin mbi serbët e veriut, kërcënoi me incidente, në rast se dikush përpiqet ta hapë urën.