Arbëri

Dy padi ndaj ZRRE-së

Përveç grupit protestues “Asnjë Cent Më Shumë”, edhe përfaqësues të komunitetit të bizneseve kanë paralajmëruar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, pas vendimit për shtrenjtimin e rrymës. Ata thanë se vendimi do të ketë ndikim edhe në çmimet e produkteve, si dhe do ta favorizojë importin

Dy padi janë paralajmëruar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1 për qind.

Njëra do të deponohet nga grupi protestues “Asnjë Cent Më Shumë”, menjëherë pasi ZRRE-ja ta publikojë vendimin për shtrenjtimin e energjisë.

Avokati i angazhuar nga ky grup, Ardian Bajraktari, ka bërë të ditur se përveç padisë, do të paraqitet edhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

“Po presim që sa më parë të publikohet në mënyrë që ta analizojmë dhe ta finalizojmë padinë sa më parë, përmes së cilës normalisht që do të kërkohet anulimi i këtij vendimi që është marrë me shkelje ligjore. Krahas padisë, natyrisht që do të paraqesim edhe masën për sigurimin e padisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për të cilin natyrisht që jemi të bindur që plotësohen kriteret ligjore për aprovimin e një propozimi të tillë ngase dëmet që u shkaktohen qytetarëve janë në formë zinxhirore dhe vështirë të riparueshme”, ka thënë avokati Bajraktari.

Një padi tjetër është paralajmëruar të ngrihet ndaj ZRRE-së, nga përfaqësues të bizneseve.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi, e arsyetoi këtë, duke thënë se tarifat e reja do të kenë pasoja për bizneset.

“Ne jemi duke menduar të shqyrtojmë mundësinë që edhe si biznese të padisim ZRRE-në dhe do të kërkojmë nga Kuvendi që me konstituimin e tij – sepse bordi i ZRRE-së është i emëruar nga Kuvendi, përkatësisht qeveria në pushtet e emëron Bordin e ZRRE-së – do të kërkojmë nga Kuvendi që të merren masa ndaj ZRRE-së”, ka thënë Krasniqi.

E, kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset do të detyrohen t’i ngrenë çmimet, shkaku i kostove shtesë që burojnë nga ngritja e tarifave të energjisë.

“Bizneset tona që prodhojnë dhe që shesin në tregun e brendshëm do të jenë të detyruara, jo prej qejfi por për shkak rritjes së çmimit të energjisë elektrike, që ta rrisin çmimin e produktit për shkak se është shpenzim operative dhe ndikon drejtpërdrejtë në kosto të prodhimit”, ka thënë Rafuna. “Produkti ynë kosovar do të jetë më i shtrenjtë për kosovarët, por edhe nuk do të jetë konkurrent në produktet e importuara. Çka do të ndodhë? Do të tkurret prodhimi dhe do të na rritet importi dhe do t’u shërbejmë prodhuesve të huaj për t’i eksportuar produktet e tyre në Kosovë”.

Vendimi për rritjen e tarifave të energjisë u mor më 16 prill nga ZRRE-ja dhe do të hyjë në fuqi nga 1 maji.