Në oborrin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor janë disa agjenci që lëshojnë profatura për pacientët që kërkojnë trajtim në Turqi e që shpenzimet i mbulon Fondi. Dy nga to janë pronë e të akuzuarit për korrupsion në aferën “Stenta”, Ali Hocaoglu. Punonjës të agjencive të tjera kanë thënë që Hocaoglu është kryesori. Gara mes agjencive është se kush e lëshon së pari profaturën. KOHA ka gjetur raste kur profatura lëshohet në mospërputhje edhe me fletëreferimet që i lëshon QKUK-ja
Fondi i Sigurimit Shëndetësor ligjërisht nuk bën marrëveshje për trajtimin e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendi. Këtë rol e kanë marrë agjencitë që janë “strehuar” karshi objektit të Fondit e që përfaqësojnë disa spitale private turke.
Proceduralisht, pacienti përpos fletëreferimit të nënshkruar prej tre mjekëve të QKUK-së, nëpërmjet të cilit dëshmohet që trajtimi nuk kryhet në spitale publike, në Fond duhet të dorëzojë edhe dy profatura.
KOHA gjatë hulumtimit ka qëndruar për shumë ditë në afërsi të këtyre agjencive. Shumica e pacientëve marrin të dy profaturat në njërën nga agjencitë. Fondi e zgjedh faturën më të lirë.
“Alia është topi”
Fondi i Sigurimit Shëndetësor gjendet me qira në një objekt privat banesor. Qiraja mujore është rreth 14 mijë euro. Njëra nga agjencitë ndërmjetësuese ka zënë vend mu pranë shkallëve të Fondit. Por nuk është e vetmja. Fondi është i rrethuar me shumë të tilla, që kanë ngritur “krye” aty nga viti 2018. Deri atëherë, me Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike ka menaxhuar Ministria e Shëndetësisë përmes Agjencisë për Financimin e Shëndetësisë. Por, në vitin 2018, me arsyetimin që “duhej të respektohej Ligji për Sigurime Shëndetësore”, Fondi i Sigurimit Shëndetësor u krijua si organizatë buxhetore e pavarur. Në kuadër të saj nisi funksionimi i Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike.
Një punëtor i njërës nga agjencitë ndërmjetësuese mes Fondit dhe spitaleve private ka treguar për KOHËN se si profatura nganjëherë është vetëm formalitet sa për ta fituar pacientin.
“Kushdo që ta lëshon faturën brenda dite, dysho tek ai, se mandej ndërron çmimi”, ka treguar ky punonjës.
Disa agjenci, sipas tij, profaturën e lëshojnë brenda disa minutash, pretendim që ngre dyshime se mjekët në Turqi fare nuk konsultohen për pacientin dhe e gjithë vlera e profaturës shkruhet aty për aty nga një punëtore administrative.
“Në disa agjenci të thonë hajt shko pije ni kafe, 30 minuta, e kthehu. Agjencitë e tilla bëjnë keqpërdorime”, pretendon ai.
Agjencia që ka më së shumti punë është karshi Fondit. Me shkronja të mëdha e ka të shkruar “Shërim në Turqi”. Dëshmitari tregon se personat që punojnë në Fond i këshillojnë të shkojnë tek “agjencia me shkallë” për të marrë profaturat.
E agjencia e vetme, objekti i së cilës ka shkallë është MD Consulting. Në faqen e regjistrimit të biznesit, pronar i saj del të jetë Ali Hocaoglu. Përveç MD Consultign, ai është pronar edhe i agjencisë që i qëndron përballë. Disa nga personat që punojnë në këto agjenci i kanë thënë KOHËS se pjesa më e madhe e pacientëve i marrin profaturat nga bizneset e Hocaoglut. Njëri nga ta ka deklaruar së “Alia është kryesori” dhe ka deklaruar së ai ka lidhje edhe brenda me Fond.
“Alia është topi. Ka edhe lidhje, ka edhe..., krejt taman ballkanski. E ka shtri zinxhirin. E ka qitë temelin. Alija është shpija, na jena dhomat, kauçi”, thotë ai.
Ali Hocaoglu është ish-drejtori i spitalit të dikurshëm International Medicine në Kosovë. Ai ishte i arrestuar në aferën “Stenta”, me dyshimet për korrupsion. Hocaoglu tashmë është i akuzuar. Për kohën sa ishte drejtor i spitalit IMH, akuzohet se ka korruptuar mjekë të sistemit publik me qëllimin që ata t’i referojnë pacientët për shërbime të zemrës në atë spital.
LEXO EDHE:
Prindi thirrje ministrisë: Ose bëni zgjidhje, ose fëmijët na kthehen në arkivole
Mashtrimi me transplantime, analiza laboratorike dhe shërbime “fiktive”
Kostoja e kimioterapisë - 40 mijë euro në profaturë, 120 mijë euro në faturën përfundimtare
Keqpërdorimi i milionave të shtetit në emër të pacientëve të sëmurë rëndë
KOHA ka provuar ta kontaktojë Hocaoglun, në numrin në të cilin është regjistruar në Agjencinë e Bizneseve, ka qenë në zyrat e biznesit të tij dhe i ka dërguar email, por nuk është përgjigjur. As agjencitë e tjera nuk kanë folur zyrtarisht.
Gara mes agjencive është e fortë. Secila përpiqet të sigurojë sa më shpejt profaturën. Për të marrë atë, agjencitë ua përcjellin spitaleve vetëm fletëreferimin e lëshuar nga QKUK-ja. Kjo, sipas punonjësit të agjencisë që ka dëshmuar për KOHËN dhe burimeve të tjera, ndërmjetësuesve u mjafton lëshimi i profaturës. Ata nuk ua përcjellin spitalit incizimet dhe rezultatet laboratorike. E nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor aprovohet profatura me çmimin vetëm në bazë të diagnozës.
I tillë është rasti i një fëmije të sëmurë me kancer të eshtrave, i referuar për trajtim jashtë vendit më 2019. QKUK-ja nuk kishte përmendur të dhënën që kanceri ia kishte prekur fëmijës palcën kurrizore. Por, me fletëreferimin e QKUK-së, një agjenci i kishte lëshuar profaturë për transplantimin e palcës kockore. Për këtë KOHA e ka pyetur Klinikën e Pediatrisë. Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Grajçevci, e mban mend rastin në fjalë.
“E kemi trajtuar në Kosovë si eeing sarcome (karcionomë e eshtrave), vetëm në stadin e katërt i dërgojmë për trajtim jashtë vendi dhe për atë dërgohet në ndonjë qendër të specializuar. Në bazë të incizimeve e kemi vërejtur që masa tumorale është rritë, sepse ne e patëm trajtuar me parë. Pra kemi parë relaps të sëmundjes-rikthim i sëmundjes”, ka thënë ajo.
Grajçevçi ka thënë se ata në fletëreferim nuk kishin cekur se çfarë procedure duhej të aplikohej.
KOHA ia ka prezantuar drejtoreshës së klinikës dokumentet - fletëreferimin që e ka lëshuar klinika më datë 18 maj 2019 dhe profaturën e lëshuar nga agjencia një ditë pas fletëreferimit e ku pacienti thuhej se do t’i bëhej transplantimi i palcës kurrizore. Kur gazeta e ka pyetur nëse mund të futej transplantimi në faturë pa analiza shtesë, ajo ka dhënë një tjetër version.
“Normalisht bëhen analiza shtesë, duhet të vlerësohet shkalla e tumorit, ma tutje kërkohen procedura të tjera”, ka thënë ajo, duke përjashtuar në mënyrë indirekte që mund të vendosej për transplantim pak orë pasi ishte lëshuar pacienti nga QKUK-ja.
Fëmijës, megjithatë, nuk i është bërë transplantimi. Mjekët atje kanë vendosur që për trajtimin e tij nuk ishte e nevojshme kjo metodë. Por, nga dokumentet e siguruara del që fatura që i ka mbërritur Fondit të Sigurimit Shëndetësor nuk ka pësuar ndryshime. Për të arritur shumën e 100 mijë eurove, aq sa kushton transplantimi, në faturë ishin shënuar shërbime të tjera.
Në pjesa më të madhe të profaturave për sëmundjet si leukemia, e për të cilat lëshon fletëzotim Fondi i Sigurimit Shëndetësor, vendoset çmimi i transplantimit nga donatori i huaj. Në shpjegimin e saj mbi praktikën e trajtimit të këtyre rasteve, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci, thotë se donatori i huaj vjen në konsideratë vetëm nëse asnjë anëtar i familjes nuk ka përshtatshmëri gjenetike me pacientin.
E nga rastet e shqyrtuara nga KOHA, përfshirja e transplantim nga donatori i huaj në profaturë bëhet për shkak se kjo kërkon vetëm disa orë procedurë pas sigurimit të fletëreferimit dhe diagnostikimit përfundimtar që e bën QKUK-ja. Ndërsa procedura me donatorë - familjarët e pacientit zgjat, meqë duhen bërë testimet gjenetike dhe ky proces merr më shumë kohë.
Operimi me paratë e mbledhura nga thirrjet publike
Gjatë hulumtimit, KOHA ka hasur edhe shumë raste që dëshmojnë së fletëreferimi shërben vetëm për ta dërguar fëmijën në Turqi. Shukrie Mulakut i ka vdekur djali në një spital turk. Ajo lavdëron stafin atje për shërbimin. Megjithatë rrëfimi i saj shpërfaq dallimin mes shërbimeve që i ishin përshkruar në profaturë dhe shërbimeve që ishin ofruar atje. Fëmijës së saj i ishte aprovuar profatura në vlerë të 120 mijë euro - përfshirë kimioterapinë dhe radioterapinë.
“Kur kemi shku në Turqi, mjeku na sugjeroi që nuk mundet djali me marrë radioterapi për shkak të moshës që e ka, nën moshën 2-vjeçare”, ka thënë ajo.
Si metodë trajtimi ishte parë operimi. Por në Kosovë nuk i është bërë e mundshme që të ndërrohej fletëreferimi, për pasojë operimi i këtij fëmije u mbulua me para të mbledhura nëpërmjet thirrjeve publike, ani që Fondi i Sigurimit Shëndetësor e ka obligim ta bëjë këtë.
“Mandej ne jemi detyruar vetë, në mënyrë vetjake, kemi qitë njoftimin tek të gjithë shoqëria jonë, familjarët, miqtë që i falënderoj pa masë që ma kanë mundësuar operimin e djalit në vlerë të 25 mijë eurove. E kemi operuar djalin. Pas 2 jave trajtim, veçse ia ka fillu kimioterapinë. Ka marrë tri kimioterapi, por nuk ia doli”, ka deklaruar Mulaku.
Një hulumtim disamujor i KOHËS për këtë fond ngriti dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë. Krejt kjo në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që nuk gjejnë shërim në Kosovë. Programi funksionon prej vitit 2005. Vlera e milionave që ndahen për këtë program nga viti në vit është rritur. Disa herë ka ndërruar legjislacioni për këtë çështje, por megjithatë, për programin pak dihet në publik.
(Në numrin e nesërm mund të lexoni: Çfarë shuma të parave u kërkojnë sekserët familjeve të pacientëve? Kush ka identifikuar shkelje të mëdha në Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe pse nuk u adresuan ato?)