Arbëri

Dy letrat që shembën përpjekjet për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

QUINT-i ka konstatuar pamundësinë për të gjetur një formulë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, pas dy letrave që mbërritën në Zyrën e BE-së, kopjet e të cilave i ka siguruar KOHA. Njëra është e zyrtarit Ndërlidhës të Serbisë, në të cilën nuk përmendet Qeveria e Kosovës, e as nuk kërkohej të lejoheshin zgjedhjet, por vetëm bashkëpunim për t’ia mundësuar OSBE-së mbledhjen e fletëvotimeve. Tjetra është e Kurtit, e në të cilën pasi janë listuar problemet me letrën e zyrtarit Ndërlidhës të Serbisë, është theksuar se nuk mund të përdoret asnjë model jokushtetues

Përmbajtja e dy letrave ka qenë përcaktuese për të shembur përpjekjet e QUINT-it për një zgjidhje rreth mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

E para është adresuar nga zyrtari ndërlidhës i Serbisë dhe homologut të tij kosovar i është përcjellë nëpërmjet Zyrës së BE-së në Prishtinë. E dyta e ka firmën e kryeministrit Kurti.

KOHA i ka siguruar të dyja.

Nëpërmjet letrës, kanal komunikimi Serbia ka përdorur zyrtarin ndërlidhës dhe jo Zyrën Ndërlidhëse.

“I nderuar zyrtar ndërlidhës i Kosovës, në përputhje me aranzhimet ndërlidhëse, ju lutem që t’i informoni autoritetet relevante qeverisëse të Kosovës se Serbia do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 3 prill 2022”, thuhet në paragrafin e parë të letrës së dërguar nga Beogradi. “Serbia i kërkon Kosovës që të bashkëpunojë për t’ia mundësuar OSBE-së organizimin e një operacioni të ‘mbledhjes së fletëvotimeve’, e cila do t’i lejojë votuesit me të drejtë vote që banojnë në Kosovë, që të votojnë ditën e zgjedhjeve”.

Në paragrafin e tretë dhe të fundit të kësaj letre të zyrtarit ndërlidhës të Serbisë, theksohet se ky shtet u kërkon autoriteteve relevante të Kosovës që ta lehtësojnë operacionin e “mbledhjes së fletëvotimeve”, duke përfshirë edhe atë në lidhje me lokacionet fizike të nevojshme për procesin e votimit.

Gjatë një interviste në KTV të enjten, kryeministri Kurti ka konfirmuar përmbajtjen e letrave dhe ka thënë t’i ishte bërë një kurth në atë të Serbisë.

“Praktikisht ata kanë përgatitur një si kurth në të cilën unë do të përfundoja duke mos e njohur Republikën e Kosovës”, ka thënë ai. “Pra, kushtetutshmëria e Kosovës dhe ligji në vendin tonë për mua duhet të respektohen pikë së pari nga vetë unë edhe në një komunikim të tillë”, ka shtuar ai, tek ka arsyetuar përcaktimin për të mos iu përgjigjur pozitivisht letrës së zyrtarit ndërlidhës të Serbisë.

Kryeministri Kurti i kishte shkruar vetëm shefit të Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog. Pasi e ka falënderuar për propozimin e Beogradit që ia ka përcjellë mbrëmjen e së premtes së kaluar, i ka shkruar se zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë mund të mbahen në Kosovë vetëm në përputhje me një marrëveshje ndërmjet dy qeverive përkatëse.

“Për këtë qëllim, ishim duke pritur një kërkesë nga Qeveria e Serbisë drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës. Zyrat ndërlidhëse (për dallim nga ‘zyrtarët’) janë vetëm mjete për bartjen e komunikimeve ndërqeveritare, jo zëvendësime politike apo institucionale të komunikimeve të tilla”, thuhet në letrën e Kurtit. “Për më tepër, Beogradi as që e përmend Qeverinë tonë, porse na quan “autoritetet relevante qeverisëse të Kosovës”.

Kreu i Qeverisë ka shkruar të jetë për keqardhje që, derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe QUINT-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të përgatisin dhe të organizojnë zgjedhjet në territorin e Kosovës sikur të mos ekzistonte Qeveria. Sipas tij, këtë ishin duke e bërë me financim nga Beogradi.

“Kjo mbase është arsyeja pse propozimi (në paragrafin e tij të parë) përcakton se zgjedhjet ‘do të mbahen’, në vend që të kërkojë që të mbahen, duke e marrë kështu si të mirëqenë kompetencën e Beogradit për të vendosur në lidhje me territorin e Kosovës”, thuhet në këtë letër të kryeministrit Kurti.

Ka pasur edhe një tjetër vërejtje për përmbajtjen.

“Në veçanti, Beogradi e përdor termin ‘votuesit me të drejtë vote’ për t’iu referuar serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. Mirëpo, kjo është sipas regjistrit civil të përcaktuar dhe të poseduar nga strukturat komunale ilegale të Serbisë në Kosovë, duke shkelur kështu Kushtetutën dhe ligjet tona”, thuhet në këtë komunikim të shkruar. “Është me rëndësi që kjo orvatje të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo të OSBE-së. Po ashtu, referimi i tyre te ‘votuesit me të drejtë vote’ dhe jo ‘votuesit jashtë vendit’, është në shpërputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Për kreun e Qeverisë, përpjekja për t’i nënçmuar Kosovën dhe institucionet e saj shtetërore, ka ndodhur në një kohë kur Beogradi është duke u treguar destruktiv në shumë drejtime: duke refuzuar të zgjidhë problemin e mospagimit të energjisë elektrike në veri të Kosovës; nëpërmjet mungesës së marrëveshjes për targat e Kosovës dhe Serbisë; duke emëruar struktura ilegale si komisionarë zgjedhorë; duke përdorur mjete administrative për të kryer spastrim etnik kundër shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc përmes deregjistrimit të tyre si banorë; dhe duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së dhe të SHBA-së kundër Federatës Ruse për agresionin e saj ushtarak dhe pushtimin e Ukrainës.

Letra e kryeministrit Kurti është përmbyllur me një falënderim dhe vlerësim për përpjekjet e vazhdueshme të BE-së dhe QUINT-it për të ndihmuar që të zgjidhet kjo çështje, të cilën e ka kualifikuar sfiduese.

Përgjigjja e kryeministrit Kurti nxiti reagimin e QUINIT-it, kërcënimin nga Beogradi zyrtar dhe protesta të serbëve në Kosovë.