Tridhjetë familje të lagjes “Kameraj” dhe “Doqi” të fshatit Jashanicë e Epërme të Klinës, së shpejti do të behën më rrugë të asfaltuara.
Sot kanë nisur punimet për përgatitjen e rrugës për asfalt 1.3 km e gjatë e cila do të krijojë lehtësi në qarkullim për nxënësit dhe banorët e këtyre dy lagjeve të cilët deri tash kanë kaluar nëpër një rrugë të dëmtuar.
Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka uruar banorët e Jashanicës për këtë projekt dhe ka thënë se të gjitha lagjet e fshatit Jashanicë do të behën më rrugë të asfaltuara dhe kanalizim për trajtim të ujërave të zeza.
“Ju kemi përkushtuar fshatit Jashanicë, asfaltimit të rrugëve dhe rregullimin e kanalizimeve për trajtimin e ujërave të zeza për ketë fshat i cili ka dhënë më së shumti në periudhën e luftës. Por jo vetëm në Jashanicë por edhe në shumë lokalitete tjera të Komunës së Klinës po punohet në shumë projekte. Jemi në vazhdimësi të realizimit të projekteve që i kemi premtuar dhe asnjë lagje e fshatit Jashanicë nuk do të mbetet pa rrugë të asfaltuara dhe kanalizim të ujërave të zeza”, ka thënë Bashota.