Arbëri

Dy kandidate për një pozitë në KPM, njëra nga fusha që s’parashihet në ligj

Gazetarja me përvojë dhe ish-anëtarja e KPM-së për katër vjet, Violeta Hyseni-Kelmendi, si dhe Teuta Hoxha-Morina, mësimdhënëse, janë kandidatet e zgjedhura nga komisioni ad-hoc. Neni 10.2 i Ligjit për KPM-në parasheh se cili është profili i personave që mund të jenë anëtarë të Komisionit të Pavarur të Medias dhe fusha që i përket Hoxha-Morina nuk figuron. Sipas burimeve të KOHË-s, subjekti politik në pushtet ka disponim të votojë kandidaten Hoxha-Morina, për shkak të afërsisë me partinë

Në seancën e së hënës, Kuvendi do të vendosë për njërën nga dy kandidatet për anëtare të Komisionit të Pavarur të Medias.

Violeta Hyseni-Kelmendi dhe Teuta Hoxha-Morina janë dy nga katër kandidatet që kanë marrë numrin më të madh të pikëve gjatë intervistimit nga komisioni ad-hoc.

Kandidatët e tjerë janë Luljeta Aliu dhe Nar Statovci.

Violeta Hyseni-Kelmendi është gazetare me më shumë se 15 vjet përvojë pune në gazetari dhe 4 vjet si anëtare e KPM-së.

E Teuta Hoxha-Morina ka studiuar letërsi dhe është mësimdhënëse në gjimnazin natyror, “Xhavit Ahmeti” në Gjilan. Hoxha-Morina ka kandiduar edhe për anëtare të Bordit të RTK-së para disa muajve.

Neni 10.2 i Ligjit për KPM-në parasheh se cili është profili i personave që mund të jenë anëtarë të Komisionit të Pavarur të Medias dhe fusha që i përket Hoxha-Morina nuk figuron.

“2. Anëtarët e KPM-së duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti, drejtësia, kinematografia, gazetaria, biznesi, menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie ndërkombëtare, media dhe teknologjia informative. 3. Anëtarët e KPM-së duhet të jenë individë me kredibilitet dhe autoritet të lartë njerëzor, profesional dhe moral. Gjatë punës së tyre, anëtarët e KPM-së duhet të jenë plotësisht të përkushtuar, objektivë dhe të paanshëm”, thuhet në Ligjin për KPM-në.

E sipas nenit 11 të këtij ligji, komisioni ad-hoc, pas intervistimit rekomandon dy kandidatë për çdo pozitë të anëtarit të KPM-së, për të cilët konsideron se janë më të përshtatshmit në bazë të kompetencave, përgatitjes profesionale, integritetit dhe përkushtimit të tyre për fushëveprimin e KPM-së.

E sipas burimeve të KOHËS, kandidatja Teuta Hoxha-Morina ka afërsi me subjektin politik në pushtet dhe kësisoj, LVV-ja ua ka rekomanduar deputetëve që ta votojnë atë.

Sipas ish-anëtares së KPM-së dhe tani kandidates për këtë post, Violeta Hyseni Kelmendi, Komisioni i Pavarur i Medias ka para vetes shumë sfida dhe është e domosdoshme që në institucione të tilla të pavarura të zgjidhen persona të pavarur dhe me përgatitje të duhur profesionale.

“Duke qenë vetë gazetare për më shumë se 10 vjet dhe pjesë e proceseve tepër të rëndësishme për katër vjetër si anëtare e KPM-së, përfshirë performancën që kam treguar, për mua do të ishte e natyrshme që në seancën e nesërme (e hënë v.j.) të kem mbështetje nga të gjitha grupet parlamentare. Mbështetja e kandidatëve që nuk kanë profilin e duhur as sipas Ligjit të KPM-së dhe as bagazh profesional në fushëveprimin përkatës, do të ishte zhgënjyese jo vetëm për mua, por do të ishte dekurajim i madh për të gjithë profesionistët që duan të kontribuojnë për zhvillimin e këtij vendi”, tha Hyseni-Kelmendi.

Televizioni është përpjekur të kontaktojë edhe me kandidaten tjetër, Teuta Hoxha-Morina, dhe të marrë një sqarim lidhur me profilin e saj si dhe afërsinë me LVV-në, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

Anëtari dhe deputeti nga radhët e LVV-së, Fitim Haziri, ka mohuar të ketë ndonjë mobilizim në Grupin Parlamentar për të votuar ndonjërën prej kandidateve.

“Jo nuk besoj që ka mobilizim të tillë siç po thuhet. Sepse, ne në LVV votojmë në bazë të rregullores që e kemi. Komisioni përzgjedhës ad-hoc, i cili ka qenë në Grupin Parlamentar i paraqet të gjitha rezultatet e të gjitha kandidatëve kush ka qenë dhe pastaj bëhet përzgjedhja e tyre. Nuk besoj që ka mobilizim. Nuk e di, të shohim tash rrjedha si do të shkojë nesër. Nuk mund të them për procesin e nesërm çka do të ndodhë. Ne kemi diskutuar, i kemi paraqitur argumentet tona dhe tash do të vendoset nesër, por nuk ka mobilizim të tillë qysh po flitet. Mua së paku askush nuk ka ardhur të më thotë se duhet me votu këtë ose këtë”, tha ai.

Por, lidhur me përgatitjen profesionale të kandidates Hoxha-Morina, ai duke komentuar nenin 10.2 të KPM-së, vlerësoi se nuk ka ndonjë ndalesë.

“Nuk e besoj që nuk i plotëson, përderisa aplikacionet janë dorëzuar dhe tash administrata e Kuvendit i ka vlerësuar se cila kandidate i ka plotësuar kushtet e cila jo. Nuk besoj që ka konflikt interesi në këtë rast te zonja që është mësimdhënëse. Përderisa ka kaluar filtrat edhe prej administratës së Kuvendit që e kanë hapur konkursin nuk besoj se ka konflikt interesi, sepse nuk do të kishte kaluar pa u vërejtur. Janë disa profile të cilat preferohen të jenë të profilizuara për të qenë anëtar i KPM-së e kjo përderisa është me edukim nuk besoj që ka ndonjë problem në këtë aspekt, sepse neni nuk ka mundur me i cek të gjitha ato, nuk d.m.th që të tjerat nuk bën. Nuk ka ndalesë në këtë aspekt”, shtoi ai.

Kryetarja e komisionit ad-hoc për zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, Ariana Musliu- Shoshi, ka thënë se gjatë intervistës nuk ka pasur ndonjë problem dhe se dy kandidatet me më së shumti pikë i janë përcjellë Kryesisë.