Arbëri

Dëshmitari e identifikon Gjokiqin si kryes të krimeve të luftës në Pejë

Për më shumë se një orë Fuad Hoxhaj nga Peja ka rrëfyer për përjetimet e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe momentet kur bashkë me familje ishte detyruar të braktiste shtëpinë e tij në mars të vitit 1999, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Aty për krime lufte po akuzohet Zoran Gjokiqi.

Hoxhaj që në periudhën e luftës kishte qenë 23-vjeçar, ka arritur ta identifikojë Gjokiqin i cili, sipas tij, kishte gjuajtur me armë disa herë në drejtim të veturës së dajës së tij Lutfi Hajzerit, raporton KOHA.

Lidhur me ngjarjet e 29 marsit 1999, në seancën e së enjtes ka dëshmuar edhe Lutfi Hajzeri. Ai ka thënë se në këtë ditë ndodhi spastrim etnik në Pejë nga forcat paramilitare serbe.

Zoran Gjokiqi akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar, i kanë plaçkitur, e dhe i kishin detyruar banorët që të dilnin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kishin vrarë.

Sipas aktakuzës, Gjokiqi ka ndaluar Skender Zeqirajn, Shaban Kaliqanin dhe Bashkim Berishën, të cilët më pas i ndau dhe me kallashnikov i ekzekuton Zeqirin dhe Berishën, derisa Shaban Kaliqani kishte shpëtuar, pasi i akuzuari i ishte drejtuar me fjalët “ngaj çka po pret”.

I vrarë kishe mbetur edhe Riza Mamaj, i cili ishte nisur me karrocë në dorë dhe ishte qëlluar me disa plumba në gjoks.