Arbëri

Dy dëshmitarë besojnë se i akuzuari për krime lufte Pleskoviq mori pjesë në vrasje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Millosh Pleskoviqit, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë. Një dëshmitar ka deklaruar se e pa të akuzuarin Pleskoviq dhe disa të tjerë që ishin të veshur me veshje ushtarake dhe mbanin armë të gjatë në dorë. Ndërsa një dëshmitar tjetër tha se i akuzuari Pleskoviq mund të jetë vrasësi

Dy dëshmitarë kanë dëshmuar në gjykimin kundër Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, në zonën e Prizrenit.

Mehmet Gashi e Isa Berisha nga Prizreni shprehën besimin në gjykatë se i akuzuari ka marrë pjesë në vrasjet për të cilat akuzohet.

Në pyetjet që prokurori special Ilir Morina i parashtroi, dëshmitari Mehmet Gashi tha se të akuzuarin Pleskoviq që iu referua si “Miki”, e mban përgjegjës për krime lufte gjatë luftës në Prizren.

“A e keni parë që Pleskoviqi e ka kryer këtë akt”, ka pyetur prokurori.

“Sipas mendimit tim, këta e kanë bërë se prej aty ku kanë qëndruar këta, nuk i ka 400 metra vijë ajrore ku janë vrarë personat, kështu kam deklaruar edhe në Polici”, është përgjigjur dëshmitari Gashi.
Dëshmitari Gashi tha se në lagjen në Prizren ku jeton, është fqinj me të akuzuarin Pleskoviq. Ai tha se këtë të akuzuar e disa të tjerë i ka parë disa herë, të armatosur e me uniforma ushtarake duke shkuar drejt kalasë së Prizrenit dhe kishës së serbëve.

“E kam parë duke shkuar malit me 8-9 persona, të gjithë me uniforma me maska. Ky pa maskë, me një shami në kokë. Këtë e kam parë, e tash me më dërgu me sy mbyllur e di vendin ku kanë qëndruar. Ai vendi ku kanë qëndruar është në mes të kishës serbe. Unë shtëpinë e kam afër rrugës dhe çdo ditë i kam parë duke shku malit përpjetë. Kanë pasur në duar armë të gjata. Dy vende kanë qëndruar, njërën në kala të Prizrenit, një në tokë të serbëve”, ka thënë dëshmitari Gashi.

Në Gjykatë kundër të akuzuarit Pleskoviq, ka dëshmuar edhe dëshmitari Isa Berisha. 

Ai tha se në bazë të fotografive, i akuzuari Pleskoviq e ka kryer vrasjen. 

Berisha ka theksuar se i akuzuari dhe disa të tjerë kanë qenë të veshur me veshje ushtarake e të armatosur, dhe se kanë qëndruar në qendër të Prizrenit.

“Në bazë të bisedave që i kam pasur edhe në bazë të fotos, unë personalisht nuk e kam parë që e ka bërë ky se ka qenë e pamundur me pa. Në bazë të dëshmitarëve dhe përshkrimit që e kanë bërë dhe në bazë të fotos që e kanë bërë në fytyrë, kam mundur me e verifiku që ky mund të jetë personi i mundshëm dhe e kam identifikuar që ky personi është dhe mundet me qenë vrasësi”, ka thënë dëshmitari Isa Berisha.  

Pyetje dëshmitarit Berisha i parashtroi edhe mbrojtja e të akuzuarit, të cilat i kundërshtoi prokurori special, Ilir Morina.

Pleskoviq akuzohet se gjatë vitit 1998-99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-99 në Prizren, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.