1 janari i 2024-s është data e fundit për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave. Më e afërta është ajo e nëntorit të 2023-shit, po qe se deri atëherë funksionalizohet sistemi digjital evropian ETIAS, që e bën evidentimin e vizitorëve që udhëtojnë pa viza në territorin e Bashkimit Evropian
Deri në ditën e fundit të tetorit apo më së largu të dhjetorit të 2023-tës, qytetarët e Kosovës do të jenë të detyruar që të presin në radhë para ambasadave të shteteve evropiane për t’u pajisur me vizat që ua mundësojnë udhëtimet drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE).
1 janari i 2024-s është data e fundit për hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave. Më e afërta është ajo e nëntorit të 2023-tës, po qe se deri atëherë funksionalizohet sistemi digjital evropian ETIAS, që e bën evidentimin e vizitorëve që udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së.
Republika Çeke, si vend kryesues i Presidencës së BE-së, e shtroi në tryezë një propozimin drejt jetësimit të liberalizimit të vizave për Kosovën deri në fundin e mandatit të saj. Bazuar në këtë propozim, liberalizimi do të finalizohej, fillimisht deri më 1 dhjetorin e 2023-tës dhe, me kërkesë të Francës, do të ndërlidhej me funksionalizimin e ETIAS-it. Ky variant i propozimit nuk pati marrë mbështetje. Spanja dhe të paktën një shtet tjetër paraqitën vërejtje. KOHA ka mësuar nga burimet se kërkesë e Spanjës, shtet ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ishte që hyrja në fuqi e liberalizimit të shtyhej për 1 janar 2024 për të mos përkuar me kohën kur ajo do ta mbante ende Presidencën e radhës të BE-së.
Mbështetur në afatet e përcaktuara në propozimin e ri, ambasadorët e vendeve anëtare në dhjetor i dhanë miratimin marrëveshjes së dakorduar më herët edhe midis përfaqësuesve të Parlamentit dhe të Këshillit Evropian.
Marrëveshja tani pritet që gjatë pjesës së parë të 2023-tës të votohet në Komisionin për Drejtësi dhe Liri Qytetare (LIBE) dhe më pas edhe në një seancë plenare të Parlamentit Evropian (PE).
Ndërlidhja e vizave me veriun
Liberalizimi i vizave për Kosovën, bazuar në propozimin çek, ishte paraparë të trajtohej një javë para 30 nëntorit. Çështja u heq nga agjenda e takimit në nivel të grupit punues të BE-së për viza të 23 nëntorit, si rrjedhojë e zhvillimeve në veriun e Kosovës. Kjo do ta përbënte herën e parë që liberalizimi të ndërlidhej me politikën, ani se në BE këto dy çështje përherë proklamoheshin si të ndara prej njëra-tjetrës.
Shtyrja u përmbyll me marrëveshjen që në Kosovë u kualifikua si historike.
Dritën e gjelbër për heqjen e regjimit të vizave më së voni deri më 1 janar të 2024-s kryeministri Albin Kurti arritjen ia atribuoi qeverisjes së tij.
“Kriteret teknike vërtet ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por, ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot”, ka shkruar Kurti në një status në rrjetin social Facebook. Vendimi u mirëprit nga diplomatët e akredituar në Prishtinë, përfshirë ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde. Por “kundërproduktiv” u kualifikua nga Serbia.
Vetëm një ditë pas marrëveshjes, deputeti holandez i PE-së, Thijs Reuten, u emërua raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai e bëri zotimin se PE-ja “në asnjë mënyrë s’do të bëhet shkaktar për të krijuar vonesa të reja në procesin”.
Mbështetja çeke
Presidenca Çeke e BE-së ishte e para që ka nxjerrë një propozim konkret mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon, i pati adresuar thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shfrytëzojë mundësitë që i ofrohet gjatë Presidencës së Republikës së Çekisë, sepse më pas “gjërat do të vështirësoheshin për Kosovën”.
“Duhet ta kuptoni se çfarë është më mirë për vendin. Nëse është më mirë të kërkohet gjithçka apo të kërkohet 90 për qind, p.sh. unë do të rekomandoja që në Kosovë të pranohet ai 90-përqindësh sesa të mos merret asnjë gjë. Kjo është një mundësi që Qeveria të shikojë përderisa krahët e djathtë në BE të marrin më shumë pushtet, ngase gjërat do të bëhen më të vështira. Përderisa Presidenca e BE-së do të kalojë nga Suedia te Spanja, a do t’i lehtësojë kjo gjërat? Nuk e besoj. Kështu që gjithçka që do të arrihej tani do të ishte zgjidhje më e mirë se gjithçka që shtyhet”, ka thënë Von Cramoni gjatë një konference për media të mbajtur në Prishtinë gjatë tetorit.
Krahas zotimit për përmbylljen e procedurave për liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë mandatit të saj në BE, nga Çekia u ofrua mbështetje edhe rreth nismës për anëtarësim në BE.
“Është nder për mua si kryetar i Këshillit të BE-së të pranoj aplikacionin e Kosovës. Na vjen mirë që kemi arritur ta avancojmë tutje çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Na vjen mirë që është arritur konsensusi i Këshillit me Parlamentin Evropian për këtë çështje. Është një satisfaksion i jashtëzakonshëm. E mirëpres kohën kur do të kemi më shumë liri për të folur për politikën evropiane. Qeveria e Çekisë e mbështet Kosovën në këtë aspekt”, ka thënë ministri çek për Çështje Evropiane, Mikulash Bek, pasi e pati pranuar aplikimin zyrtar të Kosovës për anëtarësim në BE nga kryeministri Kurti.
Bazuar në procedurat e parapara, për anëtarësimin e Kosovës në bllokun evropian do të nevojiten rreth 9 vjet. I vetëdijshëm për procedurat e gjata është shprehur kryeministri.
“Kjo është ditë historike për popullin e Kosovës dhe ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë. Letra që kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë. Flet për aspiratat tona për t’iu bashkuar BE-së. I përgjigjet vizionit të Evropës që është e përgjithshme, e plotë dhe në paqe, dhe një Evropë që ka të ardhme të ndritur”, tha ai në ceremoninë e dorëzimit të aplikimit në Pragë të Çekisë.
Disa ditë pas aplikimit nga Spanja u shpreh kundërshtimi. Sekretari spanjoll për BE-në, Pascual Navarro, bëri të ditur se Madridi zyrtar ka “qasje konstruktive për sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe se e përkrah dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e BE-së”.
Pas BE-së, në NATO
Nga ceremonia e dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, kryeministri e paralajmëroi edhe një synim për 2023-tën. Ai tha në Pragë se Kosova do të paraqesë aplikimin për anëtarësim edhe në programin e Partneritetit për Paqe të Aleancës ushtarake të NATO-s.
“Tash jemi në muajin dhjetor dhe natyrisht që nuk mund të kemi aplikime të reja sivjet, por vitin e ardhshëm do të përgatitemi të integrohemi sa më shumë në organizmat ndërkombëtarë e një synim të veçantë e kemi Partneritetin për Paqe. Në Programin e Partneritetit për Paqe nuk është vetëm fqinji ynë verior që ka qëndrim negativ ndaj NATO-s, por edhe Bjellorusia e jo Republika e Kosovës. Është e domosdoshme që Kosova të hyjë në këtë program. E kemi dëshmuar me vlerat demokratike të Perëndimit të zhvilluar, mbrojtjes dhe kapaciteteve ushtarake. Partneriteti për Paqe është gjëja e ardhshme e aplikimit tonë”, ka thënë ai në konferencë për media në kryeqytetin çek.
Para kësaj aplikim për anëtarësim Kosova dorëzoi edhe në Këshillin e Evropës, organizatë kjo ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Gati shtatë muaj pas aplikimit zyrtarë të Ministrisë së Jashtme deklaruan se Kosova i ka siguruar votat e nevojshme për ta kaluar fazën e parë drejt anëtarësim në KeE.
“Kemi bërë lobim intensiv që nga aplikimi në Këshill të Evropës. Është bërë punë e madhe veçmas në Strasburg. Konsullata e përgjithshme që drejtohet nga ambasadori Lulzim Hyseni ka realizuar mbi 200 takime, janë organizuar një numër i madh i aktiviteteve kulturore, kanë qenë diku tetë vizita nga niveli i lartë i MPJD-së dhe gjithashtu edhe delegacioni ynë në Asamblenë Parlamentare përgjatë pjesëmarrjes në sesione ka bërë një punë të jashtëzakonshme... Si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës tashmë i ka votat e gatshme për të kaluar fazën e parë që e përmenda në nivelin e ambasadorëve te Komiteti i Ministrave. Këto janë mbi dy të tretat e nevojshme dhe po ashtu më konstruktivet edhe të vendeve mosnjohëse”, ka thënë në fund të dhjetorit Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Jashtëm.
Kundër këtij aplikimi reagime janë adresuar nga Serbia. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e akuzoi Kosovën për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit, asaj të Washingtonit dhe të Rezolutës 1244 të OKB-së.
Që Kosova ta marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, aplikimi i dorëzuar më 15 dhjetor duhet që ta marrë miratimin unanim nga Këshilli Evropian. Aktualisht janë tetë shtete që zyrtarisht e kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Ukraina dhe Moldavia. Për këtë status Shqipëria ka pritur pesë vjet, ndërkaq Bosnjë-Hercegovina gjashtë vjet. Moldavia dhe Ukraina, e cila ndodhet e përfshirë në luftë shkaku i agresionit të Rusisë, kanë pritur vetëm disa muaj për ta fituar këtë status.