Këtë të hënë mbi sheshin “Skënderbej” në Tiranë, fluturuan në kuotë të ulët dy avionë bombardues Stratofortress të skuadriljes 23 që operojnë në bazën RAF Fairford në Mbretërinë e Bashkuar.
Në 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, dy avionë amerikanë B-52, fluturuan të hënën në qiellin e Tiranës, në shenjë demonstrimi për bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Aeroplanët fluturuan përmes qiejve miqësorë të Evropës Juglindore për të ardhur drejt Shqipërisë. Prezente në këtë shesh ishte edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim.
Ambasada amerikane në Tiranë, në një reagim në Facebook shkruan se aleanca me Shqipërinë është jashtëzakonisht e rëndësishme.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu, në mes të Tiranës, në mes të Shqipërisë për fluturimin historik të dy avionëve bombardues B52. Ashtu siç të gjithë e dinë, ata janë avionët më të mëdhenj të ushtrisë amerikane dhe po kryejnë një stërvitje duke fluturuar mbi rajon, përfshirë edhe Shqipërinë, por jo vetëm Shqipërinë. Po fluturojnë edhe në vende të tjera. Kjo duhet ta bëjë shumë të qartë që për Shtetet e Bashkuara, marrëdhënia jonë në fushën e mbrojtjes, aleanca jonë me Shqipërinë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne qëndrojmë gjithmonë krah aleates sonë të NATO-s. Tani, më pas, gjithmonë! Nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë! Dhe jam shumë e kënaqur që jam këtu me Shefin e Shtabit tuaj. E di që ka pasur disa incidente kohët e fundit, por ne jemi me ju deri në fund. Dhe presim të shohim përfundimet e hetimit dhe vënien përpara drejtësisë të atyre që janë përgjegjës”, tha Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Yuri Kim.
Në njoftim bëhet me dije se qëllimi i këtij fluturimi është të demonstrojë përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve të NATO-s të vendosur në Evropën Juglindore.
“Për më tepër, kjo do t’u ofrojë qytetarëve mundësinë për të bërë foto, video dhe për të shijuar aeroplanin që fluturon pranë”, thuhet në njoftim.
Aeroplanët kanë fluturuar edhe mbi ndërtesën e qeverisë së Maqedonisë Veriut në Shkup, si dhe pranë brigjeve të Malit të Zi dhe të Dubrovnik në Kroaci.