Arbëri

Dugolli: Vetëvendosjes i duhet një marrëveshje që të mos shkohet në zgjedhje

Bujar Dugolli

Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet të shqyrtojë secilën mundësi që të bëjë marrëveshje, në të kundërtën, siç tha ai, vendi mund të shkojë në zgjedhje.

Ai ka thënë të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet të bëjë përpjekje që të formojë qeverinë me pakica, në rast se sipas Dugollit, VV-ja arrin t’i marrë 50 deputetë, duke përfshirë edhe votat nga diaspora.

“Formalisht, qeveria mund të konstituohet, por nuk është stabile. Vitin e ardhshëm vendi duhet të shkojë në zgjedhje presidentin dhe kjo s’mund të bëhet pa një marrëveshje me një koalicion me të gjerë. Përpjekja e parë është që nëse VV-ja i arrin 50 deputetë, të arrijë të formojë qeverinë me pakica dhe të vazhdojë viti deri në zgjedhjen e presidentit. Këtu VV-së i duhet një marrëveshje nëse s’do ta dërgojë vendin në zgjedhje...VV-ja shpreson që të fitojë me diasporë, duke iu afruar 50 deputetëve, por është e vështirë. Nuk i dimë votat nga mërgata, por mund t’i arrijë 50 deputetë nëse trendi i votave nga mërgata është 60-70 për qind për Vetëvendosjen.”, ka deklaruar Dugolli.

Sipas profesorit, Vetëvendosje është fituese relative e zgjedhjeve, duke shtuar se gjithmonë qeveritë në Kosovë janë bërë me koalicione.

Ai tha se ekziston edhe një skenar.

“Skenari tjetër nëse kjo s’arrihet, është që partitë e tjera, si AAK-ja me një koalicion më të gjerë, mund të funksionojë, por s’e ka fuqinë si të jetë koalicion i fuqishëm”, ka thënë Dugolli.

Dugolli ka thënë se është e papranueshme gjuha e kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, ndaj partive të tjera në mbrëmjen kur shpalli fitoren. Shprehjet si “hajvanë”, Dugolli tha se janë të gabuara pasi ky “s’është komunikim normal”.

“Ishte gabim i Kurtit, por këta kanë bërë gabime gjatë fushatës. S’është në rregull që liderët të paraqesin një gjuhë të tillë edhe ndaj kundërshtarëve”, është shprehur ai.

Për telashet në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dugolli ka thënë se nuk përjashtohet mundësia e sulmeve kibernetike nga jashtë.