Prijësi i protestës së Lëvizjes Studentore më 1 tetor 1997, profesori Bujar Dugolli, ka rrëfyer për mënyrën se si është organizuar e përjetuar kjo protestë kundër regjimit serb para 27 vjetësh.
I ftuar në emisionin “Sot” të KTV-së, Dugolli ka thënë se protesta e 1 Tetorit konsiderohet si fillim i një kthese të madhe që rezultoi me lëvizje të gjithëmbarshme kundërshtuese ndaj Serbisë okupuese.
Ai ka thënë se ndër qëllimet e kësaj proteste ka qenë provokimi i ndërgjegjes së faktorit ndërkombëtar.
“Si gjeneratë, unë me bashkëpunëtorët e mi, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Albin Kurti, Milot Caka e shumë të tjerë, morëm iniciativë që në rend të parë duhej të organizoheshim dhe të fillonim iniciativë për protesta masive kundër politikës shtypëse së Millosheviqit. Me kërkesa bazike që do të provokonin ndërgjegjen e faktorit ndërkombëtar. Arritëm të krijojmë një organizim perfekt në aspektin e studentëve. Mobilizuam studentë e profesorë të Universitetit të Prishtinës na mbështetën. Krijuam një gjendje që të shpërthejë rezistenca. 1 tetori i 97-tës shënon fillimin e një rezistence aktive për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, që vazhdoi edhe gjatë muajve të tjerë të 97-tës e edhe në 98. Kur na liruan e pamë që pati ndryshim prej protestave të 81’tës e 68’tës. Kuptuam që ka një presion të faktorit ndërkombëtar, përfshirë ambasadën amerikane në Beograd dhe ato tjera perëndimore që kanë kërkuar që studentët të lirohen. Në njëfarë mënyre ky sensibilizim ndërkombëtar bëri që ne të liroheshim, por ne morëm motiv më të madh që të vazhdojmë rezistencën”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pas kësaj proteste, rinia edhe e rriti guximin për të protestuar, por edhe e hoqi frikën.
Profesori universitar tutje njoftoi se data 1 tetor është futur në kalendarin zyrtar si ditë e studentëve.
“Është miratuar edhe nga Kuvendi, nga sivjet kjo datë institucionalizohet dhe festohet si ditë e studentëve në shenjë kujtimi dhe nderimi për 1 tetorin e 97-tës”, ka deklaruar ai.