Arbëri

Balje dhe Berisha nuk ia konfirmojnë Kurtit nëse do ta mbështesin për mandat të tretë

Duda Balje & Veton Berisha

Duda Balje & Veton Berisha

Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat (SDU) dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE) kanë thënë se nuk ia ka dhënë konfirmimin kryeministrit në detyrë Albin Kurti nëse do ta mbështesin për mandat të tretë. Sipas tyre, kryeministri nuk konfirmoi nëse do t’i plotësojë kërkesat e tyre për komunitetet që përfaqësojnë, boshnjakë dhe egjiptianë.

Si Balje, ashtu edhe Berisha e kanë lënë të hapur mundësinë e pajtimit në takimet e ardhshme para seancës konstituive që pritet të mbahet më 15 prill. Të dy janë takuar edhe me opozitën, për të cilët kanë pasur kërkesat e njëjta.

“Sot u takova me kryeministrin, i parashtrova kërkesat që kemi si boshnjakë, nuk kemi marrë konfirmim dhe nuk kemi dhënë konfirmim. Është takimi i parë. Jemi në fazën e bisedimeve”, ka thënë Balje të enjten pas takimit me Kurtit.

Kërkesat e Baljes janë krijimi i një komune boshnjake, reforma në arsim dhe tretmani i barabartë me të gjitha partitë e tjera që kanë nga një deputet.

VIDEO:

E kërkesat e Berishës, që po kthehet në Kuvend këtë mandat, janë për investime në infrastrukturë sa i përket komunitetit, investime për shkollim, por edhe në aspektin ligjor pasi që ka diskriminim

“Biseduam për një bashkëpunim të mundshëm mes nesh. Ne në parim nuk kemi vija të kuqe me askënd Për pjesë. Normalisht qe ne patëm kërkesat tona për nevoja të komunitetit. Ne do të jemi në kuvend në ditën kur do të mbahet seanca konstituive, sepse jemi pjesë e Kuvendit”, u shpreh ai pas takimit me Kurtit.

Edhe deputeti i zgjedhur nga Koalicioni Vakat, Rasim Demiri, ka zhvilluar takim me Kurtin. Ai ka thënë se ata kanë bashkëpunuar me Kurtin edhe në dy mandatet e para dhe se shpresojnë që do të kenë bashkëpunim edhe në të ardhmen. 

“Kemi biseduar për shumë gjera, edhe ne edhe kryeministri kemi shprehur gatishmërinë për formimin e institucioneve dhe qeverisë së Kosovës. Më shumë sot bisedimet kanë qenë për më tutje për bashkëpunim, kemi folur për gjera që janë të rëndësishme për komunitetin boshnjak, kemi folur për kërkesën për komunën e Reçanit”, ka theksuar Demiri pas takimit me Kurtin.

Por ai ka mohuar se themelimi i kësaj komune do të jetë kusht për mbështetjen e Kurtit edhe për një mandat tjetër. 

VIDEO:

Kurtin e ka takuar edhe kryetari i Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës (PREBK), Albert Kinolli. 

Ai ka thënë se partia e tij nuk ka vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik, por se sipas tij duke respektuar rezultatin zgjedhor.

“Ne si subjekt politik rom tradicionalisht jemi munduar të jemi më konstruktiv dhe me kreativ për formimin e qeverisë së re. Qytetarët e Kosovës kanë mjaft nevojë, sepse procesi u stërzgjat. Jemi drejt një përfundimi të mirë dhe nuk kemi asnjë vije të kuqe për asnjë subjekt politik, por duke respektuar rezultatin zgjedhor sot kemi qenë në takim të mirë me kryeministrin. Ne kemi parashtruar kërkesat tona që njëra ka qenë që të jemi të barabartë me të gjitha subjektet e tjera që janë me një vijë me ne. Po presim 15 prillin. Besojmë që Kurti do t’i ketë numrat e nevojshëm dhe do të japim edhe ne kontributin tonë. Në interesin tonë është të formojmë institucionet sa më parë”, ka deklaruar Kinolli.

Kurti gjatë ditës së djeshme ka nisur konsultimet me pakicat për formimin e qeverisë së re. Votat pro ia kanë konfirmuar Emilija Rexhepi, Nenad Rashiq, Elbert Krasniqi dhe Fikrim Damka. Të katër kishin post në qeverinë e kaluar dhe do të përfaqësohen me një deputet, aq sa ka edhe SDU-ja e Baljes e PLE-ja e Berishës.