Arbëri

Drurët e zhvendosur në Prishtinë, rrezik për kalimtarët

Ajo që para pak muajsh ishte zonë e mbuluar në të gjelbër tashmë është shndërruar në një vendpunishte.

Në hapësirën e këtij institucioni tashmë zhurmojnë ekskavatorët dhe mjetet e tjera si pjesë e fillimit të gërmimeve për ndërtimin e projektit të parkingut nëntokësor.

Për ta bërë këtë gjë, gjatë javës u bë edhe zhvendosja e drurëve prej kësaj hapësire për tek oborri i Bibliotekës Kombëtare.

2 vjet është thënë se do të zgjasin punimet.

Të lidhur me litarë për të qëndruar në këmbë, drurët pritet që për këtë periudhë të qëndrojnë këtu.

Por, zhvendosja duket se nuk është bërë siç duhet dhe paraqet rrezik edhe për kalimtarët.

Këtë e ka konfirmuar vetë edhe kryetari Shpend Ahmeti.

Ai, në një postim në Facebook, ka kërkuar nga qytetarët që të mos parkojnë pranë këtyre drurëve.

Që zhvendosja nuk është bërë siç duhet e thotë edhe Qazim Kukalaj, ekspert i pylltarisë. Ai thotë se vërehen lëshime që, sipas tij, mund të çojnë deri te dëmtimi i drurëve.

Kukalaj kritikon edhe mbjelljen e drurëve pranë njëri-tjetrit, duke thënë se nuk është lënë hapësirë e mjaftueshme mes tyre, gjë që pamundëson edhe riprodhimin e tyre.

Përveç dyshimeve rreth gjerësisë dhe thellësisë së gropave në të cilat i kanë futur ata, ai e kritikon edhe zënien e qafës së drurëve nën dhe.

Kur pati bërë prezantimin e projektit të parkingut nëntokësor, Komuna e Prishtinës pati premtuar se të gjithë drurëve brenda hapësirës së Fakultetit Filologjik do t’u ruhet origjinaliteti.

Megjithatë, pas këtij procesi, asnjëri prej zyrtarëve komunalë nuk ka pranuar të deklarohet rreth mënyrës sesi është realizuar projekti i zhvendosjes së tyre.