Arbëri

Dritan Abazoviq, shqiptarët dhe Mali i Zi

Ani se rrallëherë flet mbi përkatësinë e tij etnike në publik, Dritan Abazoviq ka arritur që me gjithë përplasjet e mëhershme me presidentin Milo Gjukanoviq, i cili e kishte quajtur edhe “vagabond” dhe njeri në shërbim të nacionalizmit serb, tani të përafrohet me të dhe të mbledhë përreth vetes shqiptarë e malazezë, serbë e boshnjakë në mbështetje të Qeverisë së tij në ardhje. E prej saj, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në vend thonë se më së shumti përfiton vetë Mali i Zi

Ulqin, Tuz, Podgoricë, prill – Vetëm pak vjet pas hyrjes në skenën politike, Dritan Abazoviqi është shumë afër që të bëhet kryeministër i Malit të Zi.

36-vjeçarin nga Ulqini, i cili më 2015 i priu themelimit të lëvizjes qytetare URA, tani nga karrigia e shefit të Qeverisë e ndan miratimi në Kuvend, nëpërmjet një seance të jashtëzakonshme që ende pritet të caktohet.

Rruga deri këtu iu hap në fillimin e marsit, kur mandatin për formimin e një Qeverie të pakicës ia dha presidenti dhe kundërshtari i tij i dikurshëm politik, Milo Gjukanoviq. Jo shumë kohë para kësaj, përplasjet mes dyshes kishin marrë përmasa të thella, si në Kuvend, ashtu edhe jashtë tij. Abazoviqi e akuzonte Gjukanoviqin se ia kishte 12.4 milionë euro borxh shtetit. E Gjukanoviqi e quante “vagabond” e më vonë edhe dhe njeri në shërbim të nacionalizmit serb.

Fërkimet kishin nisur para se Abazoviqi t’i bashkonte votat me opozitën e mëhershme për ta çuar Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në opozitë, pas më shumë se tridhjetë vjetësh në pushtet.

Bashkimi i tij me opozitën bëri që në fillimdhjetorin e 2020-s të formohej Qeveria që do të udhëhiqej nga Zdravko Krivokapiqi, e cila jo rrallë ishte cilësuar si me orientim proserb dhe si e ndikuar nga Kisha Ortodokse Serbe.

Në këtë Qeveri, Abazoviqi shërbeu si zëvendëskryeministër dhe për këtë ishte duartrokitur edhe në Serbi. Vetëm pak muaj më vonë, në kohën e përplasjeve përbrenda Qeverisë, më 4 shkurt, Abazoviqi e inicioi mocionin e votëbesimit që rezultoi me rënien e Qeverisë së shefit të tij. Kësaj radhe veprimi i tij nxiti protesta në Podgoricë e në qytete të tjera të Malit të Zi edhe të nacionalistëve serbë, të cilët kësaj radhe e akuzuan atë për “tradhti” dhe e quajtën “çetnik shqiptar”.

Image
Një test i hershëm për përkrahjen e partisë së Abazoviqit kanë qenë zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Komunën e Ulqinit, të cilat janë mbajtur të dielën e 27 marsit. Ka marrë më së shumti vota, por të pamjaftueshme që ta formojë e vetme Qeverinë komunale

Sfida e parë dhe “eksperimenti i dytë”

Tani, ani se rrallëherë flet mbi përkatësinë e tij etnike në publik, Abazoviqi ka përafruar përreth vetes shqiptarë e malazezë, serbë e boshnjakë në mbështetje të Qeverisë së tij në ardhje.

Në këtë synim, gjatë gjithë kohës ka thënë se promovon ide kozmopolite dhe rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, integrimeve evropiane e të të drejtave të njeriut.

Një test i hershëm për përkrahjen e partisë së tij kanë qenë zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Komunën e Ulqinit, të cilat janë mbajtur të dielën e 27 marsit.

Në vendlindjen e tij, koalicioni që ai e udhëhoqi i fitoi 14 mandate. Me këtë peizazh numrash, koalicioni i tij, nuk mund ta formojë Qeverinë komunale në Ulqin pa ndihmën e një partie tjetër. Se çfarë do të bëjë në nivel qendror ende nuk ka epilog.

Në intervistat e pakta që ka dhënë për mediat, Abazoviqi është zotuar se si kryeministër do të punojë në zbutjen e polarizimeve përbrenda shoqërisë malazeze dhe që Mali i Zi të jetë plotësisht i gatshëm për integrim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2025, pas anëtarësimit në Aleancën e NATO-s më 2017.

Për këtë arsye, Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit me shumicë shqiptare dhe udhëheqës i “Alternativës shqiptare” që e ka mbështetur lëvizjen e Abazoviqit si në nivel qendror, ashtu edhe në Ulqin, është shprehur i mendimit se nga ardhja e një shqiptari në krye të Malit të Zi, do të përfitojë më së shumti vetë Mali i Zi dhe shtegu i tij evropian.

“Ardhja e Abazoviqit, një shqiptar, ka domethënie shumë më të madhe për Malin e Zi sesa për shqiptarët. Mali i Zi fiton më së shumti, sepse e tregon edhe kapacitetin e vet demokratik, tregon se në këtë vend, megjithëse të vogël, që 20 vjetët e fundit është punuar në tolerancë, në bashkëjetesë, është punuar që vlerat e proklamimet tona evropiane nuk janë vetëm në letër, por bëhet edhe një hap tjetër që t’i jepet mundësi një shqiptari apo dikujt me përkatësi të pakicave në Mal të Zi që të drejtojë Qeverinë dhe për këtë arsye mendoj se më së shumti do të fitojë Mali i Zi”, ka thënë ai.

Kjo mundësi veçse ka ngritur pritshmëritë e shqiptarëve. Për përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Mal të Zi, diçka e tillë nuk do të mund të mendohej 30 vjet më parë.

“Sikur të guxonim ta thoshim me zë këtë ide para 30 vjetëve, do të ishte jashtëzakonisht qesharake dhe e pabesueshme se në krye të një shteti, siç është Mali i Zi, do të vinte një shqiptar. Kjo sot është realitet. Prandaj edhe politika quhet si arti i së mundshmes”, ka thënë Mark Pashku, këshilltar në Komunën e Tuzit.

Në Ulqin bashkëvendësit e tij, qofshin edhe kundërshtarë politikë, rezervohen me kritika ndaj Abazoviqit.

Ilir Çapuni, nga subjekti politik “Forca e Re Demokratike” në Ulqin, thotë se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë realiteti për shqiptarët mund të ndryshojë për të mirë, ani pse e konsideron si eksperiment të dytë politik me shqiptarët.

“Kjo pas atij të parit të pasuksesshëm që ka qenë një aleancë e pashenjtë, e bërë dhe e shenjtëruar, e shuguruar në kriptat e Manastirit të Ostrogut të Kishës Ortodokse Serbe. Kjo ka rezultuar në një eksperiment të dëmshëm për Malin e Zi, për rrugën e tij evropiane dhe sot po futemi në një eksperiment të dytë. Në një Qeveri të cilën do ta udhëheqë pakica me 10 për qind të votave, por që është pashmangshmërisht e vetmja zgjidhje dhe rrugëdalje, përveç zgjedhjeve, nga kjo krizë politike”, ka theksuar Çapuni. Ai ka shtuar se Mali i Zi aktualisht është në qeverisje teknike në çdo nivel, duke filluar nga Qeveria e duke përfunduar te gjyqësori e organet e prokurorisë.

E Fatmir Gjeka, nga Partia Demokratike në Ulqin, thotë se deri në formalizimin e Qeverisë së re, fokusi duhet të jetë te zhvillimi më i shpejtë i qytetit. Partia e Gjekës i është bashkuar koalicionit të prirë prej Abazoviqit në zgjedhje lokale.

“Derisa të formalizohet Qeveria, normalisht se shqiptarët do të jenë pjesë e qeverisjes dhe kemi menduar që ta ndërlidhim këtë energji poshtë dhe lart për të kontribuuar dhe për të qenë të sinkronizuar për të ecur përpara, për të bërë diçka për qytetin tonë. Synimi është që të rinjtë të mos ikin jashtë dhe që falë resurseve që ia ka dhënë Zoti Ulqinit, ata të kontribuojnë për qytetin tonë”, ka thënë ai.

“Shqiptarët më shumë kanë dhënë, sesa që kanë marrë”

Ani pse cilësohet si komuna me më së shumti potencial zhvillimi, Ulqini është në mesin e qyteteve me më së paku investime në nivel vendi. Për këtë, Çapuni nga “Forca e Re Demokratike” thotë se faji qëndron sa te vetë Komuna e Ulqinit, po aq edhe te Qeveria e Malit të Zi.

“Shqiptarët gjithmonë e kanë treguar vullnetin e mirë për të kontribuuar për të mirën e Malit të Zi. Duke filluar nga pavarësia, nga anëtarësimi në NATO dhe çdo gjë tjetër. Pra, shqiptarët gjithmonë më shumë kanë dhënë, sesa që kanë fituar”, ka thënë ai.

E Gjeka nga Partia Demokratike pret që zhvillimi të jetë më i shpejtë.

“Atë që pres unë dhe që presim ne është që t’i japim një ritëm shumë të shpejtë zhvillimit të qytetit të Ulqinit, pikërisht duke u nisur nga fakti se Abazoviqi vjen nga ky qytet. Mendoj që Ulqini do të ketë shumë benefite, në aspektin e zhvillimit, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë ai.

Për Omer Bajraktarin, kandidatin e URA-s së Abazoviqit në garën për kryetarin e Ulqinit, rezultatet e rëndësishme për qytetin veçse kanë nisur që të shënohen.

“Në një kohë rekorde, brenda gjashtë muajsh, kemi bërë disa rezultate historike për Komunën e Ulqinit, pra për shqiptarët. Kemi pasur rezultatin e kthimit të pronave në gjirin e Valdanosit, që është një betejë të cilën e kanë udhëhequr qytetarët e Ulqinit për 43 vjet. Do të thotë pas 43 vjetësh është fituar një betejë që ka qenë simbol i diskriminimit të shqiptarëve të Ulqinit. Kemi pasur më pas rastin e kripores së Ulqinit, 15 milionë metra katrorë, që kanë qenë në duart e disa tajkunëve, tani janë kthyer në pronë të shtetit dhe Komunës”, ka thënë ai.

Image
Ulqin, mars 2022

Tërheqja e njohjes së Kosovës, opsion i pamundur

Si një aspekt pozitiv të emërimit të Abazoviqit për kryeministër të Malit të Zi, Bajraktari e ka përmendur pritjen për thellimin e marrëdhënieve edhe më të mira me Kosovën dhe për përmirësimin e atyre me Serbinë.

“Unë mendoj se ardhja e pritur e Abazoviqit në krye të Malit të Zi është gjë shumë pozitive. Nuk besoj se do të jetë pengesë edhe për marrëdhëniet e Malit të Zi edhe me Serbinë. Besoj se kjo do të shkojë në favor edhe të përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, edhe më Kosovën e edhe me Shqipërinë”, ka theksuar ai.

Përfaqësuesit e tjerë politikë shqiptarë e kanë cilësuar si të pamundur jetësimin e kërkesës së shtruar nga disa partnerë të Qeverisë së shkuar për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.

“Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë, sepse ne si shqiptarë kemi qenë gjithmonë pro Kosovës, kemi qenë ata që kemi nxitur dhe e kemi shtyrë pranimin e Kosovës nga Mali i Zi dhe të Maqedonisë së Veriut në NATO. Qeveria e ardhshme eksperimentale dy do të jetë e afishuar në një vit ose më pak, deri në zgjedhjet e ardhshme. E deri atëherë nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim”, ka thënë Çapuni nga “Forca” në Ulqin.

Për herë të parë për zgjedhjen e kryetarit të Ulqinit, garës i është bashkuar edhe “Alternativa Shqiptare”, e përqendruar kryesisht në Komunën e Tuzit. Në Ulqin i është bashkuar koalicionit të Abazoviqit.

Mark Pashku, këshilltar në Komunën e Tuzit, kur flet për nivelin qendror thotë se roli i shqiptarëve tani ka nisur që të kuptohet.

“Partia e Gjukanoviqit, si dhe ato të tjerat më të vogla, e kanë kuptuar rolin kyç të shqiptarëve në Mal të Zi. Mendoj se tash e kanë mundësinë reale që ta bëjnë korrigjimin e të gjitha politikave të tyre të mbrapshta, që i kanë aplikuar gjatë 30 vjetëve”, thotë ai, teksa shton se emërimi i një shqiptari në krye të Qeverisë malazeze e ngërthen më vete edhe një shqetësim.

“Ekziston mundësia që të na mbyllet goja me një kryeministër shqiptar dhe këtu aktivizohen partitë politike shqiptare nacionale, të cilat kanë bërë pakt për Malin e Zi evropian që prej fillimit. Prejse kemi votuar në referendum, shqiptarët janë të vetmit që kanë ecur në politikën proevropiane dhe kanë përkrahur Malin e Zi në politikat e tij të integrimit pa rezerva dhe pa kushte”, shprehet ai.

Në zgjedhjet lokale në Ulqin shqiptarët nuk janë bërë bashkë për të mirën e tyre. Nëse do të bashkohen në Qeveri me Abazoviqin në krye, mbetet ende që të shihet.