Tringa Dreshaj nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se themelimi i komisioneve të reja parlamentare nuk do të sjellë frymë të re dhe ta çojë tutje procesin e hetimit.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Dreshaj ka thënë se kjo mund të vërehet te komisioni aktual për hetimin e rezervave shtetërore që po shkon në trajektore të njëjtë me hetimet e prokurorisë.
“Tentativat (v.j. e opozitës për themelim të komisioneve hetimore), po shihen më shumë në formë politike, për poenë politikë dhe diskurs politik pasi që edhe përmbajtja përgjatë monitorimit që kemi bërë, është parë një frymë e diskursit politik më shumë sesa përmbajtësor. Në vazhdimësi, edhe themelimi i komisioneve të reja nuk do të sjellë ndonjë frymë të re dhe të zgjojë më tutje procesin e hetimit, duke e ditur që një problematikë më e madhe është edhe vetë çështja që procesi i hetimit dhe komisioni aktual i hetimit për rezervat shtetërore po shkon në trajektore të njëjtë me hetimet që po i bën prokuroria”, ka thënë ajo.
Dreshaj ka shtuar se situata politike dhe moskonsensusi mes partive të pushtetit dhe të opozitës, po shihet si problematike në arritjen e qëllimit të vetëm të këtyre komisioneve.
Ajo ka thënë se Kuvendi deri më tani nuk po arrin ta përmbush mbikëqyrjen e ekzekutivit me anë të pyetjeve parlamentare.
“Problematikë kryesore mbetet konsensusi, mungesa e kuorumit në seanca, shtyra e vazhdueshme e seancave, pikat e mëdha të rendit të ditës. Kuvendi deri më tani nuk po arrin ta përmbush edhe çështjen e mbikëqyrjes së ekzekutivit me anë të pyetjeve parlamentare, si një e drejtë thelbësore që i ofrohet edhe me anë të rregullores së Kuvendit. Kjo për shkak të mbingarkesës së diskursit politik që po e ka Kuvendi përgjatë vazhdimit të punës së tyre. Kemi pasur një devijim të diskursit shpesh mes deputetëve”, ka thënë ajo.
Sipas Dreshajt, nevojitet gjuhë më unifikuese në Kuvend për shkak të çështjeve madhore me të cilat Kosova është duke u ballafaquar, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi e për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi qytetarët janë ata që preken prej vendimeve.
“Ka një mungesë të madhe të pyetjeve parlamentare, kemi bërë thirrje që të krijohen kushte që të ketë një mundësi më të madhe të akterëve të ekzekutivit që të jenë pjesë e seancës”, ka theksuar ajo.