Fatmir Matoshi, anëtar i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, ka thënë se kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka ofruar gatishmëri për bashkëpunim me cilindo lider partiak në vend.
Në “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se Limaj është deklaruar i gatshëm për bashkëpunim me këdo që e fton “për çështje të rëndësishme”.
“Nëse ndalemi dhe e shikojmë edhe deklarimin e zotit Limaj, ai ka folur pikërisht për këto probleme regjionale, globale me të cilat sot ballafaqohet bota dhe nga të cilat Kosova s’bën përjashtim. Ai ka bërë thirrje për unitet, ka treguar gatishmëri për t’u ulur dhe për të folur me cilindo kryeministër apo kandidat për kryeministër për çështje që janë të rëndësishme për vendin dhe mendoj se jo vetëm zoti Limaj, por edhe Kurti e Hamza e Haradinaj duhet ta bëjë këtë e cilido lider tjetër politik sikur kjo raste me të cilën po përballemi tani”, ka thënë ai.
Matoshi ka bërë të ditur se nga shprehja e këtij qëndrimi, Limaj ka pasur vetëm një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike, por s’ka pasur ftesë a takim për themelim të institucioneve.
Ka shtuar se është përgjegjësi e VV-së që të tentojë konkretizimin e rezultateve, si parti fituese.
Sa i përket raporteve me AAK-në në koalicion, Matoshi ka thënë se ato janë korrekte, por janë parti të ndara.
“S’jemi fraksion i AAK-së apo grup i ndarë brenda koalicionit. Edhe AAK-ja e ka të ditur që Nisma flet vetë për deputetët e saj. Ata i kanë pesë e ne tre”, ka shtuar Matoshi.
Sipas Matoshit, Nisma parapëlqen një qeveri të opozitës.
“Në kushte normale, nëse ndodh ajo që ne parapëlqejmë, një qeveri e opozitës, ne do të jemi në komunikim e bashkëpunim edhe brenda grupit parlamentar me AAK-në e kjo s’paraqet telashe apo problem”, ka deklaruar ai.
Sopi: VV-ja e LDK-ja manipuluan me votat e diasporës
Analisti politik, Agim Sopi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë manipuluar votat e diasporës.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se ka fakte reale që partitë kanë manipuluar me këto vota, duke shtuar se ambasadat dhe konsullatat “i kanë thirrur militantët të vjelin vota”.
“Ka një problem të manipuluar, që besoj që komplet procesi i votave të emigracionit është i manipuluar. Edhe në ambasada...aty janë të involovuara më shumë se 1 parti, për interesa të veta. Për të dy palët kemi fakte reale. Te pjesa e ambasadave dhe konsullatave që janë shtuar, s’kanë bërë gjë tjetër pos që i kanë thirrur militantët të vjelin vota”, ka thënë Sopi.
Sipas tij, një parti që i ka fituar 40 deri në 42 për qind të votave në Kosovë, s’mund t’i fitojë 85 për qind në diasporë.
“Një parti që i ka fituar 40 deri në 42 për qind, do të duhej në diasporë t’i shkonin në votat në ambasada 55 për qind, por jo 85 për qind sepse shoku Enver ka vdekur. Dhe as s’ka mundur një partie që i ka fituar 18 për qind, t’i fitojë atje 40 për qind. Këto janë ashiqare manipulim e s’ka çka diskutohet”, ka thënë Sopi.
Koci: Jemi në pat pozitë, as pushteti e as opozita nuk i kanë numrat për qeveri
Melazim Koci, ish-kryeredaktor i Radios Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova është në një pozitë “pat”, pasi as pushteti e as opozita nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për të formuar shumicën dhe Qeverinë e re.
Ai ka thënë se vonimi i procesit të certifikimit të zgjedhjeve ka qenë përpjekje e “disa subjekteve”.
“Në rrethana normale s’do të konsideroja se është humbur kushedi çka. Por ne nuk jetojmë në rrethana normale. Po flas për zhvillime të gjera. Dhe zhagitjet që i ka bërë KQZ-ja nuk justifikohen. Kanë qenë të pashpjegueshme e paarsyeshme në kohën e zhvillimeve teknologjike. S’jam i sigurt nëse qëndron prapa saj përpjekja e dikujt për të zhagitur procesin. Kam përshtypjen që ka elemente të përpjekjes së disa subjekteve, jo një, për ta zhagitur procesin për formimin e institucioneve për faktin se si duket nuk kanë vota, deputetë të mjaftueshëm”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Koci ka thënë po ashtu ankesat e VV-së ndaj procesit zgjedhor edhe pse organet e deritashme kanë hedhur poshtë ankesat, “më shumë është si hezitim sepse nuk i ka numrat”.
“Por numrat nuk i ka as opozita. As njëra as tjetra palë s’i kanë numrat. Prandaj ne shohim zhagitje. Nuk ka reagim as të opozitës kushedi çfarë. Ne jemi në një situatë pat pozitë”, ka thënë tutje Koci.
Sipas tij, asnjë nga partitë shqiptare nuk do t’i marrë në koalicion deputetët e Listës Serbe. E ai ka thënë se edhe qëndrimi i LDK-së i dhënë deri tash përjashton mundësinë që opozita t’i bëjë numrat.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30 për qind të votave, rezultat që ia siguron 48 ulëse në Kuvend. Ajo pasohet nga Partia Demokratike me 20.95 për qind apo 24 ulëse, pastaj nga Lidhja Demokratike me 18.27 për qind apo 20 ulëse. Në vendin e katërt është renditur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.06 për qind apo 8 ulëse në Kuvend. 20 ulëset e tjera janë për komunitetet joshumicë.
Në shah, "pozita pat" është një situatë ku një lojtar nuk ka lëvizje të ligjshme dhe mbreti i tij nuk është në shah. Në këtë rast, loja përfundon me barazim.
Drenori: Presidentja mund të ndikohet nga ankesa e LVV-së në Kushtetuese
Analisti politik, Xhavit Drenori, ka deklaruar se dërgimi i vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje për votat me postë mund të ketë ndikim në thirrjen e seancës konstitutive.
Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-së se presidentja Vjosa Osmani mund të ndikohet nga ankesa e VV-sël
“Vendimi i Vetëvendosjes që të dërgojë ankesë në Kushtetuese për ligjshmërinë e Supremes mund të jetë problem që na ka dalë në rrugë. Do të afektohet nga vendimi i Kushtetueses”, ka thënë Drenori.
Ai u shpreh se vonesa në procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve mund të ketë ndodhur edhe për shkak të ndryshimit të Ligjit për zgjedhje.