Nga rreth 100 fëmijë sa janë pjesë e çerdhes “Botanika” në Prishtinë, 93 prej tyre figurojnë në listën e subvencionimit prej Drejtorisë së Arsimit, për çka prindërit kanë ngritur dyshime për vjedhje nga zyrtarët e këtij institucioni në emër të tyre. Drejtoresha ka akuzuar administratoren e kopshtit, e administratorja ka thënë se çdo gjë ka bërë me urdhër të drejtoreshës. Në Komunë nuk ofruan sqarime, teksa sipas prindërve rasti ka përfunduar në prokurori
Një skemë hajnie dyshohet se ka funksionuar në çerdhen “Botanika”, në lagjen “Mati 2” në Prishtinë, ku prindërit akuzojnë zyrtarët e institucionit për keqpërdorim të subvencioneve komunale në emër të fëmijëve.
Komuna e Prishtinës për fëmijët e regjistruar në institucione parashkollore private ofron mbështetje financiare për kategori të cenueshme sociale, duke ua mbuluar një pjesë të pagesës.
Nga to kanë përfituar edhe prindërit e kopshtit me bazë në komunitet, “Botanika”.
Në një dokument të këtij institucioni, të cilin e ka siguruar KOHA, shihet lista e dërguar në Komunë me emrat e 93 fëmijëve për t’u subvencionuar nga rreth 100 sa janë gjithsej të regjistruar në këtë çerdhe.
Këtë e kanë konfirmuar edhe disa prindër, të cilët nuk kanë dashur t’u zbulohet identiteti.
“Është marrë në emër të fëmijës sonë subvencion edhe pse unë e kam paguar çmimin e plotë për fëmijë. Më 4 mars dhe më 13 mars jemi ftuar prej drejtoreshës së kopshtit dhe është deklaruar se është marrë subvencion në emër të fëmijës suaj, përderisa ne e kemi paguar çmimin e plotë”, ka thënë një prind në kushte anonimiteti.
Drejtuesja e kësaj çerdhe, Kadrije Asllani, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me dyshimet, me arsyetimin se “rasti është duke u hetuar”.
Fajin për keqpërdorime të mundshme ajo ia hodhi administratores së kopshtit, Qëndresa Makolli.
E administratorja Makolli të gjitha këto i ka quajtur shpifje.
Sipas saj, listat janë përpiluar nga drejtoresha Asllani, të cilat më pas ajo i ka dorëzuar në DKA me urdhër të saj.
“Për çdo veprim të kryer nga unë ekzistojnë dokumente të rregullta të firmosura nga znj. Asllani, si dhe e-mail-e dhe urdhra të brendshëm që dëshmojnë se unë kam vepruar gjithmonë në funksion të urdhrave të saj. Po ashtu, çdo pagesë dhe tërheqje e fondeve është e dokumentuar dhe e verifikuar nga auditimi i brendshëm, duke përjashtuar çdo element të keqpërdorimit nga ana ime”, ka deklaruar Makolli.
KOHA ka kontaktuar edhe me Këshillin e Prindërve të çerdhes, anëtarë të të cilit janë pjesë e komisionit që bën verifikimin e dokumenteve, por nuk ofruan përgjigje.
Në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës nuk kanë shpjeguar se si kjo listë ka arritur të kalojë pa u verifikuar.
E, në një përgjigje që u është dhënë prindërve, thuhet se janë ndërmarrë disa hapa për të sqaruar gjithë këtë.
“Në kuadër të hapave të ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka vendosur pezullimin e subvencionimit për çerdhen “Botanika”, si masë paraprake deri në zbardhjen e plotë të rastit. Përveç kësaj, unë si drejtor kam formuar një ekip të posaçëm, i cili do të kontrollojë listat e subvencioneve, jo vetëm për çerdhen në fjalë, por për të gjitha çerdhet me bazë në komunitet dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshëm në bazë të gjetjeve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë për prindërit, të cilën e ka siguruar KOHA.
Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së enjte nuk ka kthyer përgjigje për KOHËN, por në një përgjigje nga ky institucion që u është dhënë prindërve thuhet se rasti është duke u hetuar.
“Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ekziston një rast i hapur i natyrës së cekur nga ana juaj, për çka Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes në tërësi të rastit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për prindërit.
Ndërkohë në një procesverbal nga mbledhja me prindërit më 13 mars thuhet se në raportet financiare të kësaj çerdheje janë hasur edhe keqpërdorime të tjera, duke përfshirë tërheqje të parave në vlerë mbi 3 mijë euro për çdo muaj, blerje ushqimore, derivate e shpenzime të tjera.
Administratorja Makolli është suspenduar para disa ditësh nga drejtoresha e çerdhes.
E drejtoresha Asllani, mandati i së cilës skadon këtë muaj, nuk do të vazhdohet nga Drejtoria e Arsimit. Këtë e ka konfirmuar vetë ajo.