Ka disa vite që edukatorja Nazife Azemi në mungesë të kurrikulës 0-5 vjeç i duhet të punojë me dokumentin “Standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme”.
Ajo ankohet për vështirësitë që po i has në mungesë të plan programit. Me të njëjtin problem ballafaqohen të gjitha institucionet parashkollore.
“Problemet janë të pashmangshme, sepse kurrikula nuk përkon me standardet që ne duhet me punuar, pra nuk përkojnë fushat. Kjo paraqet problematikën bazë, sepse duhet t’i përshtatim edhe fushat. Te standardet që ne jemi të obliguar të punojmë, treguesit janë të mangët dhe shumë herë ne duhet të shfletojmë shumë literaturë çka nuk është shumë e nevojshme nëse ish bërë kurrikula 0 deri në 5 vjeç”, thotë ajo.
Një vit më parë, Ministria e Arsimit e ka miratuar kurrikulën për këto mosha, por ajo nuk po zbatohet nga çerdhet pasi nuk janë marrë parasysh sugjerimet e tyre.
Qeveria Hoti në programin e saj ka paraparë hartimin e një tjetër kurrikule për këto mosha. Por, drejtues të çerdheve kërkojnë që këtë herë të jenë edhe ata pjesë e hartimit të këtij dokumenti.
“Është mjaft e nevojshme dhe e domosdoshme që në atë grup punues të mos ketë vetëm shkencëtar dhe botues, por të ketë edukatore dhe motra edukatore të cilat janë njohëse të mirë të punës dhe kanë treguar performanca të mira gjatë punës së përditshme nëpër institucione, pse jo edhe ndonjë udhëheqës i institucioneve”, ka thënë Mimoza Morina-Veseli, drejtoreshë e institucionit parashkollor “Xixëllonja”.
Qasjen e MASH-it me kurrikulën e këtyre moshave, njohës të arsimit e konsiderojnë joserioze.
“Është për keqardhje që kurrikula 0-5 për tashmë 3 vjet me radhë nuk gjen zbatim, ose është në rishikim ose në ristrukturim të grupeve punuese. E gjithë kjo situatë ka ndikuar që neve ende të mos kemi një kurrikulë e që impakti i saj po vërehet edhe në proces të edukimit tek fëmijëria e hershme”, thotë Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit.
Ministria e Arsimit përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se ka iniciuar krijimin e një grupi punues që do të shqyrtojë dokumentin i cili nuk është pranuar nga institucionet parashkollore dhe të trajtojë me kujdes rekomandimet e tyre.
Sipas MASH-it, në grup do të ketë edhe përfaqësues të çerdheve e kopshteve.