Ilir Murseli është arkitekt dhe tash i emëruar drejtor i Drejtorisë së Transformimit, e themeluar muaj më parë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Me themelimin e Drejtorisë së Transformimit, një pjesë të punëve të drejtorisë së Investimeve Kapitale i kanë kaluar asaj.
Mandatin e ka marrë në shkurt, por që nga atëherë të pakta janë punët e realizuara prej kësaj drejtorie.
E Murseli vjen shumë rrallë në seancat e Kuvendit Komunal për t’iu përgjigjur pyetjeve për projektet e drejtorisë së tij.
KOHA ka provuar që të marrë një prononcim nga vetë ai, mirëpo ka thënë se nuk deklarohet për media.
Por zëdhënësi i komunës, Donat Lushaku, thotë se kjo drejtori ka pak kohë që është themeluar dhe nuk ka mund të punojë mjaftueshëm.
Ideja e themelimit të kësaj drejtorie nga kryetari Rama, sipas Lushakut, ka qenë që ta bëjë transformimin e kryeqytetit.
Sipas opozitës në kryeqytet, Rama nuk ka pasur fare nevojë që ta themelojë këtë drejtori, pasi ka numër të madh të drejtorive që nuk kanë punë konkrete.
Feim Osmani, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë që Rama e ka themeluar këtë drejtori vetëm që ta ndihmojë Murselin dhe jo për të kryer ndonjë punë.
Komuna e Prishtinës momentalisht i ka 17 drejtori. Disa prej tyre janë formuar nga Përparim Rama në shkurt të këtij viti kur edhe e ka rikonstruktuar kabinetin, pas prishjes së koalicionit me PDK-në.