Arbëri

Drejtori i Trepçës: Brengosëse që ka deputetë që e shohin Trepçën me logjikën e tyxharit

Foto: Koha

Drejtor i Bordit të përkohshëm të Trepça Sh.A, Shyqyri Sadiku, ka reaguar në deklaratën e deputetit Gazmend Abrashi se privatizimi i kësaj ndërmarrje dhe i Telekomit është zgjidhja më e mirë.

Sadiku përmes një reagimi, ka thënë se Trepça dhe të tjerat që merren me pasuritë minerale, për një qeveri do të duhej të ishin garancia kryesore për zhvillim të vendit, e jo të shihen me logjikën e tregtarit.

“Trepça dhe të gjitha pasuritë tjera minerale të Kosovës për një qeveri të mençur, vizionare dhe atdhedashëse janë çelësi dhe garancia kryesore për zhvillim dhe përparim të vendit. Brengos fakti sepse edhe sot ka deputet të tillë që Trepçën e shohin me logjikën e tregtarit (tyxharit). Duke mos pasur asnjë zgjidhje konkrete për zhvillimin e vendit, nuk kanë asnjë plan e program konkret, real e të mbështetur në kapacitetet dhe pasuritë minerale të vendit”, ka shkruar Sadiku në reagim.

Sipas tij, është absurd krahasimi mes Trepçës dhe Telekomit.

“Nuk mundet asnjë subjekt politik, asnjë qeveri e ardhshme me premtu zhvillim ekonomik, zbutje të papunësisë, stabilitet e rehati sociale, kur në planet dhe projektet e veta zhvillimore nuk figuron askund Trepça, e as koncepti e vizioni për pasuritë tjera të shumta minerale. Trepçë është: Albaniku, Cërnaci, Bellobërda, Shatorica, Stantërgu, Zijaça, Melenica, Maxhera, Rashani, Batllava, Artana, Kaltërina, Përroi i Thartë, Kishnica, Hajvalia, Badoci etj. Trepçë është i gjithë brezi xeherorë i Trepçës. Trepçë janë edhe zonat e lokacionet në të cilat me financime nga Trepça dhe me ekspertë nga Trepça janë bërë hulumtime gjeologjike komplekse dhe janë veçuar lokacione për hapje të minierave të reja”, ka shtuar ai.

Sadiku ka shkruar në emër të punëtorëve se Trepça është Kosova dhe se Kosova është në krizë ekonomike.

“Trepça është zgjidhja e krizës ekonomike. Trepça ka mbi 60 milion tonë rezerva xeherore të plumb-zinkut, pa llogaritur në potencialin e madh në zonat e lokacionet tjera të njohura për Trepçën. Trepça është në krizë për një qeveri vizionare, një qeveri e cila në rend të parë duhet ta dijë kush është Trepça, çka ngërthen në vete Trepça, çka do të thotë Trepça për Kosovën. Kriza financiare është pasojë e problemeve më tepër subjektive të cilat kanë rezultuar me prodhim të ulët që nuk po mbulohen shpenzimet”, ka shkruar ai.

Ai ka vlerësuar se i gjithë ky debat që po bëhet është përgatitje e opinionit dhe siç ka thënë ai, “skenarë djallëzore për privatizim”.