Miliona euro do të ketë në llogarinë e “Termokos-it” vitin që vjen, për shkak të procesit të koogjenerimit.
Për këtë, ndërmarrja komunale ka shpallur konkurs për zyrtar kryesor financiar dhe të thesarit.
Por, në konkursin e hapur më 7 nëntor, ndërmarrja e kishte dhënë si afat për aplikim 10 dhjetorin.
Po në këtë datë, Bordi i ndërmarrjes kishte vendosur që ta vazhdojë afatin e konkursit edhe për 7 ditë tjera.
Në këtë periudhë kohore, për pozitën e lartë në Termokos ka aplikuar Ismajl Kokaj, që aktualisht është drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë, raporton “038” i KTV-së.
Bordi i kryesuar nga Hasan Preteni, ka zgjedhur pikërisht drejtorin komunal për pozitën e zyrtarit kryesor financiar dhe të thesarit.
Pas kësaj, njëri nga aplikuesit e tjerë, me inicialet A.A., ishte ankuar për mënyrën e zgjedhjes së drejtorit komunal, por Bordi i drejtorëve të ndërmarrjes komunale, ankesën e tij e kishte hedhur poshtë.
Ankesën, ai e kishte bërë edhe në Inspektoratin e Punës.
Kryeinspektori Basri Ibrahimi, i ka thënë KTV-së se ende nuk ka vendim dhe se ai mund të jetë i fuqishëm dhe zbatues vetëm pas afatit të ankesave.
KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Preteni, i cili nuk ka pranuar të flasë para kamerës, por me postë elektronike ka thënë se janë në pritje të epilogut nga inspektorët e punës.
“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë komfor Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe kompetencave të Bordit”, ka thënë Preteni.
Vetë Kokaj ka thënë se është i zënë dhe nuk ka pranuar të flasë, derisa në mbrojtje atij i ka dalë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se Kokaj i ka kërkuar leje për aplikim dhe se zgjedhja e tij nuk është joligjore.
Ahmeti ka thënë se në momentin që Kokaj nis punë në Termokos, ai do të zëvendësohet në drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Megjithatë, në konkursin e shpallur, Termokosi kishte kërkuar nga aplikuesit edhe kritere të tjera, të caktuara me Ligjin për Ndërmarrje Publike.
Të plotësojë kushtet e kualifikimit sipas nenit 17.1 si dhe të plotësojë kriteret e pavarësisë sipas nenit 17.2 pikat (d),(f),(j),(k),(l) të Ligjit nr. 03/L -087 të Ndërmarrjeve Publike.
Pikërisht pika “k” e këtij ligji, e ndalon zgjedhjen e një personi, i cili gjatë periudhës 36-mujore para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.
Kokaj në pozitën e drejtorit të Shërbimeve Publike është i zgjedhur nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili, me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, neni 62 i tij, ka të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve.