Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të martën ka realizuar një vizitë në fshatin Banjskë, vendin ku ndodhi konflikti mes Policisë së Kosovës dhe sulmuesve të armatosur. Nga aty, Hoxha ka siguruar qytetarët e Banjskës se do t’u ofrohet ndihmë sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.
Gjatë kësaj vizite, sipas njoftimit, menaxhmenti i Policisë u shoqërua me Zëvendëskomandantin e KFOR-it si dhe takuan këshilltarin e EULEX-it për drejtorinë rajonale në Mitrovicë të Veriut, me të cilët diskutuan rreth situatës së sigurisë.
“Gjatë vizitës në disa lokacione në fshatin Banjskë ata takuan dhe inkurajuan zyrtarët e institucioneve të sigurisë të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po kryejnë detyrat në mënyrë aktive në teren, me qëllim të krijimit të një sigurie më të madhe për të gjithë qytetarët pa dallim. Njëkohësisht drejtori Hoxha, u interesua rreth ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve nga njësitet policore dhe siguroi që PK-ja do të vazhdojë tu ofrojë ndihmë qytetarëve sipas nevojave dhe kërkesave të tyre”, thuhet në njoftim.
Drejtori i Policisë shprehu mirënjohje ndaj zyrtarëve policorë dhe i falënderoi ata për punën e tyre të suksesshme dhe profesionale në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe terroriste.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.
{gallery}