Arbëri

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, takon përfaqësuesit e ICITAP-it amerikan

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur në takim këshilltarin e lartë të ICITAP-it amerikan Timothy Altomare dhe këshilltaren vendore, në kuadër të programit të ICITAP-it, Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së Leonora Berkani.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës pjesë e diskutimeve në këtë takim kanë qenë partneriteti i vazhdueshëm strategjik në mes të ICITAP-t dhe Policisë së Kosovës, siç thuhet, për avancimin e praktikave efektive për zbatim të ligjit dhe parimet e forta të sundimit të ligjit në Policinë e Kosovës.

“Altomare shprehu zotimin për vazhdimin e ofrimit të ndihmës në drejtim të ngritjes profesionale të Policisë si dhe në prioritizimin e fuqizimit të marrëdhënies me qytetarët. Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha u përgjigj me zotimin e tij për vazhdimin e partneritetit me ICITAP-in dhe agjencitë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara duke vlerësuar ndërkohë mbështetjen e tyre në të kaluarën”, thuhet në njoftimin e Policisë.