Padi për shpifje ndaj ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, ka paralajmëruar drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci. Ai i hodhi poshtë akuzat e adresuara nga ministri për keqpërdorimin e 700 mijë euro në projekte në Institut, përderisa tha se mosshfrytëzimi i pajisjeve të teknologjisë informative është pasojë e ndërprerjes së kontratës, në vitin 2020, që është bërë nga vetë Ministria
Një pjesë e pajisjeve dhe e sistemeve që ndodhen brenda Institutit të Bujqësisë, e për të cilat janë shpenzuar me miliona euro, kanë mbetur pa u shfrytëzuar.
Shkak për këtë, sipas drejtorit të Institutit, Fehmi Geci, është ndalimi i ekzekutimit të projektit për inventarizimin e tokave bujqësore për pesë komuna gjatë vitit 2020, më kërkesë të ish-ministrit Besian Mustafa.
Një ditë më parë, në raportin e saj Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar se Instituti e dëmtoi buxhetin e shtetit për rreth 100 mijë euro, shkaku i mosmenaxhimit të projekteve të teknologjisë informative. Sipas Auditorit, Ministria e Bujqësisë dhe Instituti nuk i menaxhuan si duhet projektet e TI-së, në vlerë mbi 700 mijë euro.
Por, drejtori Geci i hodhi poshtë vërejtjet.
“Në 2020 është ndërprerë projekti në mënyrë joligjore, në mënyrë të heshtur. Vetëm nuk kanë lejuar që të zhvillohet projekti dhe kontrata realisht ka qenë tetori 2019 deri në shtator 2020”, ka thënë ai.
Sipas tij, gjatë vitit 2020 ka pasur largim të ish-stafit profesional për GIS dhe Hartografi, të angazhuar nga operatori për projektin në fjalë.
Për gjetjet e auditorit, ai thotë se janë dorëzuar komente në Ministri, porse Kabineti i Ministrit nuk ia ka përcjellë ato ZKA-së.
KOHA ka kërkuar informata nga Ministria se përse nuk janë dorëzuar komentet e Institutit, por nga ky institucion nuk janë ofruar përgjigje gjatë ditës.
E Geci ka paralajmëruar se do të bëjë padi për shpifje ndaj ministrit Faton Peci.
“Unë realisht e kam angazhuar një avokat për të zhvilluar procedurën e padisë ndaj ministrit, për shpifje dhe për të gjitha ato që ministri Peci i ka deklaruar publikisht do të ballafaqohet dhe shpresoj që të ketë argumente që t’i mbrojë para organeve të drejtësisë”, ka thënë Geci, duke iu referuar deklarimeve të Pecit, për keqpërdorimet në këtë Institut.
Ministri një ditë më parë adresoi një varg akuzash ndaj menaxhmentit të Institutit, që vepron në kuadër të dikasterit që e udhëheq, dhe tha se për shkeljet e evidentuara do ta informojë Prokurorinë.
Geci ndërkaq ka sqaruar se të gjitha procedurat e prokurimit për blerje të pajisjeve bëhen nga Zyra e Prokurimit brenda Ministrisë dhe se Instituti vetëm i parashtron kërkesat te sekretari dhe Departamentet përkatëse.
Sipas ZKA-së, Ministria e Bujqësisë dhe Instituti nuk kanë menaxhuar si duhet projektet e Teknologjisë Informative (TI), në vlerë mbi 700 mijë euro.
“Janë zhvilluar dy sisteme të ndara në vlerë 567,406 euro për të njëjtin qëllim, për më tepër ato nuk po përdoren. Mungesa e sigurimit të cilësisë, mangësitë në konfigurimin e sistemit dhe mangësitë në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit të informacionit kanë rezultuar në shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore”, thuhet në raport.
Ky auditim përfshin periudhën midis viteve 2017-2022.
Në raportin e ZKA-së janë evidentuar një sërë mangësish në menaxhim tek Instituti.
Sipas dokumentit, Ministria dhe IBK-ja nuk kanë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave të interventarizimit të tokës bujqësore, ani se janë zhvilluar dy projekte në vlerë mbi 2 milionë euro.
“IBK-ja nuk ka arritur të sigurojë strukturë organizative, politika dhe procedura për TI në mungesë të rregullores së qartë për organizimin e brendshëm. Ministria nuk ka përditësuar rregulloret për organizimin e brendshëm dhe nuk e ka pozicionuar TI-në në strukturën e organizatës për të mbështetur nevojat e organizatës për zhvillimin e projekteve të TI-së”, thuhet në raport.
Raporti ka bërë të ditur se ka mungesë të përfshirjes së profesionistëve të TI-së në planifikim, zhvillim dhe pranim të projekteve, në atë që e ka shkaktuar zhvillimin e sistemeve të dyfishta dhe mosshfrytëzimin e aplikacioneve si dhe pranimin e produkteve të TI-së në shpërputhje me kërkesa.
“Menaxhimi i mirë dhe kontrolli i projektit nuk është siguruar nga IBK-ja. Menaxhimi i kontratës për projektin e IBK-së: ‘Programin kombëtar për inventarizimin e tokave bujqësore të Republikës së Kosovës’, i vitit 2018, nuk ishte realizuar mirë. Menaxheri i kontratës ka pranuar produktet e sistemeve të informacionit vetë dhe ka realizuar raportin e pranimit dhe pagesën edhe pse disa produkte nuk janë zhvilluar ose nuk janë në përputhje me specifikat teknike dhe funksionale të parashikuara në kontratë”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, Ministria dhe IBK-ja nuk kanë arritur që ta sigurojnë cilësinë e sistemeve të TI-së që i kanë zhvilluar nëpërmjet projekteve të kontraktuara, pasi që nuk është zbatuar legjislacioni në fuqi për formimin e komisioneve profesionale të pranimit, të cilat do të kryenin testimet e nevojshme dhe do ta siguronin cilësinë. E në mungesë të testimit të sistemeve, janë pranuar sisteme që nuk plotësojnë standardet e TI-së dhe sigurisë së informacionit.
“Menaxhimi i konfigurimit të sistemeve të informacionit në IBK ka mangësi në kërkesat teknike të sistemit të informacionit, pasi që ato nuk kanë plotësuar standardet e TI-së për konfigurimin e tyre dhe sigurisë së informacionit. Dy sistemet e zhvilluara janë instaluar në port të njëjtë dhe ia bllokojnë ueb shërbimin njëra-tjetrës, përdorin rrjet jozyrtar dhe funksionojnë jashtë domenit qeveritar. Prandaj, si pasojë e këtyre mangësive, IBK-ja nuk arrin të përdorë sistemet e informacionit në formë të sigurt për qëllimin dhe funksionin e blerjes dhe zhvillimit të tyre”, thuhet në raport.
Aty specifikohet edhe se IBK-ja nuk ka siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave rezervë dhe vazhdimësisë së biznesit, në rast të ndonjë fatkeqësie dhe nevojës për rikthim të të dhënave.
Të dhëna e regjistruara në këto sisteme, sipas ZKA-së, mund të jenë në rrezik që të humbin dhe mundësia për kthimin e tyre është e pamundur.
“Mungesa e infrastrukturës mbështetëse-rezervë dhe kopjeve rezervë të sistemeve të informacionit rrit rrezikun e ndërprerjes së funksionimit të sistemeve. Mosvendosja e serverit në rrjetin qeveritar dhe funksionimi i serverit pa mbrojtje së paku me antivirus rrit rrezikun e vazhdimësisë së funksionimit të sistemeve të informacionit dhe për të mbrojtur të dhënat dhe integritetin e tyre nga sulmet kibernetike, fatkeqësitë natyrore apo dështimit të sistemit”, theksohet në raport.