Në emisionin “Puls” të KTV-së, i cili për shkak të debateve për zgjedhje që fillojnë nga nesër në orën 20:00 në KTV, ka ndërruar termin dhe gjatë këtij muaji do të transmetohet të dielave nga ora 20:00, mysafir ishte Sokol Zogaj, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës.
Ai foli për herë të parë për sulmin ndaj tij të ndodhur më 16 gusht të këtij viti, kur dy persona të panjohur e goditën atë me mjete të forta.
“Gjatë tërë karrierës sime, ky është sulmi më i rëndë dhe gjëja më makabre që më ka ndodhur deri më sot. Isha duke dalë nga banesa ime në orën 07:00 në mëngjes duke shkuar në punë si zakonisht. Dy persona, të cilët nuk i kam parë, më kanë sulmuar në hyrje ku është terr. Kanë filluar të më godasin me shkopinj. Krejt çka kam parë ishin shkopinj të bejsbollit me të cilët kanë filluar të më godasin”, nis rrëfimin e tij Zogaj, raporton Koha.net.
Zogaj thotë se sulmi ka zgjatur për disa sekonda ndërsa tregon se gjatë sulmit, ai është mbajtur për mbrojtëset e shkallëve ndërsa ata më pas kanë ikur.
“Pasi kam dalë ngadalë nga hyrja e ndërtesës, ashtu i përgjakur, më ka parë fqinji im dhe më ka dërguar në spital urgjentisht për shkak se kisha gjakderdhje shumë të madhe. Goditjet i kam marrë vetëm në kokë, dhe sikur të kishin zgjatur edhe pak sekonda këto goditje, puna ime kish marrë fund. Qëllimi i tyre ishte të më fusnin në një strehimore aty në hyrje, por ishte e mbyllur dhe atëherë filluan të më godasin vetëm në kokë dhe ka filluar gjakderdhja e madhe. Kam pas disa plagë të rënda në kokë, plagë për të cilat jam shëruar për disa ditë në QKUK”, ka theksuar në “Puls”, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj.
Ai thotë të mos ketë mundur t’i identifikojë sulmuesit, mirëpo ka thënë se informatat që i ka marrë nga mediat ka dalë se kanë qenë dy persona që e kanë sulmuar dhe një që i ka pritur në veturë.
“Flitet që këta sulmues paskan qenë ish të burgosur, mirëpo mua nuk më kujtohet asnjëri prej tyre, nuk i njoh. Policia i ka marrë të gjitha masat dhe tash hetimet janë duke vazhduar”; deklaroi Zogaj, raporton Koha.net.
Drejtori i Burgjeve të Kosovës dyshon se sulmuesit e tij janë të paguar ose janë të shtyrë të bëjnë këtë akt të rëndë. “Ky sulm lidhet direkt me punën time si drejtor i burgjeve dhe asgjë nuk ka të bëjë me jetën private sepse nuk kam pasur telashe”, shtoi ai.
Ai beson se hetimet do të tregojnë se kush qëndron prapa këtyre sulmeve dhe se policia do t’i detyrojë të tregojnë. “Ndoshta jam edhe pengesë e dikujt, sepse dikujt i konvenon anarkia por nuk do e lejojmë”, tha ai.
Zogaj thotë se ka qenë i kritikuar nga disa njerëz pse ka deklaruar pikërisht në emisionin “Puls” se EULEX-it duhet t’i vazhdohet mandati për monitorimin e burgjeve të Kosovës “edhe prapëseprapë sot mendoj se ne nga EULEX-i nuk kemi pas të këqija por vetëm të mira”.
“Kemi pas donacione dhe shumë mbështetje. Dikujt nuk po i pëlqen kjo, dikujt që nuk i konvenon zbatimi i ligjit në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Prej EULEX-it kemi pasur shumë profesionalistë që na kanë ndihmuar në formimin dhe zhvillimin e shërbimit korrektues të Kosovës që nga paslufta e deri më sot”, u shpreh drejtori Zogaj.