E përditësuar në 14:36 - Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, gjatë dëshmisë në Komisionin hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, ka deklaruar se sipas informacioneve që ai ka pagesat e prindërve nga Ministria e Arsimit, për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore ka përfunduar në dhjetor.
“Vështirësia e fillimit të viti shkollor 2023/2024, ka qenë kërkesa e Ministrisë për subvencionim për të cilën kam pasur pakënaqësi që njoftimi ka qenë shumë vonë. Në Komunën tonë deri në dhjetor nuk ka përfunduar çështja me pagesa të subvencionimeve. E kjo ka shkaktuar barrë financiare për prindërit”.
Edhe pse u ftua, Lushaku s’u intervistua nga Komisioni hetimor për tekstet shkollore
Edhe pse u ftua që të intervistohet nga Komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvenciononit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushtaku-Sadriu, nuk u intervistua.
Dëshmitë e saj nuk u konsideruan relevante, pasi që pozitën e drejtoreshës ajo e ka marrë më 5 shkurt 2024 dhe pasi që ajo theksoi se mund të mos kishte të dhëna të sakta. Për këtë arsye Komisioni hetimor parlamentar, do të ftojë për intervistim ish-drejtoreshën e arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati.
“Unë kam marrë detyrën më 5 shkurt të këtij viti. Për periudhën për të cilën jeni duke hulumtuar nuk kam qenë në detyrë. Ka mundësi që nuk i kam të dhënat e sakta”, ka deklaruar Lushtaku në mbledhjen e Komisionin që është mbajtur të hënën.
Deputeti i PDK-së, Bekmi Haxhiu është shprehur se për të pasur një pasqyrë më të mirë rreth procesit të subvencionimit të teksteve dhe mjeteve shkollore duhet të ftohet drejtoresha e cila i ka këto informatat, Besianë Musmurati.
“Pasqyrë më të mirë rreth procesit të subvencionimit të teksteve shkollore ndoshta më mirë është ta intervistojmë drejtoreshën që ka qenë në atë kohë. T’i ftojmë realisht drejtorët që kanë qenë në atë periudhë kohor. Pyetjen e parë që e kam parashtruar është vështirësitë që janë paraqitur. Cilat kanë qenë mungesat e teksteve shkollore në fillim të vitit shkollorë. Subvencionimi ka zgjatur deri në muajin prill 2024. Ndoshta mund të na përgjigjeni vetëm për DKA e Prishtinës. Për ne është e rëndësishme mungesa që ka qenë me libra, kur janë siguruar librat, çfarë ka ndodhur me prindërit të cilët nuk janë subvencioni në fillim të vitit shkollorë, a kanë paguar ata vet, a e konsideromi se shumë 50 euro ka qenë e mjaftueshme për të blerë librat për fëmijët që kanë qenë në këto klasa, sa kanë kushtuar librat për çdo klasë, a ka qenë më e vogël se 50 euro apo më shumë, a janë të obliguar që librat e vitit të kaluar t’i kthejnë prapë në shkollë, a duhet t’i kthejnë edhe ato që i kanë ble me buxhetin e tyre”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, deputeti i LVV-së, Armend Muja i është kundërpërgjigjur Lushtakut duke thënë se dëshmia e saj nuk është relevante.
Drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Lushtaku ka shtuar se është në dispozicion që të përgjigjet për të dhënat që i ka.
“Çfarëdo informacioni që mendoni që ka DKA, iu përgjigjem me shkrim. Ndërsa komunikimet me MASHTI-në i ka bërë drejtoresha paraprake. Unë jam në dispozicion, kam ardhur sot që t’ua tregoj gatishmërinë time”, ka shtuar ajo.
Kryetari i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë që Lushtaku t’i dërgojë përgjigjet me shkrim dhe të ftohet për intervistim ish-drejtoresha.
Të hënën në orën 13:00 Komisioni do të intervistojë përfaqësues të Drejtorisë së arsimit në Komunën e Pejës./KP