Arbëri

Drejtorët e Klinës dëgjojnë nevojat e komunitetit RAE

Tre drejtorë të Ekzekutivit të Klinës, drejtori i Administratës, Binak Sylaj, drejtori i Urbanizmit, Lorenc Marleku, dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Ibër Elezaj kanë mbajtur një takim me banorët e komunitetit RAE në Klinafc të Klinës, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Qëllimi i këtij takimi, siç njoftoi Zyra e informimit të kësaj komune, ishte bashkëbisedimi me banorë të komunitetit RAE të këtij fshatit, njohja nga afër me vështirësitë, preokupimet dhe problemet me të cilat përballen këta banorë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Nga ana e drejtorëve të Ekzekutivit të Komunës së Klinës u është premtuar se kërkesat e tyre do të shqyrtohen dhe se Komuna do të ketë në prioritet disa projekte prioritare dhe se investimet në këtë lokalitet nuk do të mungojnë. Në këtë fshat është një lagje në të cilën jetojnë të kthyerit e këtij komuniteti, para katër vjetëve nga Mali i Zi.

Sipas drejtorit të Urbanizmit, Lorenc Marleku, në përgjithësi në atë lagje i kanë të gjitha kushtet sa i përket infrastrukturës së nevojshme, por që sipas tij ishte një takim që KDI-ja po e organizon për takime me të gjitha komunitetet nëpër vendbanimet e tyre.

“Realisht i kanë kushtet e mira. I kanë të gjitha nga infrastruktura, kanë rrugë, kanalizim dhe ujësjellës. Kërkuan vendosjen e disa shtyllave të rrymës, e që nuk është kompetencë e Komunës”, ka thënë Marleku.