Disa nga drejtorët e klinikave në SHSKUK kanë shprehur pakënaqësi me mënyrën se si trajtohen nëpër mbledhje e takime nga drejtori i përgjithshëm Elvir Azizi. Të paktën dy prej tyre i thanë KOHËS, nën kushtin e anonimitetit, se janë nënçmuar, ndërsa një drejtoreshë e ka ofruar dorëheqjen. E nga drejtoria e SHSKUK-së adresuan akuza në llogari të drejtoreshës së dorëhequr
Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar, Mergime Prekazi-Loxha, ka dhënë dorëheqjen jo vetëm nga pozita e udhëheqëses së Klinikës, por edhe nga SHSKUK-ja.
Ndonëse Prekazi-Loxha dhe menaxhmenti i SHSKUK-së kanë thënë se shkaku i dorëheqjes është i natyrës personale, KOHA ka mësuar nga burimet se vendimit i parapriu një diskutim me drejtorin e përgjithshëm Elvir Azizi. Pos saj, pakënaqësi me mënyrën e trajtimit nga drejtori nëpër mbledhje e takime i kanë shprehur KOHËS, nën kushte anonimiteti, edhe dy drejtorë të tjerë të klinikave.
E nga drejtoria kanë adresuar akuza ndaj drejtoreshës së dorëhequr.
“Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Maksilofaciale, 4 muaj pas ardhjes së drejtorit të përgjithshëm të ri të SHSKUK-së, nuk ka marrë pjesë në asnjërin prej takimeve me drejtorët e klinikave edhe pse ishte e ftuar zyrtarisht, sikurse të gjithë drejtorët e tjerë. Në mbledhjen e fundit, në prani edhe të drejtorëve të tjerë, zëvendësit të Prekazi-Loxhës i është tërhequr vërejtja për mospjesëmarrjen e saj në takime, të cilat janë obliguese”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Nga SHSKUK-ja kanë thënë se ajo ka shfrytëzuar më shumë se kushdo tjetër pushim pa pagesë e, sipas burimeve të KOHËS, ajo këtë e ka bërë për shkaqe shëndetësore.
“E njëjta, nga menaxhmenti i kaluar, si drejtor klinike, ka shfrytëzuar pushim pa pagesë 6 muaj, që nuk ka ndodhur asnjëherë që një drejtor klinike të marrë pushim pa pagesë e që ka ndikuar në efikasitetin e punës në klinikë”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së SHSKUK-së.
Ajo u mbajt indirekt përgjegjëse edhe për mosfunksionimin e sallave të operimit në Klinikë për pesë ditë të javës.
“Në takimin e fundit me drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së i është kërkuar që të jetë e rregullt në takime dhe raportime të rregullta, si të gjithë drejtorët e tjerë, dhe të përgatisë planin e punës për vitin 2024, me theks të veçantë në aktivizimin e programit operativ në 5 ditë të javës, e jo siç është tani, 3 herë në javë. E njëjta, pas takimit me drejtorin e përgjithshëm ka paraqitur dorëheqjen me shkrim, për arsye personale dhe angazhimeve në Fakultetin e Mjekësisë”, thuhet tutje në përgjigje.
Por në disa raste gjatë vitit, nga kjo drejtori konfirmuan se sallat operojnë vetëm tri herë në javë në mungesë të anesteziologëve. Për caktimin e anesteziologëve nëpër klinika përgjegjëse është Klinika e Anesteziologjisë. Lidhur me këtë KOHA i ka adresuar pyetje shtesë Drejtorisë së SHSKUK-së rreth llogarisë që iu kërkua drejtoreshës për çështjen.
“Përgjegjësia e saj nuk ka të bëjë me anesteziologët, meqë ata menaxhohen nga klinika përkatëse. Planet e punës për vitin 2024 kërkohen me qëllim të riorganizimit dhe shfrytëzimit optimal të resurseve njerëzore, atyre teknike, dhe janë bazë mbi të cilën krijohet një plan veprimi i përgjithshëm në nivel të QKUK-së”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Prekazi-Loxha nuk e ka komentuar takimin me drejtorin, porse ka thënë se në dorëheqje e kanë shtyrë arsyet personale.
“Arsyet e dorëheqjes sime janë personale, ashtu edhe e kam cekur në kërkesën për dorëheqje”, ka deklaruar ajo.
E në pyetjet e KOHËS rreth ankesave të edhe dy drejtorëve të tjerë mbi mënyrën e trajtimit nga drejtori i përgjithshëm Azizi, nga SHSKUK-ja nuk kanë kthyer përgjigje.