Është shpallur lista me tre kandidatë fitues për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në AAC, për njërin nga të cilët do të vendosë Qeveria. Aviacioni Civil dhe Komisioni Shtetëror për Pranim kanë përzgjedhur pikërisht kandidatët që, sipas monitoruesve në kuadër të projekti britanik “Corrwatch”, nuk e plotësojnë kriterin e përvojës së punës.
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) bashkë me Komisionin Shtetëror për Pranim në pozita të larta drejtuese i kanë shpallur fitues për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në AAC tre kandidatë të cilët, sipas projektit britanik “Corrëatch”, nuk i plotësojnë kriteret.
Për këtë pozitë me pikët maksimale janë poentuar Alban Ramabaja, Matej Krasniqi dhe Istref Nimani, të cilët, sipas raportit të “Corrwatch”, nuk e plotësojnë kriterin e përvojës së punës.
Me konkurs janë kërkuar tetë vjet përvojë punë profesionale, prej tyre 5 në pozita drejtuese, apo katër në pozita drejtuese dhe diplomë masteri. Ose tre vjet përvojë pune në pozita drejtuese dhe doktoratë.
Sipas “Corrwatch”, Alban Ramabaja ka vetëm katër vjet e një ditë përvojë pune.
Matej Krasniqi nuk i ka katër vjet të plota përvojë, si dhe nuk e ka dëshmuar atë me pasqyrën e pagesave në Fondin e Kursimeve Pensionale apo të obligimeve tatimore, në përputhje me ligjin në fuqi.
Ndërkaq Istref Nimani për kriterin e përvojës menaxheriale nuk ka shpalosur dokumente valide të nënshkruara apo të vulosura nga institucioni ku ka punuar. Sipas raportit, nuk ka vënë në dispozicion as dokument identifikues se është shtetas i Kosovës, siç është kërkuar në konkurs.
Këta tre kandidatë që nuk i plotësojnë kriteret, gjatë fazës së verifikimit paraprak AAC-ja i përfshiu në listë të ngushtë, bashkë me katër të tjerë të cilët pavarësisht se i kanë plotësuar kriteret, nuk janë treguar mjaftueshëm të mirë në testim dhe intervistim.
Tre emrat e kandidatëve fitues do t’i dërgohen ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, për rekomandimin e njërit prej tyre te Qeveria.
Safete Selmani, udhëheqëse e Njësisë së Burimeve Njerëzore në AAC dhe anëtare e Komisionit shtetëror për pranim, mohoi se është favorizuar apo diskriminuar dikush nga kandidatët. Por, nuk i komentoi gjetjet e “Corrwatch”.
“Ne jemi të obliguar të zbatojmë dispozitat ligjore të ligjit dhe akteve nënligjore, ndërkohë që nuk dëshirojmë të komentojmë “Corrwatch”, lidhur me këtë, sepse ne kemi obligim që të zbatojmë ligjin. Për më tepër paragrafi 10 i nenit 47 Ligjit 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, kandidatet/ët e pakënaqur me procesin e rekrutimit, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare kanë të drejtë ankese në KPMShCK sipas afatit të përcaktuar në ligjin përkatës”, ka thënë Selmani.
Pyetje u janë dërguar të mërkurën edhe katër anëtarëve të tjerë të Komisionit Shtetëror për pranim dhe ministrit Liburn Aliu, por asnjë nga ta nuk ka kthyer përgjigje.
KOHA ka raportuar në fillim të qershorit se për dyshimet për shkelje gjatë këtij procesi, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka autorizuar Policinë e Kosovës të nisë një hetim parapenal.
Në Prokurori thanë se rasti është ende në trajtim.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë është në vazhdën e trajtimit të kësaj çështjeje, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Pavarësisht hetimit, Komisioni Shtetëror i ka çuar deri në fund procedurat e rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të AAC-së.
Hetimit i parapriu thirrja e Ambasada Britanike, e cila mbështet projektin për monitorimin e emërimeve në pozita të larta drejtuese. Kjo, pasi monitoruesit gjetën se nga 10 kandidatët që kanë aplikuar, AAC gjatë vlerësimit ka filtruar fillimisht vetëm 4 nga ta, e më pas ka futur në listë të ngushtë edhe 3 të tjerë të cilët nuk e plotësojnë kriterin e përvojës së punës.
Në një përgjigje që Ambasada e ka dhënë për KOHËN, theksohej se nëse procesi nuk rishqyrtohet, duhet të aktivizohet hetuesia.
“Projekti ka gjetur se tre kandidatë të cilët janë shtuar në listë më vonë, nuk i kanë plotësuar kriteret, andaj kërkon që procesi të rishikohet sepse kjo paraqet shkelje ligjore. Nëse procesi nuk kthehet në rishikim, u mbetet organeve të drejtësisë të vlerësojnë validitetin e procesit dhe shkeljet e identifikuara nga projekti”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Por, përveç shkeljeve në proces, është vlerësuar të jetë e kundërligjshme edhe përbërja e Komisionit.
Naser Shamolli është hulumtues i lartë në Grupin për Studime Juridike dhe Politike dhe ka thënë se në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë, Qeveria ka themeluar komisione me anëtarë që janë ushtrues detyre.
“Një nga kriteret bazë që është te përbërja e komisioneve, thuhet decidivisht që tre nga anëtarët duhet të jenë nëpunës civilë në pozita të larta drejtuese... Mospërmbushja e këtij kriteri që përbërja e komisionit duhet të jetë me anëtarë nga niveli i lartë drejtues, çon në paligjshmëri dhe e dëmton, e cenon komplet procesin që supozohet të prodhojë meritokraci dhe të sjellë kandidatë seriozë për këto pozita”, ka thënë Shamolli.
Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjegjës për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë.
Në gusht të 2023-s, drejtori i AAC-së, Bujar Ejupi, ishte shkarkuar nga Qeveria.