Si ndërkombëtarët ashtu edhe vendorët dështuan të përmbushin premtimet dhe përgjegjësitë profesionale për luftimin e krimit e të korrupsionit. Jo vetëm që nuk kapën “peshqit e mëdhenj”, por doli se korrupsioni kishte zënë vend edhe brenda vetë policisë, prokurorisë e gjykatave. Dëshpëruese në këta 15 vjet shtet janë edhe rezultatet e hetimit të krimeve të luftës, përfshirë edhe të dhjetëra masakrave
Kosova më së paku ka arsye të mburret me rezultatet 15-vjeçare në fushën e drejtësisë. Ky sektor që paslufte u kontrollua nga misioni i OBK-së, në vitet e para të pavarësisë u menaxhua nga misioni i BE-së (EULEX), e më pas nga autoritetet e vendit. Si ndërkombëtarët ashtu edhe vendorët dështuan të përmbushin premtimin dhe përgjegjësitë profesionale për luftimin e krimit e të korrupsionit. Jo vetëm që nuk kapën “peshqit e mëdhenj”, por doli se korrupsioni ishte futur thellë brenda vetë policisë, prokurorisë e gjykatave.
Shumica e zyrtarëve të lartë, të akuzuar për korrupsion ose u liruan nga akuzat, ose lëndët e tyre u parashkruan. Për disa raste gjykimet janë ende në proces, ani që kanë kaluar gati 10 vjet nga nisja e tyre.
Dëshpëruese janë edhe rezultatet e hetimit të krimeve të luftës, përfshirë edhe të dhjetëra masakrave që janë evidentuar nga organizatat e huaja.
EULEX-i, hetime e aktakuza
Kosova, shteti më i ri në botë, në vitin 2008 kishte nevojë urgjente që të ndërtonte një sistem të qëndrueshëm të drejtësisë. Ndërtimin e kësaj shtylle do ta ndihmonte Bashkimi Evropian.
Pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë, në shkurtin e vitit 2008, BE-ja solli në Kosovë misionin e EULEX-it, që kishte përgjegjësinë të ndante drejtësinë dhe të ndihmonte në aftësimin profesional të prokurorëve e gjyqtarëve. Në nëntorin e po atij viti ky mision u bë plotësisht funksional.
Disa muaj pas funksionalizmit të plotë të këtij misioni, u vë në pikëpyetje legjitimiteti i tij. Shkak u bë një marrëveshje mes EULEX-it e Serbisë me fusnotën - kjo vuri në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës. Marrëveshja kishte të bënte me bashkëpunimin e EULEX-it me autoritetet serbe në luftimin e të gjitha formave të krimit në Kosovë, e për të cilën thuhej se është në përputhje me Rezolutën 1244.
Krahas statusit neutral të EULEX-it, asokohe kjo shkaktoi shqetësim e reagim të ashpër në Kosovë. Dyshimi për mënyrën se si ishte pozicionuar misioni nxiti protesta të dhunshme, përfshirë sulmet ndaj automjeteve të EULEX-it. Protestuesit ishin kryesisht aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët u arrestuan, u mbajtën në burg e u gjykuan, por pa vendim përfundimtar. Lënda ndaj tyre u parashkrua.
Misioni i EULEX-it në 2008 ka filluar punën me 3000 zyrtarë. Në vitin 2010 do t’i zgjatej mandati edhe për dy vjet. Mandati edhe për dy vjet të tjerë iu zgjat edhe në vitin 2012, por tash me staf gati të përgjysmuar - gjithsej 1600 veta.
Motoja që e identifikonte punën e EULEX-it ishte “lufta ndaj krimit të peshqve të mëdhenj”. Por pas më shumë së një dekadë të ekzistencës së tij, misioni nuk dha prova të mjaftueshme për qëllimin e tij.
Rasti i parë me të cilin do të përballej ky mision ishte dyshimi për trafikim të organeve që po bëheshin në Kosovë. I quajtur rasti Medikus, për shkak të emrit të klinikës ku po kryheshin këto raste, u kthye në fokusin e mediave me të rëndësishme botërore.
Rasti ishte zbuluar krejt rastësisht. Një 23-vjeçar turk me emrin Yilmaz Altun po planifikonte të udhëtonte përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Një pyetje e rëndomtë e një pjesëtari të Policisë së Kosovës për këtë 23-vjeçar bëri që ky skandal të zbulohej. Ai i kishte rrëfyer policit që në Kosovë kishte ardhur për të transplantuar njërën veshkë në klinikën “Medicus” në Kosovë. Hetimet intensive zbuluan një rrjet trafikimi të organeve. Autoritetet burgosën 10 persona. Rreth 15 vjet pas, rasti ende nuk ka vendim përfundimtar të gjykatës.
Historiku i drejtësisë në Kosovë për këta 15 vjet është i ngjashëm si ky rast.
Hetime e aktakuza mjaft, por fare pak rezultate konkrete për ata që quheshin “peshqit e mëdhenj” të politikës kosovare.
Padrejtësi për krimet e luftës
Në fillim të vitit 2010, misioni i EULEX-it ka lëshuar komunikatë për media. Përmes saj e ka shpjeguar prioritetin kryesor të tyre.
“EULEX-i çështjeve për krime lufte u ka dhënë përparësi të madhe, në veçanti në gjetjen e mbetjeve mortore të individëve që ende figurojnë të zhdukur që nga konflikti i 1998-1999 dhe më pas”.
Por rezultatet në zbardhjen e krimeve të luftës ishin dëshpëruese.
Sipas Qendrës për të Drejtën Humanitare, gjatë Luftës në Kosovë, 13,535 persona u vranë ose u zhdukën. Ky numër përfshin 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë dhe 526 anëtarë të bashkësive të tjera etnike. Të paktën 74 raste të vrasjeve masive në Kosovë janë evidentuar nga organizata të pavarura. Për shumicën prej tyre mungoi drejtësia.
Këto krime sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi janë ndjekur në masë shumë të vogël. Sipas kësaj organizate nga tetori i vitit 1999 e deri në qershor të vitit 2020, kanë qenë gjithsej 117 të akuzuar. Nga ky total i numrit të të akuzuarve, 62 prej tyre janë shqiptarë, 49 serbë, 5 malazezë dhe një nga komuniteti RAE. Përderisa nga 117 të akuzuar, 40 prej tyre janë dënuar për krime lufte nga gjykatat, prej të cilëve 35 shqiptarë, 4 serbë dhe një malazias.
Për masakrat si ato në Prekaz, Reçak, Izbicë, Rezallë... nuk janë dënuar përgjegjësit.
E ndërkohë EULEX-i ngriti aktakuza e gjykoi përfaqësues të lartë të UÇK-së nën akuzat për krime lufte kundër civilëve.
Rasti “Drenica 1” e “Drenica 2” patën vëmendjen e madhe të publikut.
Të akuzuar ishin: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Sabit Geci, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku, Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaqi. Për shkak të numrit të madh të akuzuarve, rasti ishte ndarë në dy pjesë: “Drenica 1” ku bënin pjesë: Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Sabit Geci, Avni Zabeli dhe Jahir Demaku, si dhe “Drenica 2”, ku bënin pjesë Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku, Jahir Demaku, Nexhat Demaku, Zeqir Demaku, Sylejman Selimi dhe Isni Thaqi.
Pas vite të tëra të gjykimit, dy personat me të rëndësishëm në hierarkinë e UÇK-së tek rasti “Drenica 1 e 2” morën vendimin e gjykatës. Ish-komandanti Sulejman Selimi u dënua me tetë vjet burg e Sami Lushtaku i angazhuar paslufte edhe në politikë u lirua nga akuzat.
Për krime lufte, më 25 korrik 2011, aktakuzë ishte ngritur edhe kundër dhjetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së: Arben Krasniqit, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit, Behlul Limajt, Fatmir Limajt, Refki Mazrekut, Naser Shalës, Sabit Shalës, Shaban Shalës e Besim Shurdhajt. Në vitin 2016, në mungesë të provave ata u liruan nga akuzat.
Më 11 gusht 2014, EULEX-i kishte ngritur aktakuzën ndaj Oliver Ivanoviqit, Dragoljub Delibashiqit, Nebojsha e Ilija Vujaçiqit, si dhe Aleksandar Llazoviqit. Ishin mbajtur mbi 60 seanca gjyqësore, por pa epilog përfundimtar. Ivanoviqi u vra vite me vonë, ndërsa për këtë gishti u drejtua nga persona me precedent kriminal të veriut por që kanë mbështetjen e pushtetit të Serbisë.
Në vitin 2002 ishte ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj popullatës civile për njëmbëdhjetë (11) pika ndaj Latif Gashit, i njohur si me nofkën “komandant Lata”, Nazif Mehmeti me nofkë “Drini”, Naim Kadriu me nofkë “ Lumi”, dhe Rrustem Mustafës me nofkën “Komandant Remi”. Tre nga ta u dënuan. Më 7 qershor 2013, Latif Gashi ishte dënuar me gjashtë (6) vjet burgim, Rrustem Mustafa me katër (4) vjet burgim, kurse Nazif Mehmeti me tre (3) vjet burgim.
Në vitin 2018, mandati i EULEX-it u zgjat edhe për dy vjet të tjera për atë që shpresohej të ishte fundi i operimit të tij në Kosovë. Në të vërtetë misioni hoqi dorë prej disa funksioneve ekzekutive, duke ia bartur ato autoriteteve të Kosovës. Vazhdoi punën me monitorimin e shërbimit korrektues dhe të shkresave të lëndëve që ishin dorëzuar para dorëzimit të çështjeve. EULEX-i gjithashtu vazhdoi të ofronte mbështetje për Policinë e Kosovës duke ruajtur disa përgjegjësi ekzekutive. Por, përkundër pritjeve se EULEX-i do të tërhiqej nga Kosova në vitin 2020, mandati i tij është zgjatur edhe për një vit tjetër, përkatësisht deri në qershor 2021.
EULEX-i në vitin 2018 transferoi dosjet për krime lufte tek Prokuroria Speciale. Prokurorët vendorë u ankuan për punën e këtij misioni ndërkombëtar.
“Që nga qershori 2018, Prokuroria Speciale ka marrë kompetenca për të ndjekur penalisht krimet e luftës. Nga ajo kohë deri në fund të vitit 2018 EULEX-i i ka transferuar afro 900 lëndë të krimeve të luftës. Bazuar në mungesën e progresit në fushën e krimeve të luftës gjatë mandateve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, Aleksandër Lumezi (Kryeprokurori i Shtetit v.j.) ka hartuar strategjinë për ndjekjen penale të krimeve të luftës. Gjendja aktuale e trashëguar në këtë fushë kërkon që të qasemi me strategji”, kishte thënë prokurorja speciale që merret me hetimin e krimeve të luftës, Drita Hajdari, në një nga mbledhjet e Këshillit Prokurorial.
Dështimi i adresimit të krimeve çoi në krijimin e Speciales
Ndonëse që nga paslufta kompetencat për hetimin e krimeve të luftës i kishin misionet si ai i UNMIK-ut e me pas i EULEX-it, ndërkombëtarët megjithatë e bënë Kosovën përgjegjëse për dështimin dhe mungesën e rezultateve në këtë sektor.
Shkaktar u bë një raport i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, që më vonë është miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Marty pretendonte se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99. Raporti përmend në veçanti ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Këto pretendime me vonë u hetuan nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.
Megjithatë presioni i partnerëve ndërkombëtarë në raport me Kosovën për të themeluar Gjykatën Speciale që do të gjykonte krerët e UÇK-së për krime lufte ishte i madh.
Përfaqësues të Bashkimit Evropian e të ShBA-së kishin kërkuar dhe këshilluar popullin e Kosovës dhe përfaqësuesit politikë se zgjidhja më e mirë për të adresuar pretendimet e ngritura nga senatori zviceran në raportin e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, lidhur me supozimet për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, ishte themelimi i një Gjykate Speciale nga Kuvendi i Kosovës.
Për rrjedhojë, në vitin 2015, është marrë vendimin për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, që do të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Rreth 5 vjet më pas, Gjykata Speciale me seli në Hagë, e themeluar nga institucionet e Kosovës por pa asnjë të punësuar shqiptar nis të japë rezultatet e para.
Më 24 qershor 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte duke udhëtuar me avion për të marrë pjesë në një takim të rëndësishëm zyrtar. Nga Prishtina për në Frankfurt e me pas nga aty për në SHBA ishte linja që do ta ndiqte. Ai po planifikonte të udhëtonte për në SHBA për të marrë pjesë në takime që kishin të bënin me dialogun Kosovë-Serbi. Atë ditë Gjykata Speciale lëshoi komunikatën ku bëhej e ditur se kundër Thaçit në prill të vitit 2020 ishte ngritur aktakuzë për krime lufte dhe e njëjta ishte dorëzuar tek gjyqtari për konfirmim siç e përcakton ligji.
“Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Një gjyqtar i procedurave paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës po shqyrtonte aktakuzën për të vendosur nëse do të konfirmojë akuzat
Disa muaj më pas aktakuza u konfirmua. Ish-presidenti Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, si dhe ish-deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, u arrestuan. Paraprakisht ishte arrestuar ish-komandanti i njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa e Pjetër Shala, një tjetër ish-ushtar i UÇK-së. Nga Specialja u arrestuan edhe ish-krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, por këta për pengim në administrimin e drejtësisë. Mustafa, Gucati e Haradinaj tashmë janë dënuar nga kjo gjykatë. Për pjesën tjetër gjykimet po vazhdojnë.
Korruptimi i EULEX-it
Misioni ndërkombëtar i EULEX-it pati premtuar edhe dënimin e “peshqve të mëdhenj të korrupsionit”, që mendohej si aludim ndaj politikanëve që asokohe qeverisnin vendin.
Një nga rastet me të bujshme të hetimit të korrupsionit nga EULEX-i ishte rasti i njohur si “MTPT” që ishte akronimi i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomit. Kryeprotagonisti i kësaj afere ishte ministri i atëhershëm Fatmir Limaj. Ai u arrestua për korrupsion në lidhje me disa tenderë të infrastrukturës. Limaj dhe të tjerët gati 8 vjet nga arrestimi u shpallën të pafajshëm.
Po gati 10 vjet më herët njëri nga problemet që u ngrit si çështje për hetime ishte tjetërsimi i pronave milionëshe. Në krimet e kësaj natyre përfshiheshin edhe gjyqtarë që trajtonin raste të tilla. Prej aferave më të njohura të kësaj fushe ishte inkriminimi i gjyqtarit Nuhi Uka. Ai bashkë me nëntë të akuzuar të tjerë u dënuan për keqpërdorim pronash të ish-Kombinatit Bujqësor Industrial “Kosova Export”. Nuhi Uka akuzohej se kishte shfrytëzuar ndikimin e tij në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ishte kryetar, për t’i mundësuar mikut të tij përvetësimin e paligjshëm të një prone në Prishtinë. Tutje ai akuzohej se kishte përdorur familjarët e gruas, për të kaluar pronësinë në emër të djalit të tij.
Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, ishte akuzuar nga një prokuror ndërkombëtar për tjetërsim të pronës shtetërore, vlera e së cilës llogaritej rreth 60 milionë euro. Ai u dënua me kusht. Pjesa kryesore e veprave penale i janë parashkruar për shkak të zvarritjeve.
Procesi i privatizimit në Kosovë cilësohet po ashtu si një nga proceset me korruptive në Kosovë. Përgjatë viteve prona shoqërore është shitur me çmime absurde, madje me blerës që vinin nga persona me ndikim në politikë dhe pushtet. Shpesh një ar tokë është blerë nga një euro. Por prokurorët e EULEX-it ishin pasivë në ndjekjen e krimeve të kësaj natyre.
Në kohën kur çështja e parregullsive në procesin e privatizimit ishte aktuale në Kosovë, u gjet i plagosur në shtëpinë e tij kryeshefi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.
Ai kishte 11 plagë që dolën të jenë vdekjeprurëse. Në vendin e ngjarjes ishte gjetur thika e një letër që pretendohej që ishte shkruar nga Asanaj. Në këtë letër përmendeshin emrat e disa biznesmenëve që ishin të përfshirë në procese të privatizimit e që kalonin përmes AKP-së që drejtohej nga Asanaj. Në Kosovë kishte shumë diskutime nëse vdekja e këtij ish-zyrtari të lartë ishte vrasje ose vetëvrasje. Kjo për faktin që bëhej fjalë për 11 goditje. Megjithatë raporti i autopsisë e cilësoi si vetëvrasje, ndërsa arsyet nuk u zbardhen kurrë nga EULEX-i.
Të tjera krime të rënda mbetën të pazbardhura gjatë viteve të para të Kosovës shtet.
Brenda periudhës trevjeçare dy herë u vodhën dhomat e dëshmive në kuadër të Policisë së Kosovës.
Në prillin e vitit 2009 cak i hajnisë ishte Dhoma e Dëshmive në Policinë e Kosovës në Prishtinë, ku mes tjerash ishin vjedhur mbi 47 kilogramë heroinë. Për këtë rast ishin hetuar 13 persona, por askush asnjëherë nuk është dënuar.
Tre vjet më vonë, po në muajin prill, në Stacionin e Policisë në Pejë u vodhën 25 kilogramë ari. U hetuan gjashtë persona por askush nuk u dënua.
Një nga kontratat më të dëmshme e që ishte cilësuar edhe kriminale ishte kontrata e Telekomit me kompaninë “Z-Mobile “që asokohe drejtohej nga vëllezërit Blerim e Shkëlqim Devolli. Kjo kontratë i mundësonte fitime të paligjshme kompanisë private e humbje Telekomit.
EULEX-i e hetoi këtë rast. Por në vitin 2013 një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët e EULEX-it dhe të Kosovës i liroi nga akuza pesë të pandehur në rastin e ashtuquajtur PTK. Blerim Devolli, Shkëlqim Devolli, Ismet Bojku, Shyqyri Haxha dhe Rexhë Gjonbalaj u liruan nga të gjitha akuzat e ngritura kundër tyre.
Në periudhë përafërsisht të njëjtë një tjetër kompani që ishte në pronësi të familjes Devolli përfitoi nga shteti i Kosovës.
Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Kjo kontratë është nënshkruar nga ish-ministri Fatmir Limaj. Ministria i kishte lëshuar kompanisë edhe një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019. Ky proces që i solli përfitime milionëshe kompanisë private nuk është trajtuar seriozisht asnjëherë nga prokurorët vendorë e ndërkombëtarë.
EULEX-i ishte paksa më i zëshëm në hetimet në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në janarin e vitit 2012 u arrestuan Ilir Tolaj, sekretari i atëhershëm në MSH, Zenel Kuçi udhëheqës i Zyrës së Prokurimit dhe Hajrullah Fejza e Bekim Fusha, udhëheqës të Njësisë Farmaceutike – të gjithë nën dyshimet për përfshije në korrupsion me tenderët e barnave.
Dhjetë me vonë kjo aktakuzë u hodh poshtë.
Por, më 2014 një hulumtim i KOHËS ngriti dyshimet për korrupsion brenda EULEX-it, në hetimin e këtij rasti në MSH, e edhe disa rasteve të tjera.
Në dokumentet e zbuluara nga “Koha Ditore” dhe deklaratat e ish-prokurores së këtij misioni Maria Bamieh, flitet për tri ngjarje të ndryshme mes viteve 2011 dhe 2013, në të cilët zyrtarë të EULEX-it -it kanë bashkëpunuar me kriminelët e dyshuar, morën ryshfet për të mbyllur raste dhe prishën një hetim të punëve të brendshme.
EULEX-i rolin aktiv në hetimin e gjykimin e “peshqve të mëdhenj” e përfundoi në mënyrë të turpshme – duke u kthyer në institucion që kishte në përbërje të vet “peshqit e mëdhenj të korrupsionit”.
Pushteti i të korruptuarve mbi drejtësinë
Në vitin 2015 përgjegjësia për drejtësi kalon në supet e prokurorëve dhe gjyqtarëve vendorë. U cilësua si kapitull i ri në fushën e drejtësisë. Pjesë e rëndësishme ishte zgjedhja e kryeprokurorit të ri, Aleksandër Lumezi, një figurë asokohe e pakontestuar. Ardhja e tij në këtë pozitë pas një beteje më shumë se njëvjeçare ishte shpresë për reformë.
Lumezi në këtë pozitë erdhi në prillin e vitit 2015. Por që në muajt e parë ai dha indikacione se nuk duhet ushqyer pritje të mëdha. Në mandatin e tij 7-vjeçar si Kryeprokuror i Shtetit u arrestuan, u akuzuan dhe u liruan shumë persona të rëndësishëm. Madje, organi i ndjekjes akuzoi për korrupsion edhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, por i cili doli i pafajshëm.
I pafajshëm u shpall edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, për të cilën u ngrit aktakuza, ashtu si edhe ish-kryetarët e komunave: Sami Lushtaku, Pal Lekaj, Sokol Bashota, Lutfi Haziri e Agim Bahtiri, ndaj disa prej të cilëve pati edhe vendime për pushimin e hetimeve.
Për të mos qenë tabloja krejt zi, institucionet e drejtësisë dënuan me 2 vjet burg me kusht ish-kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, i akuzuar për korrupsionin.
Të shumta ishin rastet kur gjyqësori interpretoi ligjin në favor të të akuzuarve. Instanca më e lartë, ajo e Gjykatës Supreme konstatoi raste të tilla, porse ligji në Kosovë nuk parasheh masa kur të akuzuarit lirohen jashtëligjshëm nga gjyqtarët.
Gjyqësori i udhëhequr nga vendorët parashkroi shumë raste të profilit të lartë, e disa të tjera i kanë lënë në pritje të vendimit në periudha nga 5 deri në 10 vjet.
Drejtësia ka nëntë vjet që mban të hapur procesin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova i akuzuar për korrupsion. Janë bërë 7 vjet që nuk është mbyllur as rasti i njohur si “Stenta”, ku akuzohen për korrupsion dhjetëra kardiologë të sistemit publik. Po aq vite drejtësia nuk e thotë fjalën e vet as për ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla, i akuzuar për dallavere me shitjen e pronave në një nga lagjet me të shtrenjta të Prishtinës.
Një nga aferat më të mëdha të Kosovës shtet është ajo e njohur si “Falja e hidrocentraleve”. Katër hidrocentrale iu falën konsorciumit turk “Limak- Çalik” që privatizoi rrjetin e distribuimit në KEDS. Nënshkrimin për këtë vendosën ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiqi, Besim Beqaj, Dardan Gashi, si dhe drejtuesit e KEK-ut, Fllanza Hoxha e Arben Gjukaj. Ata janë liruar nga shkalla e parë e Apeli ende nuk ka vendosur derisa lënda do të parashkruhet për më pak se 3 muaj.
Në gjykatë janë parashkruar edhe akuzat për korrupsion të ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja.
Që 5 vjet gjyqësori nuk ka vendosur as për rastin e njohur si ”veteranët e rrejshëm”, të cilët i kishte identifikuar në vitin 2018 ish-prokurori special Elez Blakaj. Ky prokuror dha dorëheqje disa ditë pasi e hartoi aktakuzën për këtë rast ku përfshiheshin 12 anëtaret e komisionit që verifikuan listat e veteranëve. Dëmi nga ky proces çdo vit dyshohet se arrin në afro 40 milionë euro.
Prokuroria e gjyqësori u atakuan nga një rast. Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, në disa përgjime të publikuara dëgjohej duke folur për zgjedhje të gjyqtarëve e në një rast përmendte edhe afërsinë me ish-kryeprokurorin, Aleksandër Lumezi. Në të njëjtat përgjime flitej për punësime masive të jashtëligjshme.
Pas presionit publik Prokuroria e Shtetit nisi hetime e ngriti aktakuzë që u konsiderua nga njohësit e fushës penale si nga më të dobëtat në histori. Të gjithë të akuzuarit e këtij rasti që në publik njihet si “Pronto” u liruan nga akuzat.
As hallka e parë e hetimit nuk arriti të mbante distancë nga politika. Policia e Kosovës u akuzua si e politizuar. Ish-drejtori Shpend Maxhuni konsiderohej i afërt me ish-presidentin Hashim Thaçi. E dy ish-drejtorë të tjerë, Behar Selimi e Rashit Qalaj, i “vërtetuan” vetë dyshimet për anim politik, pas shkarkimeve u akomoduan në ulëset e deputetëve të PDK-së.
“Shkon Lumezi, (s)vjen Elezi”
Në vitet e fundit drejtësia e politika komunikuan në distancë me njëra-tjetrën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emrin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, në vitin 2019 e bëri pjesë të fushatës politike. Parulla “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, sipas Kurtit, është frazë se mendësia e punës në Prokurorinë e Shtetit do të ndryshonte.
Lumezi shkoi në prillin e vitit 2022, sepse e përfundoi mandatin e ligjërisht nuk pati të drejtë për të rikandiduar. U përpoq që ta impononte për kryeprokuror të ri, përkatësisht Blerim Isufajn i cili aktualisht udhëheq Prokurorinë Speciale. Emri i tij është votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës qe gati rreth një vit, por është bllokuar për dekretim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ligjërisht ajo nuk ka afat se kur mund të vendosë për dekretimin ose jo. Por ndërlidhja që i bëhet kësaj vonese është Ligji për Prokurorinë e Shtetit që është në filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
Vetëvendosje aktualisht e ka të rëndësishme Ligjin e ri për Prokurorinë, i cili ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Me këtë ligj do të mund të ndërrohej përbërja aktuale, gjë që do ta bënte të vështirë vazhdimin e garës së Isufajt për pozitën më të rëndësishme në sistem.
Ligji i vjetër e përcaktonte numrin e anëtarëve të këshillit në 13, 10 prej tyre prokurorë, duke e përfshirë kryeprokurorin e Shtetit, pastaj një anëtar nga Oda e Avokatëve, një anëtar - profesor universitar i drejtësisë dhe një anëtar - përfaqësues nga shoqëria civile.
Zvogëlimi i numrit të anëtarëve të Këshillit, që parashihet me ligjin e ri, është njëri ndër ndryshimet më thelbësore e që i pati përplasur pozitën e opozitën. Ka përplasur edhe Qeverinë e Kosovës me Këshillin Prokurorial.
Gjykata Kushtetuese tashmë ka kaluar afatin për vendimmarrje.
Me ligjin e ri një pjese të anëtarëve të Këshillit Prokurorial do t’u ndërpritej mandati. Një gjë e tillë do ta shpërbente atë që në diskursin publik njihet sikur “grupi i Lumezit”.
Qeveria Kurti erdhi me premtimin kryesor - vetting të plotë në sistemin e drejtësisë. Por, ky premtim përfundimisht u kuptua që nuk do të jetësohej në këtë mandat. Nga vettingu i plotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kryeministri Kurti u angazhuan për vetting të pjesshëm që do t’u bëhet udhëheqësve të prokurorive e gjykatave, si dhe këshillave të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
Ky diskurs është ndikuar edhe nga Komisioni i Venecias, i cili njëherë ishte kundër, e në qershorin e vitit 2022 dha dritën e gjelbër që vettingut t’i nënshtroheshin vetëm kryeprokurorët, kryetarët e gjykatave, anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe ata të Këshillit Gjyqësor.
Viti 2023 nis me një hap konkret për realizimin e një premtimi të kamotshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e dytë të shkurtit e kanë miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Me miratimin e këtij ligji krijohet mekanizmi për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pa pasur nevojë për një dosje penale që ka përfunduar me një dënim nga gjykata. LVV-së iu deshën votat e LDK-së për ta kaluar këtë projektligj, e në anën tjetër PDK-ja pritet që ta sfidojë duke e dërguar për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese.
Pavarësisht nismave ligjore, drejtësia në praktikë nuk ka shumë ndryshime.
Në vitin 2022, asnjë zyrtar i lartë nuk përfundoi i dënuar për korrupsion.
Gjatë muajit shkurt, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai akuzohet për përfshirje në korrupsion në aferën e njohur si pagesa e 53 milionë eurove shtesë për konsorciumin “Bechtel Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Akuza ndaj tij lidhet me faktin se kishte në dorë një opinion ligjor ku i thuhej që të mos e bënte pagesën, por zgjodhi ta fshihte dhe t’ia kalonte këtij konsorciumi 53 milionë euro.
Në hetimin e këtij rasti ishin angazhuar dy prokurorë specialë, paga mujore e të cilëve sillet rreth 3 mijë euro. Por këtyre dy prokurorëve u iku një dokument që gjendej në shkresat e rastit që po hetonin. Një dëshmi e dhënë për hetuesinë tregonte që përveç 53 milionëve, pa procedurë e bazë ligjore ishin paguar edhe 44 milionë euro. Për këtë, filluan hetimet vetëm pas raportimit të KOHËS.
Gjykimi në rastin e parë filloi, por me ritëm të ngadaltë. Dështuan shumë seanca, në shumicën e rasteve për arsye jo fort të qëndrueshme. Për rastin e parë gjykimi me shumë mundësi mund të marrë epilog në vitin 2023. Për pjesën e 44 milionë eurove hetimi është duke vazhduar. Afati ligjor për të përfunduar këtë hetim është edhe 24 muaj. Rasti është duke u udhëhequr nga prokurori special Rafet Halimi. Ai është një prokuror që në të kaluarën nuk ka qenë shumë i njohur deri në rastin “Subvencionet” me grantet në bujqësi. Ai konsiderohet si një nga prokurorët me rastet me të mëdha të korrupsionit.
Viti megjithatë u shoqërua me shumë aksione për persona të përfshirë në ndërtime pa leje në zonën e Brezovicës. U arrestuan zyrtarë shtetërorë e biznesmenë me dyshimin se morën leje ndërtimore duke paguar ryshfet. Hetimi i prokurorit Rasim Maloku është një nga më të mëdhenjtë e pasluftës. Edhe Maloku nuk ka qenë i njohur për publikun deri tash.
Vitet në vijim do të dëshmojnë nëse këto hetime do të përfundojnë si “spektaklet” që Prokuroria e Shtetit i shfaqi jo rrallëherë në të kaluarën. Apo se reformat e premtuara bashkë me vettingun do të shënojnë kthesën e madhe në sektorin që i ka bërë shumë dëm shtetit, e po ashtu do të ndryshojnë perceptimin e vazhdueshëm të qytetarëve për gjyqësorin dhe prokurorinë si për institucione që më së paku u zihet besë.