Në mungesë të konsensusit, Kuvendi i Kosovës rrezikon të mbetet i paralizuar edhe pas përpjekjes së tetë, që mbahet të martën, duke shtyrë më tej hapjen e rrugës për formimin e qeverisë së re. Njohës të zhvillimeve thonë se rrugëzgjidhja duhet të kërkohet te paragrafi i fundit i letrës së presidentes Vjosa Osmani, ku ajo mund t’i presë partitë për t’u konsultuar me to, e që në qendër të diskutimit të jetë zgjidhja dhe dalja nga kriza
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish të martën për të vazhduar seancën konstituive të nisur më 15 prill, në përpjekje për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Sipas qëndrimeve aktuale të partive politike, nuk pritet ndonjë përparim në tejkalimin e bllokadës.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë në propozimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke refuzuar të ndryshojë kandidatin, ndërkohë që partitë opozitare vazhdojnë të refuzojnë ta mbështesin atë.
Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se në situatën aktuale, bllokada institucionale vetëm sa do të thellohet.
“Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit i takon partisë politike që ka fituar shumicën e nevojshme të vendeve në Kuvend – në këtë rast, partisë më të madhe. Por njëkohësisht është detyrë dhe përgjegjësi e vetë deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin. Aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë dhe duhet të respektohet, mirëpo në praktikë kemi një situatë të ndërlikuar për shkak të mungesës së konsensusit politik. Deri më tani, nuk ekziston një akt konkret – vendim apo veprim formal i Kuvendit – që do të mund të kontestohej në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tij. Pa një akt të tillë, deputetët nuk kanë bazë kushtetuese për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese”, tha Kolshi.
Meqë Gjykata Kushtetuese ka vendosur në të kaluarën se nuk është organ për interpretimin e pyetjeve, sipas Kolshit, rrugëzgjidhja duhet të kërkohet te letra e presidentes Vjosa Osmani.
“Duke qenë se kemi të bëjmë me një situatë të jashtëzakonshme që e paralizon funksionimin e Kuvendit dhe zbatimin e aktgjykimit ekzistues, mund të shihet logjike që të jetësohet paragrafi i fundit i letrës së presidentes, ku ajo mund t’i presë partitë për t’u konsultuar me to, e që në qendër të diskutimit të jetë zgjidhja dhe dalja nga kriza. Edhe pse Kushtetuta nuk përcakton afate rigoroze për zhbllokimin e kësaj situate, afati prej 30 ditësh për mbajtjen e seancës konstituive është një pikë orientuese”, tha Kolshi.
E opozita, përveçse insiston në ndërrimin e emrit të kandidatit, nga PDK-ja thanë se janë të hapur edhe për konsultime nëse ato i mban presidentja Osmani.
Në Presidencë nuk treguan nëse Osmani do të vihet në veprim për ta zhbllokuar ngërçin.
Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të LVV-së për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, ndërkohë që kjo ishte përpjekja e shtatë për konstituim të Kuvendit. 57 deputetë nga Vetëvendosje dhe pakicat joserbe votuan pro zgjedhjes së saj. Kundër ishin 41 deputetë, ata të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës. Abstenuan 3 deputetët e Nismës, e 8 mandatarë të Listës Serbe sa ishin në sallë nuk morën pjesë në votim.