Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka njoftuar se ka pranuar të hënën dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës.
Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit kanë dhënë dorëheqje të dielën gjatë seancave të jashtëzakonshme në kuvendet komunale. Po ashtu kanë dhënë dorëheqje edhe asamblistët nga radhët e listës Serbe.
“Sot gjatë ditës, në Ministrinë e Adminstrimit të Pushtetit Lokal kemi pranuar letërdorëheqjet e kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit. Ne jemi në komunikim me gjitha institucionet relevante për hapat e mëtejshëm sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë për KOHËN, Arianit Abazi, këshilltar për media në MAPL.