(Ekonomiaonline) - Koncept-dokumenti për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë është dorëzuar në Qeveri, ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo deklaroi se për të është punë e madhe dhe se sistemi i drejtësisë në vend përballet me probleme të shumta.
“Krahas sfidave shkaktar i këtyre ngecjeve është integriteti i mangët. Falënderoj juristë në përbërje të vettingut. Koncept-dokumenti është komentuar edhe nga ekspertë ndërkombëtarë. Është punuar që të garantohet proces i drejtë. Dokumenti përmban 5 opsione. Fokusi i është kushtuar praktikave të mira, zotimi ynë për shtetin e së drejtës do të jetësohet”, ka thënë ajo para mediave.
Ministrja Haxhiu ka theksuar se ky proces nuk po bëhet kundër një emri të përveçëm, por që është i domosdoshëm e kërkesë shoqërore.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka thënë se ky koncept-dokument është rezultat i një pune serioze.
“Janë identifikuar 5 opsione. Ruajtja e status quo-s, parasheh zhvillimet e vetingut, parasheh zhvillimet kushtetuese dhe opsioni i kombinuar ndërmjet asaj kushtetuese dhe ligjore. Vazhdimi i performancës parashihet me mekanizma të ndërtuar nga Këshilli gjyqësor dhe prokurorial. Anëtarët do të zgjidhen në Kuvend. Vettingu do të zhvillohet me tre trupa vendimmarrës gjyqësor dhe dy trupa prokuror. Subjektet e vettingut do të jenë gjyqësorët dhe prokurorët. Përgjatë procesit do të sigurohet vazhdimësi e punës në institucionet e përfshira. Në rast se gjatë shqyrtimit të rastit ka shkelje për subjektin propozohet sanksione të caktuara. Këshillat do të kenë përbërje me anëtarë dhe do të jenë të gatshëm për të vlerësuar integritetin e performancës”, ka thënë ajo tutje.